Lajme

PSD: Grupi negociues i qeverisë, instrument për legjitimim të presidentit Thaçit

Autori: Gazeta inFokus 20:51 | 03 September 2018

Partia Socialdemokrate konsideron se vendimi për ekipin negociator që do ta përfaqësojë Kosovën në bisedimet me Serbinë nuk ka asnjë kuptim tjetër përveç se të ndërhyjë në një proces vendimmarrjeje që është përgjegjësi ekskluzive e Kuvendit të Kosovës.

Sipas PSD-së, ekipi i sotëm i emëruar nga Qeveria nuk është asgjë përveç se patericë aventurave të dëmshme e të rrezikshme të presidentit Hashim Thaçi, i cili po insiston të jetë në krye të dialogut pa marrë parasysh refuzimin kategorik të pjesës më të madhe të të zgjedhurve të popullit e shoqërisë civile karshi tij dhe qëllimeve të tij.

Sikurse edhe më herët, Partia Socialdemokrate konsideron që për një proces kuptimplotë negociator duhet të përcaktohen shtyllat që e përkufizojnë përmbajtjen dhe qëllimin që duhet ta ketë ky proces.

-Advertisement-

“Në mënyrë që ky proces të ketë legjitimitet, nevojitet dakordim i gjitha partive parlamentare të jetë përgjegjësi kryesor për këtë proces, si organi më i lartë legjislativ, ndërsa është domosdoshmëri që me dy të tretat e Kuvendit të miratohet platforma shtetërore për dialogun”, thotë PSD në një reagim dërguar mediave.

PSD po ashtu konsideron se përmes votës duhet të mandatohet Ekipi Negociator, të cilin Kuvendi mund ta shkarkojë nëse shkel platformën, ndërkohë që Kuvendi duhet të themelojë një komision të veçantë për mbikëqyrjen e gjithë procesit.

Në përputhje me këtë, PSD vlerëson që Republika e Kosovës nuk mund të përfaqësohet nga ky ekip negociator në një proces aq të rëndësishëm.

“Sikurse as presidenti Thaçi, as ky ekip nuk e shpreh koncensusin nacional për këtë çështje. PSD qartëson po ashtu se merr pjesë në seancën e organizuar në koordinim nga tre partitë opozitare, por jo në seancat e thirrura me nguti nga pushteti për të legjitimuar cenimin që qeveria po tenton t’ia bëjë institucionit më të lartë vendimmarrës në Republikën e Kosovës”, thuhet më tej në komunikatën e PSD-së.

Ndryshe, kryeministri Ramush Haradinaj, sot pas mbledhjes së Qeverisë, ka thënë se ka caktuar një delegacion për dialogun me Serbinë, që pritet sipas tij, të debatohet në një mbledhje në Kuvendit të Kosovës.

Ai ka thënë se me këtë delegacion i përbërë nga Fatmir Limaj, kryesues, Enver Hoxhaj, Behgjet Pacolli, Mahir Yagcilar, Avni Arifi dhe Dardan Gashi, nuk ka për qëllim ta ndalojnë presidentin të dialogojë me Serbinë në kohën kur presidenti Thaçi ka dalë me propozim për korrigjim kufijsh.

Sipas tij është e pamundur që vetëm presidenti dhe zyra e tij ta trajtojnë dialogun me Serbinë, por çdo gjë që ofrohet te presidenti, materia do t’i ofrohet edhe delegacionit të kryesuar nga Fatmir Limaj.

Haradinaj edhe një herë përsëriti se askush nuk e ka mandatin dhe autoritetin që të negociojë për kufijtë dhe territorin e Kosovës.

Ndërkaq, Kryesia e Kuvendit ka vendos sot në mbrëmje që të mbajë seancë të jashtëzakonshme në orën 9 të së martës në të cilën do të shqyrtohet Propozim-vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e Ekipit Negociator për Normalizimin e Marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:

Të tjera