Opinione

Propozim-Rezoluta e Shqipërisë lë zhveshur Specialen

Autori: Gazeta inFokus 13:22 | 20 July 2022

Të gjithë e dimë që Serbia edhe gjatë periudhës komuniste akuzonte Shqipërinë për përzierje në punë të brendshme të asaj që atëherë quhej Jugosllavi.

Shkruan: Agron HOTI

Qëllimi ishte që të hapte front me Shqipërinë për të pasur pretekst për t’i tmerruar dhe terrorizuar më pas shqiptarët nën Jugosllavi. Nuk ishte rastësi që të burgosurit shqiptarë përbënin numrin më të madh të të burgosurve në Jugosllavi dhe ku një pjesë e akuzave serbe ishin se shqiptarët po bashkëpunonin me shtetin e tyre amë, Shqipërinë.

Edhe gjatë luftës në vitin 1999 Serbia vazhdimisht i bombardonte fshatrat shqiptare përreth kufirit me Kosovë duke u përpjekur kështu që t’ia hidhte fajin Shqipërisë për agresion ndaj Serbisë në mënyrë që pastaj ta legjitimonte agresionin, spastrimin etnik dhe pushtimin e Kosovës. Por, për fat të mirë, Serbia si gjatë periudhës komuniste ashtu edhe gjatë luftës në Kosovë nuk ia kishte dalë që fajin për mobilizimin dhe luftën e UÇK-së t’ia hidhte Shqipërisë. Ishte dhe është vetë kufizimi i Shqipërisë me troje shqiptare ajo që siguronte kompaktësi shqiptare andej dhe këndej kufirit duke penguar kështu depërtimin e çfarëdo plani të errët serb.

Megjithatë, Serbia asnjëherë s’i kishte ndalur përpjekjet për t’i hedhur fajin Shqipërisë se gjoja kishte gisht në mobilizimin e UÇK-së në Kosovë. Ngritja e pretendimeve në Raportin e Dick Martit në vitin 2011 në Këshill të Evropës se në veri të Shqipërisë kishte pasur një shtëpi të verdhë, nga ku ishin trafikuar organe njerëzore gjatë luftës në Kosovë, përbën shembullin më tipik të përpjekjeve serbe për ta përfshirë edhe Shqipërinë në krime të pretenduara lufte, për ta kriminalizuar kështu luftën e UÇK-së si dhe për t’i kriminalizuar bombardimet e NATO-s kundër Serbisë.

Synimi serb ishte se nëse pretendime të tilla do të vërtetoheshin, atëherë Serbia e Rusia do të mund ta komprometonin tërë çlirimin dhe shtetbërjen e Kosovës e bashkë me të edhe tërë Perëndimin që kishte ofruar mbështetjen. Prandaj, themelimi i Gjykatës Speciale ishte instrumenti politik për ta goditur përfundimisht projektin e Kosovës.

Për ta arritur këtë qëllim Serbia e Rusia po shfrytëzonin rrethanat ndërkombëtare:

– SHBA ishte e nxënë me luftën ndaj terrorizmit që nga 2001 dhe me krizën financiare që e kishte goditur në vitin 2008;

– lufta e SHBA-së ndaj terrorizmit kishte dëmtuar marrëdhëniet transatlantike;

– kriza financiare e vitit 2008 e kishte goditur rëndë edhe ekonominë e BE-së;

– Kina, Rusia bashkë me vendet Arabe, Iranin dhe Turqinë po fitonin terren në Evropë si në shkëmbime tregtare ashtu edhe në investime të dynashme dhe kjo natyrshëm po e rriste varësinë e Evropës karshi vendeve aziatike;

– problemet e shtetndërtimit në Ballkan Perëndimor nuk po mund të zgjidheshin nga BE, ngase kjo e fundit as sot nuk ka një strategji të tillë shtetndërtimi;

– përçarja në BE veç sa kishte filluar të jepte efektet e veta sidomos me krizën greke;

– Rusia duke e rritur eksportin e energjisë në Evropë po i frynte edhe më shumë zjarrit të përçarjes si dhe po rriste kontrollin sidomos ndaj elitës politike të BE-së dhe shteteve anëtare të saj;

– brenda në Kosovë kishte një përçarje politike e sociale që rridhte që nga lufta 1998-1999, e cila i jepte bazë Serbisë e Rusisë për ta shfrytëzur këtë frustim të brendshëm në favor të themelimit të Gjykatës Speciale;

– ndikimi i Rusisë në Këshill të Evropës ishte shumë i madh, kjo edhe për faktin se varësia e shumë shteteve evropiane nga energjia ruse, ndaj kjo po i mundësonte Rusisë të projektonte Gjykatën Specialen në zemër të demokracive evropiane siç ishte Këshilli i Evropës.

Prandaj, pavarësisht rezultatit të Gjykatës Speciale, Shqipëria – në Raportin e Dick Martyt të miratuar nga Këshilli i Evropës – ngelet vendi, në territorin e së cilës pretendohet të jenë trafikuar organe njerëzore nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Dhe përderisa ende ka një rezolutë të Këshillit të Evropës që e kishte miratuar këtë raport famëkeq, atëherë Shqipëria në një apo mënyrë tjetër ishte dhe ngelet pjesë e lojës. Prandaj, Shqipëria ka ndërmarrë tanimë nismën për të dërguar një rezolutë në Këshillin e Evropës, miratimi i së cilës do ta pastronte para se gjithash Shqipërinë nga pretendimet e Raportit të Dick Martyt.

Nuk është e rastësishme që Shqipëria ndërmerr një hap të tillë pikërisht tani, kur po i hapeshin negociatat për anëtarësim në BE. Kjo sepse pretendimet e Raportit të Dick Martit do të mund ta pengonin hapjen dhe mbylljen e kapitujve të BE-së sidomos të atyre 22, 23 dhe 24 që kanë të bëjnë me drejtësinë, bashkëpunimin rajonal dhe sigurinë. Një rezolutë pro Shqipërisë do të hidhte poshtë pretendimet e Raportit të Dick Martit së paku për pastërtinë e territorit shqiptar. Mbi këtë bazë Shqipëria do të pastrohej nga këto pretendime dhe nuk do të kishte më probleme eventuale në rrugëtimin e saj drejt BE-së.

Fundja, Këshilli Evropian në Përfundimet (Konkluzionet) e datës 10-11 dhjetor të vitit 1999 kishte vendosur që vendet që synonin të anëtarësoheshin në BE do duhej që së pari t’i zgjidhin problemet biletarale qoftë edhe përmes Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND). Ishte pikërsht kjo arsyeja se pse Serbia, para se të aplikonte për anëtarësim në BE, t’i kërkonte GJND-së një Opinion Këshillimor nëse pavarësia e Kosovës kishte qenë në përputhje me ligjin ndërkombëtar.

Pasiqë GJND në korrik 2010 kishte vendosur në favor të Kosovës, atëherë Serbisë i ishte njohur statusi i kandidatit në mars 2012 dhe i ishin hapur negociatat për anëtarësim në janar 2014. Pavarësisht hapjes së negociatave, alarmi i Serbisë dhe Rusisë ishte se Kosova pas GJND-së do të mund të ecte e papenguar drejt BE-së dhe ndërkombëtarizimit të mëtejmë përfshirë njohjen pavarësisë së Kosovës nga pesë vendet mosnjohëse të BE-së; prandaj ky ritëm ndërkombëtarizimi i Kosovës sipas Serbisë e Rusisë me aleatë të tyre duhej ndalur me çdo kusht.

Dhe kjo në fakt edhe u ndal, sepse në prill 2014 Kuvendi i Kosovës pati miratuar Gjykatën Speciale, ku pastaj në qershor 2014 vendi shkon menjëherë në zgjedhje të parakohëshme dhe ku pastaj periudha 2014-2017 shënon periudhën e minimit të demokracisë në Kosovë, kur problemet e jashtme bëhen axhenda ditore të brendshme dhe vendi fillon të vendumërojë krahas dëmtimit të imazhit nga gazi lotsjellës në Kuvend, diçka që nuk ishte parë më parë në historinë më të re të Evropës.

Dhe për fat të keq që nga prilli 2014 e deri më sot, si rezultat i Gjykatës Speciale, Kosova vazhdon të shihet nga BE dhe bota si një vend që ka bërë krime lufte duke u përmendur ky pretendim herë pas here edhe në Këshill të Sigurimit nga Serbia me aleatë të saj, ndaj e tëra kjo po pengonte konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Të kthehemi te Shqipëria. Çfarë arrin Shqipëria nëse rezoluta e saj kalon në Këshill të Evropës?

– së pari, me miratimin e një rezolute të tillë Shqipëria hedh poshtë rezolutën e Dick Martit të vitit 2011 se në territorin e saj ishin trafikuar organe njerëzish nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe kjo i heq çfarëdo pengese në rrugëtimin e saj evropian;

– së dyti, një rezolutë e tillë pashmangshëm i jep mundësinë si SHBA-së, NATO-s dhe BE-së që të mbështesin Shqipërinë dhe Kosovën në faktorizimin e tyre;

– së treti, një rezolutë e Shqipërisë e lë zhveshur Gjykatën Speciale duke i humbur kuptimin dhe misionin e saj ndaj hetimit të trafikimit të pretenduar të organeve njerëzore, ndaj të cilave nuk është gjetur as edhe një provë e vetme;

– së katërti, çlirimtarëve tanë në Hagë iu lehtësohet në masë të madhe barra e madhe që po mbajnë mbi supe dhe çmimi i madh që po paguajnë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës;

– së pesti, bien poshtë të gjitha pretendimet se populli shqiptar kishte bërë krime lufte e aq më pak trafikim organesh duke e konfirmuar kështu faktin që jemi padyshim populli më paqësor në Evropë duke mos e pushtuar kurrë askë deri me sot;

– së gjashti, përmes rezolutës shqiptare ekspozohet Serbia e Rusia si sponsorizueset e kësaj Gjykate dhe kjo sigurisht që i dëmton imazhin e Serbisë karshi BE-së kur dihet që edhe Rusia tanimë është përjashtuar nga Këshilli i Evropës dhe s’mund ta përkrahë më;

– së shtati, vërtetohet pastërtia e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, arsyeja kjo pse tërë Perëndimi e kishte mbështetur;

– së teti, ndryshohet përcepsioni në Evropë e botë, kuptohet kjo në të mirë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe tërë popullit shqiptar, kur dihej se Serbia dhe Rusia po përpiqeshin të barazonin viktimat shqiptare me agresionin serb;

– së nënti, hiqen hezitimet e shteteve të ndryshme për ta njohur pavarësinë e Kosovës dhe për të investuar në Shqipëri;

– së dhjeti, Shqipëria dhe Kosova fitojnë terren ndaj Serbisë në Këshill të Sigurimit, Këshill të Evropës, NATO, institucione të BE-së dhe mekanizma rajonalë dhe se Serbia nuk do të mund ta barazojë më viktimën me agresorin;

– së njëmbëdhjeti, një rezolutë e Shqipërisë e delegjitimon në masë të madhe rëndësinë e Gjykatës Speciale, aspekt ky i cili do të përshpejtonte përfundimin e hetimeve dhe mbylljen përfundimtare të saj;

– së dymbëdhjeti, një rezolutë e tillë do t’i sillte avantazhe Kosovës në bisedimet me Serbi, sepse Serbia nuk do të mund të thoshte më se në luftën e Kosovës të gjithë kishin kryer krime lufte;

– së trembëdhjeti, një rezolutë e tillë e Shqipërisë kontribuon edhe një shtensionimin e zhvillimeve në Kosovë, ku jo rrallëherë Raporti i Dick Martit dhe Gjykata Speciale ishin përdorur edhe për axhenda politike të brendshme mes kundërshtarësh politikë, të cilat kishin ndikuar në helmimin e raporteve politike e sociale në tërë Kosovën.

– së katërmbëdhjeti, kjo rezolutë do të kontribuonte dukshëm në rikthimin e lavdisë së UÇK-së dhe Krerëve të saj, të cilët edhe sot po mbahen padrejtësisht në Hagë.

Të tjera