Lajme

Prokuroria Speciale i reagon Konjufcës për veriun: Kryeprokurori iu priu rasteve penale ku pati arrestime

Autori: Gazeta inFokus 16:20 | 09 December 2022

Prokuroria Speciale ka reaguar ndaj kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pasi ky i fundit e ka akuzuar për mosveprim ndaj bandave kriminale në veri, siç e ka quajtur “njeriun kryesor të drejtësisë në Kosovë, që po dëshiron tash të bëhet kryeprokuror”. Prokuroria thotë se në disa raste Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale ka udhëhequr rastet penale në veri ku ka pasur edhe arrestime.

Prokuroria Speciale thotë se prokurorët kompetent në veri kanë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore, duke i dhënë policisë autorizime për arrestime.

“PSRK si autoritetet kompetent për hetimin e veprave penale, në grupin e të cilave bëjnë pjesë edhe vepra penale të cilat janë kryer në pjesën veriore të Kosovës siguron opinionin publik se për këto raste prokurorët kompetent kanë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore siç përcaktohet me legjislacionin në fuqi, duke ju dhënë autorizimet e nevojshme policisë që të ndërmarrin të gjitha veprimet hetimore, përfshirë edhe arrestimet sipas urdhër arresteve të lëshuara për të gjithë personat që janë si të dyshuar në këtë dosje hetimore”.

-Advertisement-

“Siç përcaktohet me legjislacionin në fuqi prokuroria i udhëheq hetimet dhe mbikëqyrë punën e policisë gjatë hetimit, ndërsa veprimet tjera në bazë të urdhrave dhe autorizimeve të prokurorisë ndërmerren nga organet hetimore të policisë”.

Prokuroria thotë se ajo nuk bënë deklarata publike për punën e saj, por qëllimi i punës së saj është sundimi i ligjit.

“PSRK njofton publikun e gjerë, se prokuroria për punën e saj nuk bën deklarata publike për veprimet hetimore që ndërmerr për rastet që ka në hetime, e këtë nuk e ka bërë as kur vet Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës personalisht ka dal në vendin e ngjarjes kur janë sulmuar policia e Kosovës në veri, sepse konsideron se sundimi i rendit dhe ligjit në secilin cep të vendit, është qëllimi i punës së prokurorisë, e jo publikimi i veprimeve hetimore të asnjë rasti hetimor”.

Megjithatë Prokuroria thotë se ka trajtuar shumë raste penale që kanë ndodhur në veri të Kosovës, disa prej të cilave kanë rezultuar me arrestime, aktakuza, dhe shumë prej tyre janë ende në shqyrtime gjyqësore.

“Disa prej këtyre rasteve janë të shënjestruara nga Ekipi i Përbashkët për Përzgjedhjen dhe Shenjëstrimin e Krimeve te Rënda të cilin e udhëheq Kryeprokurori i PSRK-së”, ka deklaruar prokuroria në kundërpërgjigje ndaj Konjufcës.

PSRK thotë se është tërësisht e angazhuar për të siguruar që të gjitha rastet penale në kompetencë ligjore të prokurorisë, të trajtohen në mënyrë profesionale dhe me efikasitetin më të lartë.

Ajo ka ftuar të gjitha institucionet që të përmbahen nga deklarimet rreth rasteve penale, veçanërisht ato që janë në fazën e hetimeve.

“Deklarime të tilla përveç se dëmtojnë imazhin e prokurorisë në sytë e publikut, por jo vetëm, mund të krijojnë pasiguri për qytetarët dhe inkurajim për të gjithë personat e përfshirë në aktivitete të kundërligjshme kriminale”.

Në një intervistë për RTV Dukagjinin, Konjufca duke aluduar në kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, ka thënë se ai e ka dosjen e plotë për të gjitha veprimet e bandave kriminale që veprojnë në veri dhe prapë se prapë, sipas tij nuk ndërmerr asnjë veprim.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera