Lajme

Projekti 850 mijë eurosh i Pal Lekajt nuk i largon kolonat e gjata në magjistralen Vushtrri – Mitrovicë

Autori: Gazeta inFokus 20:21 | 01 August 2018

Të mërkurën ministria e Infrastrukturës nënshkroi kontratë për rehabilitimin e rrugës magjistrale Smrekonicë – Mitrovicë.

Përgjatë njoftimit për rregullimin e kësaj rruge, Lekaj tha se me këtë veprim do të eliminohen kolonat e gjata të automjeteve, raporton Gazeta inFokus.

Por, duket se ministri nuk është mirë i informuar për këtë gjë.

-Advertisement-

Kjo pasi që në këtë lokacion nuk është se formohen kolona të gjata. Kryesisht kjo rrugë është e hapur, por kolonat e gjata formohen në hyrje të Vushtrrisë, ku si shkak i mospërfundimit të punëve, rruga ngushtohet nga dy korsi në një dhe rruga Vushtrri – Mitrovicë që do të duhej të bëhej për dikur rreth 25 minuta, ajo shumë herët bëhet më e gjatë se një orë e gjysmë.

Për këtë projekt që buxhetit të shtetit do t’i kushtojë 850 mijë euro, foli zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu.

“Ne këtë investim jemi duke e bërë për rehabilitimin e rrugës që shkon në drejtim të Smrekonicës nga Mitrovica, për arsye se kjo rrugë është shumë e dëmtume. Ne jemi duke e përfunduar projektin i cili e bën zgjerimin e rrugës në drejtim të Mitrovicës nga Lloti i fundit që na ka mbetur nga Vushtrria, por për shkak të vonesave që do të krijohen deri në përfundim të projektit, atëherë ne po e bëjmë rehabilitimin e kësaj rruge, kurse vitin e ardhshëm ne do të hyjmë në projektin e zgjerimit të rrugës”, theksoi ai për Gazetën inFokus.

Kadriu shton se pritshmëritë janë që zgjerimi i plotë i rrugës nga Vushtrria në Mitrovicë të përfundojë deri në fund të 2019’tës.

“Prej Vushtrrisë deri në segmentin e dytë vetëm se është duke u punuar, është kontraktuar. Shpresojmë që dikun në fund të vitit të ardhshëm të përfundojë zgjerimi i kësaj rruge”, theksoi ai. /Gazeta inFokus

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera