Prokuroria propozon një dëshmitar në gjykimin ndaj Enver Sekiraqes, seanca ndërpritet në mungesë të avokates së të akuzuarit
Autori: Gazeta inFokus
13:09 | 07 Dhjetor 2023
Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj Enver Sekiraqës, i cili po akuzohet për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, prokurori special Shpetim Peci, ka njoftuar gjykatën se përmes një parashtrese do të propozojë që në cilësi të dëshmitarit të dëgjohet Arben Selmani, si njëri ndër shokët kryesor të të ndjerit Riza. Ndërsa, seanca u ndërpre në mungesë së mbrojtëses së Sekiraqes, avokates Kosovare Kelmendi.
Fillimisht, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Agim Kuçi, ka bërë të ditur se avokatja Kelmendi përmes një parashtrese, sot para fillimit të këtij shqyrtimi gjyqësor ka njoftuar gjykatën se nuk është në gjendje të mirë shëndetësore, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në anën tjetër, prokurori special Shpetim Peci ka njoftuar se gjykatës do t’i paraqes një parashtresë, ku do të propozohet që në cilësi të dëshmitarit të dëgjohet Arben Selmani, i cili tha se jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai tha se Prokuroria ka arritur që të sigurojë adresën dhe kontaktin e Selmanit, e që dëgjimi i tij mund të bëhet edhe përmes video-linkut.
Për këtë propozim, prokurori tha se edhe pse janë në fazën e fjalës përfundimtare dhe në seancën e mëhershme gjykata ka përfunduar procedurën e provave dhe se e mbështesin në dispozitën e nenit 355 të Kodit të Procedurës Penale, i cili përcakton se gjykata mund ta bëjë një gjë të tillë në rastet kur çmon se mund të merren prova të reja.
Sipas tij, dëshmitari Selmani mund të tregojë lidhjet që ka pasur me të ndjerin Triumf Riza, pasi që ka qenë njëri ndër shokët kryesor të tij dhe mund të shpjegojë faktet që i ka mësuar nga i ndjeri për problemet e mëhershme që i ndjeri i ka pasur me të pandehurin Enver Sekiraqa, e që janë derivat i ditës kritike.
“Po ashtu, i njëjti do të na shpjegojë dhe do t’i shpjegojë edhe gjykatës problemin e mëhershëm në ‘Swiss Cazino’, kanosjet, presionin, përcjelljet që ka pasur nga grupi i ashtuquajtur “Sekiraqa”, e po ashtu do na shpjegojë edhe historitë dhe të dhënat që ka mësuar nga tani i ndjeri Triumf Riza”, ka thënë prokurori Peci.
Ai tha se dëgjimi i këtij dëshmitari është i nevojshëm për të mbështetur dhe forcuar bazën provuese që ndërlidhin të pandehurin me kryerje të veprës penale.
“Bashkëngjitur, kësaj parashtrese ju do të gjeni edhe një deklaratë me shkrim që dëshmitari e ka dhënë para pjesëtarëve të Policisë në atë kohë ndërkombëtarë, ku faktet e njëjta pritet që t’i rikonfirmojë edhe një herë në rast se aprovohet propozimi i kësaj Prokurorie për dëgjimin e këtij dëshmitari”, ka shtuar tutje prokurori Peci.
Lidhur me këtë, i akuzuari Enver Sekiraqa ka thënë se prokurori po e luan rolin e gjykatësit.
“Unë sa mujta me dëgju dhe me kuptu prokurorin, ky u thirr se ka drejtë trupi gjykues, ky po don me rujt rolin e gjykatësit, ju me pas parasysh këtë punë dhe me pas pa të nevojshme e kishit thirrë vetë, s’e kishit lanë prokurorin”, ka thënë Sekiraqa.
Ai tha se koha e dëshmitarëve ka përfunduar dhe se tani është faza e dhënies së fjalës përfundimtare.
“Unë me sa di koha e dëshmitarëve ka përfundu, është mbyll qysh moti, ne kemi shku në faza shumë më larg se me dëgju dëshmitarë tash. Tash e ka fjalën përfundimtare prokurori, avokatja dhe është verdikti. Kjo puna e dëshmitarëve nuk është që 17 ditë, ne jemi në gjykatë tu u sorollat poshtë e nalt që 17 vite…S’ka çka thotë kurgjo të re ai, veç mujna me hup kohë”, ka thënë i akuzuari Sekiraqa.
Kurse, i dëmtuari Shefqet Riza është pajtuar me mendimin e prokurorit, që në cilësi të dëshmitarit të dëgjohet Arben Selmani, duke thënë se “meqenëse ka qenë i frikësuar është mirë që tash nuk po frikësohet, tash ka shpreh dëshirën vetë ai. Ditën e dytë, pas vrasjes së Triumfit ai ka ikë ka shku në Amerikë”.
Lidhur me këtë propozim, gjykatësi Kuçi tha se trupi gjykues do të vendos pas pranimit të parashtresës nga prokurori special, e cila parashtresë do t’i përcillet edhe avokates mbrojtëse, e cila do të përgjigjet lidhur me këtë propozim, duke obliguar prokurorin që gjykatës t’i sigurojë informata lidhur me mundësinë e kontaktit në rast të aprovimit eventual të këtij propozimi.
Në këto rrethana, për shkak të mungesës së avokates Kelmendi, seanca e sotme është ndërprerë.
Të mbyllura për publikun kanë qenë seancat e 2 majit, ajo e 15 majit, si dhe seanca e 6 korrikut 2023. Ndërsa, seanca e datës 11 korrik 2023 ishte i hapur për publikun pas tri seancave të mbyllura.
Edhe në seancën e 27 tetorit 2022, ishte mbyllur për publikun dëshmia e Adelina, Ema dhe Zanfina Ismailit, të cilat do të dërgjoheshin përmes video-lidhjes.
Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të dytë më 16 shtator 2019, e kishte shpallur fajtor Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe i kishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vitesh.
Mirëpo, Gjykata e Apelit më 6 mars 2020, kishte vendosur të aprovojë ankesën e mbrojtjes së Sekiraqës duke e kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim, pasi sipas Apelit aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale.
Sekiraqa për të njëjtin rast ishte dënuar edhe më 17 maj 2016, për dy vepra penale për “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe për veprën “detyrimi” me dënim unik prej 37 viteve burgim, kurse ishte liruar për veprën penale “dhunimi”.
Gjykata e Apelit, më 24 tetor 2017, kishte mbajtur një seancë dëgjimore lidhur me caktimin e masës së sigurisë ndaj Enver Sekiraqës, pasi e njëjta gjykatë më 19 tetor, në orët e mbrëmjes, e kishte liruar nga paraburgimi atë dhe ndaj tij kishte shqiptuar masën e arrestit shtëpiak.
Për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij, kishin votuar tri gjykatëset e Apelit, dy nga radhët e EULEX-it, Elka Ermenkova dhe Anna Adamska-Gallant, si dhe gjykatësja vendore Mejreme Memaj.
Por, kjo gjykatë, pas vetëm dy ditësh, kishte vendosur që sërish ta rikthej në paraburgim, Enver Sekiraqën dhe për këtë, shkak ishte bërë një fotografi e publikuar në rrjetin social, nga miqtë që e kishin vizituar atë pas lirimit nga paraburgimi.
Me këtë, gjykata e shkallës së dytë, kishte vlerësuar se Enver Sekiraqa ka shkelur masën e arrestit shtëpiak, që i ishte caktuar.
Ndryshe, në seancën e Gjykatës së Apelit, e cila ishte mbajtur më 6 shtator 2017, ku ishin shqyrtuar pretendimet ankimore të palëve, Enver Sekiraqa, kishte kërkuar që të lirohet nga paraburgimi dhe të mbrohet në liri.
E si garancion për lirimin e tij, Sekiraqa kishte ofruar pasurinë e tij, përfshirë shtëpinë, lokalin dhe një shumë parash, të cilat kishte thënë se do t’i mblidhte me ndihmën e familjes.
Prokurorja ndërkombëtare e Prokurorisë së Apelit, Anca Stan, në seancën e 6 shtatorit të kolegjit të Apelit, kishte deklaruar se përveç pretendimeve në ankesë nuk kishte çfarë të shtonte tjetër, por e njëjta kishte thënë se kërkesa e palës mbrojtëse që të përjashtohen disa nga provat kruciale janë të gabuara.
Në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqës për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.
Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Sëiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.
Incidenti në “Sëiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.
Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa ishte dënuar me 37 vjet burgim.

T� tjera
-
Kthimi i Arlindës në shtëpi, avokatja ngre shqetësime për deklarimet e policisë: Nuk ka qenë vullneti i saj
Avokatja e të ndjerës Arlinda Zekaj, Adelina Hoxha, ka ngritur shqetësime lid...
-
Ramadani: Kur shteti nuk e mbron një grua, kush mban përgjegjësi për jetën e saj?
Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka reaguar për rastin e gruas nga Vitomi...
-
Projeksioni i fundit me 96% të mostrës: Lista studentore 140 mandate, Koalicioni Shqiptar dy
Koalicioni Shqiptar ka siguruar dy mandate në Kuvendin e Serbisë, sipas proje...
-
Byroja për konfiskimin e pasurisë në rend dite të dy komisioneve parlamentare
Dy komisione parlamentare do të shqyrtojnë sot çështje që lidhen me Projektli...
-
Vrasja e gruas në Vitomiricë të Pejës, kunati i dyshuar ende në arrati
Një grua u gjet e vdekur të dielën mbrëma në shtëpinë e saj në Vitomiricë të ...
-
Mblidhet Kryesia e Kuvendit, në rend dite projektligji për buxhetin e vitit 2026
Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mblidhet sot, më 26 tetor, me fillim nga ...
-
Le’tra tronditëse që Arlinda Zekaj ia dorëzoi Prokurorisë tri ditë para se të vritej
“Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni ...
-
Kurti uron “Koalicionin Shqiptar” për rezultatin në zgjedhjet në Serbi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka uruar “Koalicionin Shqiptar” për rez...
-
Ky është i dyshuari për vrḁsjen me sëpatë të kunatës në Pejë – viktimḁ ishte kthyer nga Policia në shtëpi vetëm pak minuta para krimit
Gazeta Sinjali ka siguruar identitetin e personit të dyshuar për vrasjen brut...
-
Tragjedia në Vitomericë/ Avokatja zbulon fjalët e fundit të Arlindës, që u vra nga kunati me sopatë: “Nuk më duhet jeta pa djalin”
Avokatja Adelina Hoxha ka reaguar pas vrasjes së Arlindës, e cila dyshohet se...
-
CRTA: Lista Studentore kryeson me 51,47 për qind të votave
Lista Studentore kryeson në zgjedhjet parlamentare në Serbi me 51,47 për qind...
-
Burri nga Deçani e vret në Vitomericë kunatën e tij
Një ngjarje e rëndë dyshohet se ka ndodhur në Vitomericë të Pejës, ku një bur...






























