Opinione

Pse fitoi Isa Mustafa?

Autori: Gazeta inFokus 14:22 | 05 August 2019

Ideja e konsensusit në marrjen e vendimeve në LDK, do të tundohet shumë kur të vije koha që kjo parti ta bëjë nominimin e saj për Kryeministrin e Qeverisë së Kosovës.

Blerim Shala

Lidhja Demokratike e Kosovës, si partia më e vjetër kosovare, që në dhjetorin e sivjetmë shënon tridhjetë vjet të themelimit të saj, vendosi, në Kuvendin e nëntë të saj, të mos ndryshojë thuaja asgjë në udhëheqësinë e vet, për ta ndërruar Qeverinë në zgjedhjet e reja, të jashtëzakonshme parlamentare, të cilat bazuar në vullnetin e shprehur publikisht nga liderët e të gjitha partive parlamentare, duken të pashmangshme.

-Advertisement-

Sprova e fitores së parë në zgjedhjet parlamentare, që pas vdekjes së Presidentit Rugova (janar, 2006-të), pas katër palë humbjesh në matjen e forcave politike në kutitë e votimit në shkallë vendi (prej zgjedhjeve të vitit 2007-të deri në ato të vitit 2017-të), ndikoi që në atë harkun kohor prej 19 korrikut (dorëheqjes së Kryeministrit Ramush Haradinaj), deri me 3 gusht, (ditën e mbajtjes së Kuvendit zgjedhor), politikanët kyç në LDK, të viheshin në kërkim të një figure/ kandidati konsensual për të parin e partisë.

Secili që ka pasur pretendime për ta zëvendësuar Isa Mustafën në postin e liderit të LDK-së, e të tillë njëmend ka pasë, disa më të zëshëm, e të tjerët jo edhe aq, është dashur ta dijë që në momentin kur vendoset për ta gjetur një kandidat të pranueshëm për të gjithë (çfarë është në fakt kandidati konsensual), gjasat që dikush tjetër t’ia zë vendin Isa Mustafës, janë kurfare.

Ideja e konsensusit, si e tillë, automatikisht ka favorizuar Mustafës, i cili ka dalë si solucioni më i mirë i mundshëm, apo thënë edhe më qartë, si i vetmi i mundshëm, në mungesë për një pajtim të gjërë për akëcilin pretendent për postin e Njëshit të LDK-së.

Në rrethanat e tanishme, ka qenë objektivisht Misioni i pamundur që të ketë rreshtim të gjërë pas emrave që janë lakuar si pretendë për Kryetarin e LDK-së.

Po që se do të insistohej në një konsensus procedural (për të drejtën për tu kandiduar), e jo për konsensusin për kandidat, do të mund të mbaheshin zgjedhjet e mirëfillta për liderin e LDK-së.

Mbase, në rrethanat e tjera, çfarë kanë qenë në Kosovë deri me 19 korrik, kur ndodhi dorëheqja e Kryeministrit Haradinaj, do të mund të pritej që Kuvendi i nëntë i LDK-së të sjellë garë të njëmendtë politike për liderin e saj. Ndryshimi dramatik i skenës politike të Kosovës, i imponuar nga ftesat e shumta të Dhomave të Specializuara në Hagë, siç zatën ishte paraparë qëmoti prej secilit që njeh sadopak ambientin politik në Kosovë, nuk pati si mos të influencojë edhe rrjedhat e brendshme politike në LDK.

Për këtë shkak, posti i Kryetarit të LDK-së u mbajt nga Isa Mustafa, edhe për shkak që supozohet, qëndrueshëm, që Mustafa, në vijim jo vetëm të problemeve të tij shëndetësore (Mustafa ka pasë shëndet të mirë para dy vitesh kur megjithatë e hodhi idenë që Avdullah Hoti të nominohet nga ana e LDK-së për postin e Kryeministrit të Kosovës, në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të qershorit), nuk do të jetë krye-emri i LDK-së në zgjedhjet e reja parlamentare, apo që ai nuk do të pretendojë ta rikthejë postin e Kryeministrit, të humbur në majin e vitit 2017-të.

Shmangia e tronditjeve të mëdha politike, që do të mund të ishin konsekuencë e një gare të mirëfilltë për Kryetarin e LDK-së, dhe bindja e udhëheqësisë së LDK-së që kjo parti ka gjasa të mira që t’i kthehet fitoreve parlamentare pas asaj të fundit, të shënuar në vitin 2004, u bënë bashkë në çeljen e udhës për Isa Mustafën që të zgjidhet sërish Kryetar i LDK-së.

Megjithatë, duket që ideja e konsensusit në marrjen e vendimeve kryesore në LDK, do të mund të sfidohet shumë kur të vie koha (e kjo mund të ndodhë së shpejti), që kjo parti ta bëjë nominimin e saj për Kryeministrin e Qeverisë së Kosovës, i cili do të jetë edhe bartës i mirëfilltë i fushatës parazgjedhore dhe i fuqisë së njëmendtë politike në këtë parti, në rast të fitores në zgjedhjet e reja parlamentare.

Akoma pa ra mirë perdet e Kuvendit të nëntë të LDK-së, nisi gara joformale për nominimin e kandidatëve për Njëshin e Listës së deputetëve të kësaj partie. Nuk pati shumë durim që të priten të kalojnë disa ditë, para se të nisë gara joformale për këtë pozitë.

Pastaj, Isa Mustafa, si Kryetar i LDK-së, dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt, do të duhet të vendosin për koalicionet eventuale parazgjedhore, të cilat nuk u treguan shumë të qëlluara si për LDK-në, ashtu edhe për PDK-në.

Në këtë kontekst, me gjasë, për shëndetin e skenës politike në vend, për të kuptuar se çfarë është fuqia e mirëfilltë politike e secilit subjekt politik në vend, do të ishte më së miri po që se partitë do të mateshin në baza individuale, e jo si pjesë e koalicioneve.

Sidoqoftë, mësymja për fitore zgjedhore, qoftë edhe relative, do të mund sërish të imponojë koalicione të këtilla.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Rakinica e Skenderajt bëhet me rrjet të ri elektrik

Të tjera