Opinione

Pse heshtim ndaj terrorizmit?!

Autori: Gazeta inFokus 20:40 | 15 May 2021

Deri para ca vitesh institucionet tona dhe pothuaj të gjitha partitë politike deklaroheshin hapur kundër terrorizmit. Deri para ca vitesh ishte e paimagjinueshme të kishte antiamerikanizëm në Kosovë.

Shkruan: Agron HOTI

Deri para ca vitesh ishte e paimagjinueshme të përçaheshim për shkak të problemeve në Lindje të Afërt. Deri para ca vitesh ishte e paimagjinueshme të heshtnim, devijonim dhe pse jo përçmonim kontributin e Skënderbeut për çlirimin e popullit shqiptar nga Perandoria Osmane. Deri para ca vitesh kishim orientim tërësisht perëndimor as që bëhej llaf për orientim lindor. E sot gjërat kanë ndryshuar për të keq sa i përket orientimit tonë si shoqëri. Tupani rreh për ata që marrin vesh.

-Advertisement-

Përderisa institucionet dhe partitë tona para disa vitesh deklaroheshin hapur dhe me kohë kundër terrorizmit të Hamasit, Hezbollahut, Al Kaidës, ISIS-it, etj, rreshtoheshin hapur krah SHBA-së e BE-së që na shpëtuan qenien, pra krah botës demokratike, sot si institucionet ashtu edhe partitë politike, lëre që s’rreshtohen më krah SHBA-së e BE-së për ta dënuar terrorizmin e Hamasit dhe Hezbollahut ndaj Izraelit, por çka është më e keqja mundohen ta heshtin edhe kontributin e vetë Skënderbeut, heroit tonë kombëtar për çlirim nga Perandoria Osmane. E kjo shkon në favor të plotë të Serbisë, Rusisë e Turqisë, të cilat po investojnë pafund në përçarje, në mënyrë që ne të themi se jemi popull pa të kaluar, se lindëm sot, etj. Një popull pa të kaluar, nuk ka të ardhme, këtë s’duhet ta harrojmë kurrë.

Serbia s’do as më pak e as më shumë se sa fetarizimin e luftës së UÇK-së. Serbia s’do asgjë më shumë, se sa protesta të shqiptarëve në Prishtinë në mbrojtje të Palestinës, apo në mbrojtje të vëllazërirave fetare. E Turqia s’do asgjë më shumë nga shqiptarët, se sa heshtjen e emrit të Skënderbeut dhe zëvendësimin e fjalës pushtim me administrim të popullit shqiptar nga Perandoria Osmane. Me një fjalë si Serbia ashtu edhe Turqia, mundohen që popullin shqiptar ta paraqesin si variant të një populli osman në Ballkan. Nëse si Serbia ashtu edhe Turqia s’kanë mundur me luftë të shtyjnë plotësisht përpara projeksionet e errëta të tyre kundër popullit shqiptar, tashmë mundohen me mjete tjera por synime të njëjta.

Heshtja e institucioneve tona, partive politike dhe institucioneve fetare ndaj terrorizmit të Hamasit e Hezbollahut kundër Izraelit, tregon më së miri se kah po rrëshqasim si shoqëri. Investimet dashakeqe të shteteve joevropiane kanë filluar të japin efektet e para antikombëtare. E investimet janë bërë në përçarje politike, fetare, kulturore dhe historike. S’kemi më as minimumin e konsensusit për asgjë. E pikërisht këtë synonin armiqtë tanë. Një popull i thyer nga brenda, s’mund bëjë asgjë nga jashtë.

Janë pikërisht investimet e mëdha tejet përçarëse ato që sot shantazhojnë për të heshtur krerët institucionalë, të partive politike kush më shumë e kush më pak dhe institucioneve fetare ndaj terrorizmit ndaj Izraelit. Islami politik e deri diku edhe katolicizmi politik po merr çdo ditë e më shumë formë duke vënë në shënjestër fetarizimin tashmë edhe të figurave kombëtare. Qarqe të dyshimta islamo-politike kohëve të fundit po mundohen ta fetarizojnë heroizmin kombëtar të Adem Jasharit, gjersa Kisha Katolike, e ndërtuar në vendin e gjimnazit më të mirë që kishte Kosova, ka ndërtuar në oborrin e saj bustin e Ibrahim Rugovës ndërkohë që familja e Anton Çetës s’kishte lejuar vënien e bustit në oborr të Kishës sepse s’donte që kontributi kombëtar i Anton Çetës të fetarizohej. Deri këtu kemi shkuar.

Heronjtë tanë që nga Skënderbeu, Rilindasit, Ismail Qemali, Ukshin Hoti, Adem Demaçi e deri te Adem Jashari me mijëra e miliona shqiptarë që vdiqën për shqiptari e flamur shqiponje me dy krena, asnjëherë s’lejuan të shantazhoheshin nga para të pista e as kalkuluan për humbje eventuale votash, as menduan për hareme, pasurira ilegale që çmendin e jetëra përrallore, panjerëzira e injoranca që edhe të vdekurin e trazojnë, as menduan t’i bëjnë argatin armikut siç kishte dhe ka që ende i bëjnë, por të gjithë këta heronj kishin një synim të vetëm: çlirimin e shqiptarëve nga lindja që po na shfaroste dhe orientimin e tyre kah Perëndimi.

Pavarësisht që projekti shqiptar ende s’ka përfunduar siç kemi ëndërruar dhe vazhdojmë të ëndërrojmë, na duhet ta themi me zë dhe të bindur se nuk ka pasur asnjë periudhë gjatë tërë historisë që ka qenë më e artë se sa sot. Sigurisht që na presin edhe shumë punë, sepse bazën zhvillimore e kishim zero e jo Gjermani apo Zvicër. Nga një popull i harruar nga historia, shqiptarët sot jetojnë me vitdrite shumë më mirë se në të kaluarën e tmerrshme. Shqiptarët sot po bëhen qendra e Evropës së Re, po çajnë bjeshkë e male me infrastrukturë e megaprojekte pa fund që as në ëndërr s’i kishim parë. Dhe këto megaprojekte vetëm sa do të intensifikohen. E të gjitha këto të arritura, sigurisht ende të pamjaftueshme për nivelin tejet të ultë ku ishim, u bënë vetëm kur u çliruam dhe u rreshtuam kah Perëndimi. Pasja e forcave të NATO-s në pothuaj të gjitha hapësirat shqiptare është vetë mrekullia që garanton paqe dhe perspektivë shqiptare. Këtë më së miri na e ka mësuar historia e BE-së, e cila pa forcat e NATO, do të vazhdonte të ishte e zhytur në luftëra e konflikte pa fund.

E nëse sot dikush, të cilit nuk i ndirë zëri kur popullit shqiptar po i kanosej shfarosja, e i cili kinse në emër të vëllazërirave imagjinare fetare rreshtohet sot kah dikush që s’i do të mirën popullit shqiptar – siç hapur bën Palestina – dhe ua kthen shpinën atyre që mundësuan vetë ekzistencën shqiptare, atëherë kjo alarmon se në ç’masë është rritur ndikimi i shteteve të dyshimta. Është pikërisht faktorizimi i popullit shqiptar ai që po pengonte qarqet dashakeqe. Është pikërisht proamerikanizmi shqiptar më i madh në botë, ai që po tmerronte armiqtë e SHBA-së. Dhe për ta ndalur këtë faktorizim u ndezën motorët e përçarjes, duke financuar plot grupe interesi të dyshimta interesi në Kosovë, në mënyrë që polarizimi shoqëror ndaj çdo gjëje të rrokte majat. Dhe në fakt ashtu edhe ndodhi.

E kur nën këtë ndikim të mbrapshtë bien pre të gjitha institucionet e shtetit që u bënë me shumë investime nga SHBA e BE duke filluar nga shërbimet më të thjeshta e deri te Gjykata Kushtetuese e Ushtria e Kosovës, kjo sigurisht që është fyerje dhe bukëpërmbysje ndaj Perëndimit që na shpëtoi qenien dhe na bëri shtetin, të cilin sot e gëzojmë të gjithë, gjersa i bëjmë argatin dreqit. E kur nën këtë ndikim të mbrapshtë bien edhe partitë politike, atëherë kjo përbën shqetësim të madh për rrezikun e rrëshqitjes sonë nga Perëndimi shpëtues drejt Lindjes rrënuese. Këtë s’do të na e falin kurrë ata miliona shqiptarë që u masakruan, terrorizuan e gjenociduan pikërisht nga mendësia lindore me Serbinë në krye të kresë. Nuk do të na e falte as Adem Jashari që nën këngët për flamurin kuq e zi po bënte qëndresën e paparë heroike kundër Serbisë.

Në vend që ne të përmbledhim dhe përbashkojmë forcat për t’i vënë kapak problemit të madh që kemi me Serbi, të ngrisim zërin për spastrimin etnik që po bën Serbia edhe sot ndaj vëllezërve e motrave shqiptarë në Luginë të Preshevës, të ngrisim zërin për gjenocidin grek ndaj vëllezërve e motrave në Çamëri si dhe mohimin e minoritetit milionësh shqiptarë në Greqi, të ngrisim zërin për avansimin e pozitës së milionave shqiptarëve të shpërngulur dhunshëm nga Serbia në Turqinë pranuese, ne, të paguar mirë nga qarqe të dyshimta, injektojmë probleme ndërkombëtare brenda shoqërisë sonë, siç është Palestina, pa pikë nevoje duke kontribuar kështu në shpërqendrim kombëtar e përtharje të përpjekjeve tona si komb drejt përmirësimit të mëtejmë pozitës sonë në Ballkan dhe Evropë.

Dhe ja ku erdhëm sot. Në qendër të Prishtinës protestojnë njerëz të dyshimtë në mbrojtje të vëllazërirave imagjinare fetare dhe askush s’bën zë, ndërkohë që shtetet më të fuqishme perëndimore sapo janë deklaruar kundër terrorizmit të Hamasit dhe Hezbollahut ndaj Izraelit. Kurse, te ne reagimi pro Izraelit ka mbetur vetëm në nivel të mediave, shoqërisë civile dhe qytetarëve (jo të gjithë). E institucionet, partitë politike dhe feja s’e kanë thënë asnjë fjalë. E në asnën tjetër, politika jonë ua lodh veshin qytetarëve duke u thënë se synojnë integrimin veriatlantik, gjersa heshtim terrorizmin, të cilin shtetet kryesore veriatlantike e dënojnë me të gjitha mjetet. Qëndrojmë ulur në institucione tona, të ndërtuara që të gjitha nga Perëndimi gjersa i kthejmë shpinën Perëndimit, i cili na mban me bukë diasporën tonë, një diasporë që ruan paqen sociale në Kosovë, një diasporë që kur të na duhet për vota e lartësojmë, e kur s’na duhet e heshtim.

Nëse vazhdojmë kështu, atëherë jo shumë larg, do të shohim në sheshet tona ekstremistë fetarë që islamin politik do ta shprehin me shirita të zi në kokë të shkruar arabisht duke djegur flamuj amerikanë, izraelitë dhe vendeve të ndryshme perëndimore, saktësisht siç bëjnë midis Palestinës e vendeve të ndryshme arabe. Kambanat kanë rënë, shteti, shoqëria, mediat, shoqëria civile e qytetarët duhet të veprojnë, nëse jo, atëherë asgjë ende s’keni parë. Qofsha i gabuar!

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera