Lajme

Prokuroria kërkon dënimin e të akuzuarit për vdekjen e punëtorit në vendpunishte, mbrojtja lirimin e tij

Autori: Gazeta inFokus 17:58 | 10 February 2023

Prokurori Eset Rama në fjalën përfundimtare të dhënë të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka kërkuar dënimin e të akuzuarit Zaim Ilazi, ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Mentor Neziri ka kërkuar lirimin e tij.

Ilazi akuzohet se në vitin 2006, në cilësinë e pronarit të firmës ndërtimore “Besimi” nuk ka siguruar vendin e punës, ku është rrëzuar punëtori tani i ndjeri A.B dhe nga lëndimet e marra ka humbur jetën, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Porkurori Rama, në fjalën e tij përfundimtare tha se mbetet në tërësi pranë aktakuzës dhe konsideron që gjatë shqyrtimeve gjyqësore nga administrimi i provave është vërtetuar bindshëm se i pandehuri e ka kryer veprën penale.

-Advertisement-

Andaj, i njëjti gjykatës i ka propozuar që të akuzuarin ta shpall fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit.

Në anën tjetër, avokati Neziri gjykatës i ka propozuar që ta lirojë të mbrojturin e tij.

Sipas tij, nga provat personale dhe materiale, në asnjë mënyrë nuk është vërtetuar se i akuzuari ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Fjalët e mbrojtësit të tij, avokatit Neziri i ka përkrahur edhe i akuzuari Ilazi.

Ndryshe, fjala përfundimtare është dorëzuar me shkrim nga prokurori Rama dhe mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Neziri.

Gjykatësi Eroll Gashi, me rastin e dhënies së fjalës përfundimtare e shpalli të mbyllur shqyrtimin gjyqësor dhe me 14 shkurt të këtij viti njoftoi se do të bëhet edhe shpallja e aktgjykimit.

Sipas aktakuzës së ngritur në shkurt të 2008-ës, nga Prokuroria e Qarkut në Prishtinë, Zaim Ilazi po akuzohet se më 10 nëntor 2006, në rrugën “Lidhja e Prizrenit” në Fushë-Kosovë në cilësinë e pronarit të firmës ndërtimore “Besimi”, nuk ka krijuar kushte për siguri në punë dhe mbrojtje të shëndetit të punëtorëve.

Në aktakuzë thuhet se objekti nuk ka qenë i siguruar, ku si shkak nga një lartësi prej 12 metrave është rrëzuar tani i ndjeri A.B, i cili pas lëndimeve të marra ka vdekur.

Me këtë, Ilazi po akuzohet se kryer veprën penale “Punimet ndërtimore të kundërligjshme” nga neni 294, paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të Kodit të Përkohshëm Penal, vepër kjo e dënueshme  me burgim prej një deri në tetë vjet.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Gjermani shpalos koleksionin e produkteve të reja në panairin Heimtextil në Frankfurt
-Advertisement-

Të tjera