Lajme

Prokuroria kërkon paraburgim për personin që dyshohet se përfitoi 60 mijë euro përmes lojërave të fatit në Gjakovë

Autori: Gazeta inFokus 18:56 | 10 August 2022

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka paraqitur kërkesë në Gjykatën kompetente për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit F.M., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, si dhe, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, raporton Gazeta Sinjali.

Përmes një komunikate për media, Prokuroria njofton se, “i pandehuri F.M., nga data e pavërtetuar e deri më 02 gusht 2022 në një kafiteri në Gjakovë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, dhe duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Ndalimin e Lojërave të Fatit, organizon dhe merr pjesë në zhvillimin e veprimtarisë së lojërave të fatit – baste sportive, ku nga bastet e luajtura nga Sh. H., i pandehuri përfiton para në shumën prej 60.000 (gjashtëdhjetë mijë) euro”.

Me këto veprime, sipas prokurorisë, ka kryer veprën penale, “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” nga neni 294 paragrafi 3 lidhur me paragrafi 2 të KPRK-së.

-Advertisement-

“Gjithashtu, i pandehuri F.M., më parë e deri më 09 gusht 2022, pa autorizim, ka mbajtur armë dhe municion në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, ku të njëjtat i janë konfiskuar nga ana e policisë. Me këto veprime ka kryer veprën penale, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 2 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Prokurori i rastit ndaj të pandehurit F.M., ka kërkuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Edhe dy medalje të arta – Viva Fresh, lider në cilësi, produkte dhe shërbime në Kosovë
-Advertisement-

Të tjera