Lajme

Prokurorja që u zu me para në dorë, kthehet në burg

Autori: Gazeta inFokus 09:51 | 14 June 2017

Ish-prokurorja e Departamentit të Krimeve të Rënda, në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës, Vahide Badivuku do t’i rikthehet burgut të Lipjanit.  “Arbresh.info” ka mësuar se Gjykata e Apelit ka konfirmuar dënimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë prej 3 vjet burg efektiv.

Ish-prokurorja Badivuku ishte liruar me 15 maj nga Qendra Korrektuese e Lipjanit, pasi  Gjykata Supreme e Kosovës kishte aprovuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë për të dënuarën dhe kishte anuluar aktgjykimin e Gjykatës së Apelit.

Supremja  çështjen e kishte kthyer në rigjykim në Gjykatën e Apelit, e cila tashmë ka vendosur për  të dytën herë për këtë rast.

-Advertisement-

“Arbresh.info”, po ashtu mëson se dy të dënuarve tjerë të këtij rasti, Isak Smakolli dhe Idriq Kelmendi gjykata ua ka  zbutur dënimin.

Ndryshe, ish-prokurorja e krimeve të rënda, Vahide Badivuku ishte arrestuar në gusht të vitit 2015, dhe akuzohej nga Prokuroria Speciale e Kosovës për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe krim të organizuar.

Prokuroria e akuzonte Badivukun se kishte marrë ryshfet për t’i liruar disa vetura të sekuestruara, në një lëndë penale, të cilën ajo e ka pasur në hetime. Sipas prokurorisë, prokurorja Badivuku kishte kërkuar ryshfet në shumën prej 22.000 euro, përmes ndërmjetësuesve dhe pas dorëzimit të shumës në fjalë, si prokurore e rastit ka përpiluar kërkesën për lirim të automjeteve.

Gjatë kontrollit në pikë kalimin kufitar në Merdare, ku edhe ishte arrestuar në çantën e prokurores së krimeve të rënda ishte gjetur shuma prej 5.000 euro, të cilat janë pjesë e 22.000 eurove të pranuara ryshfet.

Gjykata Themelore në Prishtinë, pati gjetur Badivukun fajtore nga gjykata për veprat penale për të cilat akuzohej, duke e dënuar atë me  3 vjet burg efektiv, 5 mijë euro gjobë dhe ndalim i ushtrimit të profesionit për tri vjet.   Të akuzuarit tjerë, Isak Smakolli ishte  dënuar me 3.000 euro gjobë, si dhe  Idriz Kelmendi, ishte dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim. / Arbresh.info

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Një vit i suksesshëm përtej pritshmërive
-Advertisement-

Të tjera