Lajme

PSD kërkon nga deputetë të ndërpresin pushimin

Autori: Gazeta inFokus 14:15 | 02 August 2018

Partia Socialdemokrate (PSD) ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës t’i kthehet punës në këtë situatë kur po flitet për ndarje të Kosovës dhe shkëmbime territoresh. Po ashtu kjo parti ka kërkuar që rezoluta e propozuar nga ta të votohet sa më parë.

Ky subjekt politik u ka bërë thirrje partive të tjera politike, veçanërisht atyre opozitare që t’i kthehen Kuvendit dhe t’ia mundësojnë  këtij institucioni vendimmarrjen dhe mbikëqyrjen e dialogut me Serbinë.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti  është shprehur i habitur si Kuvendi ka shkuar në pushim -duke thënë se në gusht dhe në shtator priten të ndodhin zhvillime të mëdha.

-Advertisement-

Tashmë  po dihet që Kuvendi e ka caktuar përfundimin e seancës apo sesionit pranveror që do të thotë se edhe ai debati të cilin ne e iniciuam si Parti Socialdemokrate përfundoi pa ndonjë kalim të rezolutës ne mendojmë që deputetët shkojnë në një pushim në një fazë tepër të rëndësishme për Republikën e Kosovës, kur pothuajse të gjitha shtetet botërore po flasin për zgjidhje të mundshme të këtij dialogu, kisha me thanë me skenare të rrezikshme për Republikën e Kosovës, ku flitet edhe për ndarje, ku flitet  edhe për shkëmbime territoresh, përderisa Kuvendi i Republikës së Kosovës shkon në pushim. Tashmë kanë ndodhur dy takime në mes presidentit Vuçiç dhe presidentit Thaçi dhe le që nuk ka pasur leje paraprake, apo mandatim paraprak, por më tutje nuk ka pasur as raportim se çka është diskutuar”, ka thënë Ahmeti.

Kreu i PSD-së ka folur edhe për rezolutën që është në fuqi për normalizimin e marrëdhënieve Kosovës-Serbi.

“Sipas kësaj rezolute udhëheqës i procesit të dialogut është Qeveria dhe ata këtë të drejtë apo këtë autorizim nuk mund ta heqin edhe pse kryeministri mund të shpreh dëshira se a do me shku a nuk do me shku në këto negociata. Është domosdoshmëri politike që Kuvendi jonë të nxjerr rezolutë të re me të cilën me të cilën ne dëshirojmë që ta mandatojmë ekipin negociator, që ta mandatojmë platformën me të cilën negociohet, kështu që Kuvendi ta ketë fuqinë politike ashtu siç i takon”, ka thënë ai.

Nënkryetari i PSD-së, Visar Ymeri  tha se takimet e presidentit Thaçi me atë të Serbisë , Aleksandar Vuçiç janë private.

“Ato që janë folur në takime formale e qoftë edhe në takime sekrete dhe të fshehta nga në këtë rast presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, nuk vlejnë dhe as nuk janë obligime të Republikës së Kosovës sepse janë folur edhe janë zotuar nëse janë zotuar nga një person i cili nuk e ka mandatin e as autorizimin nga Kuvendi për të bërë një gjë të tillë. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që Kuvendi i Kosovës sa më shpejt ta bëjë një deklarim të tillë në të cilin diskutimet e deri tashme i anulon, pra i shpall të pavlefshme për Republikën e Kosovës sepse nëse ne e vazhdojmë si Kuvend i Republikës me pushime në këtë kohë kur është intensifikuar jashtëzakonisht shumë edhe diskutimi për dialogun e qe besa edhe takimet në këtë fazë të dialogut, atëherë praktikisht edhe Kuvendi edhe Republika e Kosovës në përgjithësi mund të vendoset para një akti të kryer”, tha Ymeri.

Ai tha se përmes kësaj rezolute Kuvendi vendosë për agjendën dhe kohë-nisjen e bisedimeve me Serbinë dhe kërkesat, platformë dhe të dihet për çfarë nisë dialog.

Partia Socialdemokrate, ka paraqitur Rezolutën për caktimin e përgjegjësive institucionale në procesin e dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera