Lajme

Projektligji për faljen e gjobave gjatë pandemisë COVID-19, Nushi: Përjashtohen partitë politike dhe bizneset e mëdha

Autori: Gazeta inFokus 13:44 | 05 October 2022

Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale sot ka shqyrtuar në parim projektligjin për faljen e masave ndëshkimore të vendosura gjatë periudhës së pandemisë, COVID-19.

Qëllimi i këtij projektligji është falja e masave ndëshkimore të shqiptuara nga institucionet e Kosovës si dhe përcaktimi i procedurave në lidhje me formën e këtyre masave.

Propozuesi i kësaj nisme qytetare, Nol Nushi tha se ky projektligj ka ardhur në qershor të vitit 2021 dhe sipas tij, është proceduar me vonesë në këtë komision.

-Advertisement-

Ai tha se ky projektligj përjashton bizneset e mëdha dhe partitë politike.

“Nisma legjislative për faljen e gjobave gjatë pandemisë. Nismë legjislative prej 10 mijë nënshkrimeve. Projektligji është dorëzuar në qershor të vitit 2021. Dhe për herë të parë po e trajtojmë këtë projektligj. E kam një kritikë për vonesën e këtij projektligji…Shkelja flagrante e këtij ligji në fushatën e famshme në vitin 2021, na ka nxit neve si qytetarë që të kërkojmë faljen e gjobave ndaj qytetarëve. Nga ky projektligj përjashtohen nga falja, bizneset e mëdha dhe partitë politike, të cilët në momentin e parë kur erdhën në fushatë, ata e bën shkeljen flagrante të këtij ligji”, ka thënë Nushi.

Ndërsa shtoi se në bazë të të dhënave të Policisë së Kosovës 329 qytetarë të Kosovës janë ndëshkuar në bazë të këtij ligji.

E kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Fatmire Kollcaku tha se ky projektligj e ka humbur kuptimin.

Ajo konsideroi se me faljen e gjobave po bëhet një precedant në rrezik të shëndetit publik.

Ndërsa, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu kritikoi që ky projektligj ka ardhur me vonesë në Komisionin e Shëndetësisë.

Sipas tij, ardhja e këtij projektligji me vonesë në këtë komision përbën shkelje ligjore.

“Ardhja e këtij projektligji me këtë vonesë në këtë komision përbën shkelje ligjore. Kushdo dhe sado që ta kenë mbajtur në sirtarët e zyrat e tyre kanë bërë shkelje ligjore. 15 ditë ka qenë koha e verifikimeve të nënshkrimeve nga KQZ-ja dhe 30 ditë periudhë mendim nga qeveria, e të gjitha këto procedura të caktuara me ligj për nisma legjislative janë shkelur. Ka nevojë që ky ligj të shkoj te deputetët dhe të analizohet. Gjobat nuk kanë qenë për të gjithë njësoj. Janë gjobitur qytetarët e janë amnistuar politikanët”, ka thënë Haxhiu.

Deputeti i PDK-së, po ashtu tha se e mbështet këtë projektligj.

“Jap mbështetjen time këtij projektligji që të shqyrtohet në Kuvend dhe ta shqyrtojmë”, tha Haxhiu.

Ndërsa, deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj tha se Ligji për parandalimin dhe luftimin e COVID-19 është zbatuar në mënyrë selektive, andaj kërkoi që Projektligji për faljen e gjobave të vendosura gjatë periudhës së Pandemisë COVID-19, të merret në konsideratë dhe të mbështetet nga pozita dhe opozita.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera