Lajme

Prokuroria kërkon dënimin e të akuzuarve për vrasjen e trefishtë në Kaçanik, mbrojtja thotë se s’ka prova

Autori: Gazeta inFokus 19:00 | 03 May 2023

Prokuroja speciale Fikrije Krasniqi-Fejzullahu ka kërkuar dënimin e Afet dhe Agron Dalloshi, të akuzuar se me 40 fishekë kishin vrarë tre persona e kishin lënduar, ndërsa mbrojtja thotë se s’ka prova për këtë rast.

Këto deklarime, prokurorja Krasniqi-Fejzullahu dhe mbrojtësi i të akuzuarit Agron Dalloshi, avokati Ahmet Ahmeti i bënë në seancën e së mërkurës, gjatë dhënies së fjalës përfundimtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fjalën e tyre përfundimtare, prokurorja Krasniqi-Fejzullahu dhe avokati Ahmeti e dorëzuan me shkrim, por që të njëjtën e elaboruan në seancë.

-Advertisement-

Në fjalën e saj përfundimtare, fillimisht prokurorja Krasniqi-Fejzullahu ka thënë se ky rast është jo i zakonshëm si rastet e tjera që në parim merret gjyqësori për faktin se sipas saj kemi të bëjmë më një aktakuzë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) për shkak të disa pasojave ligjore që kishin rezultuar na ky proces gjyqësorë.

Ajo tha se sipas kësaj aktakuze, PSRK-ja kishte ngritur aktakuzë edhe kundër tani të ndjerit Nysret Cena por qysh në procedurën e konfirmimit të atëhershëm, aktakuza ndaj tij ishte refuzuar sepse lidhur me të kishte pasur një çështje të formës së prerë për të njëjtin rast.

Sipas prokurores Krasniqi-Fejzullahu, ky gjykim ka qenë vërtetë një gjykim maratonik për faktin se kjo çështje penale jo vetëm që ishte voluminoze, e ndërlikuar dhe jo e zakonshme, kishte në brendësinë e vet një numër të madh të dëshmitarëve, që sipas prokurorisë do të duhej të kategorizoheshin në grupacione të caktuara.

“Sepse kjo aktakuzë ishte paraqitur nga besueshmëria e Prokurorisë Speciale në raport me dëshmitë e dy dëshmitarëve tani më të gjykuar për të njëjtën çështje penale, që pas një periudhe kohore, realisht kishin vendosur që me vullnetin e tyre të zbardhini një të vërtetë, e për të cilën mos zbardhje dhe mjegullnajë që i ishte hedhur organeve të ndjekjes dhe gjyqësorit në procedurat e më hershme, vetvetiu kanë pranuar se një pjesë të madhe të fajit e kishin edhe ata”, tha prokurorja Krasniqi-Fejzullahu, duke iu referuar dëshmive të dëshmitarëve Besnik Hasani dhe Shpend Qerimi tani më të dënuar me 33 vite burgim për këtë rast.

Prandaj, edhe fjalën e saj përfundimtare prokurorja Krasniqi-Fejzullahu tha se në parim e ka fokusuar pikërisht në dëshmitë e këtyre dy dëshmitarëve.

“Që në sy të palëve tjera dhe të opinionit mund të tingëllojnë si dëshmi jo kredibile etj etj, duke pasur parash faktin e pozitës së tyre tashmë të gjykuar për të njëjtën vepër penale, jo rastësisht thash se kemi të bëjmë me një numër të madh të dëshmitareve dhe përfqesusëve të palëve të dëmtuara”, ka thënë tutje prokurorja.

E që sipas saj kemi te bëjmë me dëshmitarë që janë të ndërlidhur me dëshmitarët Besnik Hasani dhe Shpend Qerimi, dëshmitarë nga familjet e të dëmtuarve si dhe dëshmitarë që në një mënyrë apo tjetrën në vazhdimësi kishin pasur raporte me të dy grupacionet edhe me tani të akuzuarit Agron dhe Afet Dalloshi përfshirë edhe tani të ndjerin Nysret Cenën.

“E di që nuk është korrekte të përmendët kohë pas kohe tani i ndjeri Nysret Cena jo për faktin që tani ai nuk është më, por për faktin se për të njëjtin kemi aktgjykim të formës së prerë por pavarësisht kësaj edhe një herë po e potencoj që sipas rrethanave dhe fakteve indirekte ose rrethanore pikërisht mos interesimi dhe qasja e gabuar e mbrojtjes së tani dëshmitarëve Besnik Hasani dhe Shepnd Qerimi mund të ketë qene njëri prej indikatorëve të besueshëm që fati i tani të ndjerit Nysret Cena të përfundonte pafajin e organeve të ndjekjes dhe gjykatave në një status me aktgjykim të formës së prerë”, ka thënë tutje prokurorja.

E njëjta ka thënë se është hera e parë e saj që në një seancë gjyqësore fjalën e saj përfundimtare ta përpiloj, ta konceptoj ose përqendroj në një storie, në një ngjarje, sepse sipas saj në rastin konkret për shkak të pazakonshmërisë së rastit shumë çka që administrohet dhe vlerësohet në procedura tjera këtu më nuk e ka efektin.

Gjithashtu, prokurorja Krasniqi-Fejzullahu ka thënë se si pikë vështrimi i fjalës së saj përfundimtare është edhe takimi i tani të akuzuarit Afet Dalloshi me Besnik Hasanin në burgun e Dubravës.

Sipas saj, versioni i dëshmisë së Besnik Hasanit të dhënë në prokurori dhe në këtë gjykatë është i mjaftueshëm që të vërtetohet gjendja faktike siç është përshkruar në aktakuzë.

“Sepse kemi pasur një vizitë të të akuzuarit Afet Dalloshi në Burgun e Dubravës dhe sipas dëshmitarit Besnik Hasani dhe Shpend Qerimi, ajo vizitë ishte bërë për shkak se kishin pasur jo vetëm raporte paraprake dhe që i lidhte edhe një biznes paraprak me fermën në fshatin Rakaj, por që në një mënyrë iu kishin mbetur “disa hesape të paqëruara”, për çka Afet Dalloshi mori përsipër që të bëjë riparimin dhe ri rregullimin e një situate për çka edhe ishin marr vesh me Besnik Hasanin”, tha prokurorja Krasniqi-Fejzullahu.

Sipas saj, ajo çka e bënë akoma më të besueshme dëshminë e Besnik Hasanit dhe Shpend Qerimit është fakti se të dy nuk kanë përjashtuar fare vetën e tyre nga ky rast.

“Prokuroria e konsideron se e tërë ngjarja e shpjeguar nga ana e Besnik Hasanit në përgjithësi, e në veçanti edhe nga dëshmia e dëshmitarit Shpend Qerimi dhe provave tjera rrethanore të cilat logjikshëm do të ndërlidheshim bien në një konkludim logjik që natën kritike nuk ishin pjesëmarrjes vetëm Besnik Hasani dhe Shpend Qerimi por që ne këtë situate rolet ose veprimet deri tek akti final me pasoja vdekje vinin edhe nga tani te akuzuarit tani prezent”.

Kjo sepse sipas prokurores Krasniqi-Fejzullahu veprimet e dëshmitarëve Besnik Hasani dhe Shpend Qerimi janë sqaruar në mënyrë bindëse se aq sa ata kishin pasur njohuri për rastin, sulmi ndaj N.B me të cilin kishin pasur probleme nuk ishte e planifikuar që të bëhej ndonjë vrasje, por që të sulmohej ose t’i shkaktohej ndonjë lëndim i madh eventuale.

“Dhe se detyra e tyre ka qenë pikërisht organizimi i këtij plani që të akuzuarit të njoftoheshin për momentin kur N.B të dilte nga restoranti “Mani” dhe të nisej për fshatin e tyre”, tha tutje ajo.

Provë që sipas prokurores dëshmon qartë se edhe i akuzuari Agron Dalloshi ka qenë pjesëmarrjes në kryerjen e kësaj vepre është dëshmia e dëshmitarit Sadush Duvolli i cili sipas saj, ka thënë se në kohën kur është kryer vepra penale Agron Dalloshi nuk ka qenë në vendin e tij të punës.

Në fund ajo i ka propozuat gjykatës që të njëjtit të shpallën fajtor pasi që sipas saj mjaftueshëm është arritur të vërtetohet se të njëjtit ishin bashkëveprues, bashkëpjesëmarrjes në vrasjen e trefishtë me Besnik Hasanin e Shpend Qerimin.

Po ashtu, e njëjta i ka propozuar gjykatës që sipas Kodit të Ri të Procedurës Penale të caktohet edhe një seancë lidhur me vendimin mbi dënimin.

Fjalën e saj përfundimtare e përkrahën edhe mbrojtësi i viktimave Arlind Popaj dhe të dëmtuarit Menduh, Hasan, Imer, Bujar e Arben Baftiu.

Mbrojtësi i viktimave Popaj dhe i dëmtuari Arben Baftiu, propozuan që të akuzuarit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit.

“Kërkesa e jona familjare që këta te dënohen në bazë të ligjit me një dënim maksimal, por ne jemi humbës për shkak se të afërmit tanë kanë vdekur dhe këtyre të ju jepet një dënim që ne të ndihemi pak më të lehtësuar” , tha i dëmtuari Arben Baftiu.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Agron Dalloshi, avokati Ahmeti në fjalën e tij përfundimtare ka thënë se ka pritur nga prokurorja e çështjes që të heq dorë nga kjo akuzë, pasi që sipas tij, në këtë çështje penale nuk ka prova qoftë materiale po formale.

I njëjti ka thënë se aktakuza në fjalë është e pa qartë, është kundërthënëse, jo reale dhe e pa mbështetshme në prova.

“Dhe pas përfundimit të hetimit është ngritë një aktakuzë pa prova, pa mbështetje” ka avokati Ahmeti.

Po ashtu, sipas tij në ketë çështje penale kemi të bëjmë me një rast “res iudicata” (çështje e gjykuar) ku Besnik Hasani dhe Shpend Qerimi janë shpall fajtor dhe janë dënuar, ndërsa Nysret Cena është liruar nga akuza.

Sipas tij, prokuroria po ashtu nuk ka ofruar prova se i mbrojturi i tij kryer veprat penale të cilat i vihen në barrë dhe shtoi se në këtë çështje penale nuk ka dëshmitarë okular.

“Kështu që nuk kemi një skelet te duhur të aktakuzës e mos te flasim për m ‘veshjen e saj”, tha tutje Ahmeti.

Sa i përket veprave penale të vrasjes dhe tentim vrasjes avokati Ahmeti i propozoi gjykatës që i mbrojturi i tij Agron Dalloshi të lirohet nga akuza, ndërsa për veprën penale të armëmbajtjes sipas tij, kemi të bëjmë me parashkrim dhe për këtë pjesë ai propozoi që të refuzohet akuza.

Fjalën e tij përfundimtare e ka përkrahur i akuzuari Agron Dalloshi i cili deklaroi se ndihet i pafajshëm për akuzat ndaj tij.

Ai tha se nuk ka qenë pjesë e grupacioneve që prokuroria pretendon, dhe se me të dëmtuarit i ka lidhur koha e luftës pasi që janë të një rrethi.

Përshëndetjen me Besnik Hasanin e kam bërë vetëm për shkak të shokëve që ka qenë në restorant dhe që ka qenë polic i Kosovës, përshëndetje si të gjithë policive, ndërsa Spend Qerimin nuk e kam njohur kurrë, veç kur jam akuzu e kam parë në sallë të gjykimit si dëshmitar në këtë gjykim dhe në atë të mëparshmin”, tha i akuzuari Agron Dalloshi.

Ndërsa, sipas tij, sjellja e Sadush Duvollit si dëshmitarë në këtë gjykim është bërë manipulim me të njëjtin.

Kurse, mbrojtësja e të akuzuarit Afet Dalloshi avokatja Kosovare Kelmendi, tha se fjalën e saj nuk e ka përgatitur me shkrim por e njëjta ishte në gjendje që ta paraqes direkt në procesverbal, duke shtuar se kjo paraqitje asaj do t’i merrte kohë më shumë se një orë.

Por, meqenëse ishte përfundimi i orarit për pjesën e paradites dhe trupi gjykues ishin të angazhuar në një shqyrtim tjetër pasdite, e po ashtu sipas propozimit të prokurores Krasniq-Fejzullahu për caktimin e një seance lidhur me vendimin për dënimin, seanca e sotme u ndërpre dhe e njëjta u caktua më 2 qershor 2023.

Në lidhje me këtë rast, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë më 2 nëntor 2009 ndaj të akuzuarve Besnik Hasani, Shpend Qerimi dhe Nysret Cena, për veprat penale të vrasjeve, kurse ndaj Hasanit dhe Qerimit edhe për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

Lidhur me këtë, Gjykata e Qarkut në Prishtinë, me aktgjykimin e 7 shkurtit 2011, të akuzuarit Hasani dhe Qerimi i ka shpallur fajtorë, duke iu shqiptuar dënim me burgim afatgjatë, çdonjërit nga 33 vite, kurse të akuzuarin Nysret Cena e ka liruar nga aktakuza në mungesë të provave.

Pas shpalljes së këtij aktgjykimi, i akuzuari Hasani ka dashur të japë deklaratë në prokurori lidhur me vrasjet e datës në mes 27 e 28 shtatorit 2007, andaj prokuroria pas dëgjimit të tij, kishte ngritur aktakuzë më 13 shtator 2011 ndaj Nysret Cenës, Agron Dalloshit dhe Afet Dalloshit.

Ndërsa, të akuzuarit Agron Dalloshi e Afet Dalloshi akuzohen se sipas marrëveshjes paraprake të tyre dhe Shpend Qerimit, më 28 shator 2007, rreth orës 00:10-20, për shkak se Nysret Cena kishte pasur fjalosje me N.B. për shkak të një borxhi dhe i akuzuari Afet Dalloshi kishte pasur fjalosje më parë me N.B., për një vajzë, ashtu që me qëllim që të privojnë nga jeta atë, i akuzuari Afet Dalloshi me veturën e tipit “Audi A4” pronë e Nysret Cenës, ka bartur Nysret Cenën dhe të akuzuarin Agron Dalloshi, që të dy të armatosur me pushkë automatike, deri tek ura mbi lumin Lepenc në fshain Soponicë, ku kanë zënë vend afër gardhit të gjallë.

Tutje në aktin akuzues thuhet se sipas marrëveshjes të akuzuarit Besnik Hasani e Shpend Qerimi, me veturën e të akuzuarit Afet kanë shkuar në restorantin “Mani” i cili ndodhet në magjistralen Ferizaj-Kaçanik, për të parë momentin kur N.B. do të hyjë në veturën e tij për të shkuar në shtëpi, ashtu që me të rëna të borisë së veturës të informojnë Nysret Cenën dhe të akuzuarin Agron se N.B. ka arritur te ura mbi lumin Lepenc.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në veturë të N.B. kanë qenë edhe S.B., U.B. dhe Bujar e Safik Baftiu, dhe i akuzuari Agron me Nysret Cenën, kur e kanë parë veturën, me dashje që t’i privojnë nga jeta, me pushkë automatike kanë shtënë me rafalë të gjata 40 fishekë.

Tutje, thuhet se N.B., është goditur me shumë predha në anën e djathtë të trupit dhe me një predhë në anën e djathë të kokës dhe ka ardhur deri te vdekja e tij, ndërsa S.B. dhe U.B. për shkak të dëmtimit të zemrës, mushkërive dhe mëlçisë kanë vdekur, ndërsa Bujar Baftiu nga predha e goditur ka pësuar lëndime të rënda trupore të rrezikshme për jetë, kurse Sadik Baftiu ka shpëtuar i palënduar.

Me këtë, të akuzuarit Agron dhe Afet Dalloshi, në bashkëkryerje me të akuzuarit Besnik Hasanin, Shpend Qerimin dhe Nysret Cenën sipas aktit akuzues kanë kryer veprat penale: të vrasjes së rëndë nga neni 147, paragrafi 1, nënparagrafi 3.9 dhe 11 lidhur me nenin 23 të Kodit Penal të Kosovës dhe veprën penale të vrasjes së rëndë në tentativë nga neni 147, paragrafi 1, nënparagrafi 3 e 11 lidhur me nenin 20 dhe 23 të Kodit Penal të Kosovës.

Në dispozitivin e dytë, të akuzuarit Nysret Cena dhe Agron Dalloshi thuhet se më 27 dhe 29 shtator 2007, pa autorizim kanë poseduar dhe bartë çdo njëri nga një pushkë automatike “AK-47”, me ç’rast me ndihmën e tyre, tek ura e lumit Lepenc në fshatin Soponicë, privuan nga jeta N.B., S.B. dhe U.B., kurse tentuan të privojnë nga jeta edhe Sadik dhe Bujar Baftiun.

Me këtë sipas aktakuzës, kanë kryer çdonjëri veç e veç veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim ose në shfrytëzim të paautorizuar të armëve” nga neni 328, paragrafi 2 të KPK-së.

Por që me aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale më 5 mars 2012, është ndryshuar përshkrimi i dispozitivit të aktakuzës së 13 shtatorit 2011, ashtu që sa u përket veprave penale nën pikën I të aktakuzës, Nysret Cena nuk e kishte cilësinë e të akuzuarit. 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shijoni eksperiencën e re të blerjes në Meridian Express x EXFIS!

Të tjera