Lajme

PSD-ja fton partitë të përkrahin Projektrezolutën dhe Projektligjin për dialog

Autori: Gazeta inFokus 18:04 | 11 December 2018

Nënkryetarët e Partisë Socialdemokrate, Visar Ymeri dhe Dukagjin Gorani, kanë ftuar sot partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës, që ta përkrahin projekt-rezolutën dhe projekt-ligjin e PSD-Nisma-Alternativa, për dialogun me Serbinë.

Në konferencën e sotme për media, Ymeri konstatoi se procesi i dialogut është i pranueshëm vetëm nëse rezulton me njohjen e ndërsjellë të palëve të përfshira në këtë proces, me anëtarësimin e Republikës së Kosovës në OKB dhe me përshpejtimin e proceseve integruese të shtetit tonë në NATO dhe BE.

Ai nënvizoi se në këtë proces, roli qendror i takon Kuvendit të Kosovës, që duhet ta votojë Delegacionin Shtetëror, ku detyrat, përgjegjësitë e kompetencat e tij definohen dhe saktësohen me projekt-ligjin e propozuar nga PSD, Nisma dhe Alternativa.

-Advertisement-

“Delegacioni Shtetëror ka të drejtën ekskluzive të komunikimit dhe të interpretimit publik të procedimeve, përmbajtjes dhe arritjeve në procesin e dialogut. Vendimet brenda delegacionit do të jenë konsensuale, me pajtueshmërinë e të gjithë anëtarëve të tij. Delegacioni Shtetëror do të raportojë në mënyrë të rregullt rreth ecurisë së procesit të dialogut para Komisionit për mbikëqyrjen e dialogut”, shtoi Ymeri.

Duke e shpjeguar ndërlidhjen mes projekt-rezolutës dhe projekt-ligjit, nënkryetari Gorani tha se këto dokumente nuk kanë kuptim pa njëra-tjetrën. Kjo pasi, sipas tij, rezoluta pa ligj nuk ka fuqi detyruese, kurse ligji pa rezolutë nuk ka as kontekst dhe as shpjegim politik. Ai potencoi se këto dokumente përkufizojnë mandatin, përfaqësimin dhe mbikëqyrjen e procesit të dialogut, e nuk kanë synim ta reduktojnë ose kufizojnë rolin e asnjë institucioni kushtetues.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera