Lajme

Profesori i Universitetit të Prishtinës riemërohet në Komisionin e Venecias të Këshillit të Evropë

Autori: Gazeta inFokus 15:49 | 29 September 2022

Profesori i Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës, Qerim Qerimi, është riemëruar për një mandat të dytë si anëtar i Komisionit të Venecias së Këshillit të Evropës, shkruan Gazeta Infokus.

Gjithashtu, Qerimi është zgjedhur nga Komisioni i Venecias edhe si kryesues i Nënkomisionit për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare.

“Në këtë cilësi, ai është anëtar i Byrosë së Zgjeruar të Komisionit të Venecias, organit qeverisës të komisionit. Gjithashtu, profesor Qerimi ka shërbyer si raportues i angazhuar nga Komisioni i Venecias për një numër çështjesh, përfshirë për draft-kushtetutën e Kirgizistanit dhe një numër reformash legjislative të lidhura me Bullgarinë”, thuhet në njoftimin e UP-së.

-Advertisement-

Ndërkaq, emri zyrtar i Komisionit të Venecias është Komisioni Evropian për Demokraci përmes Ligjit dhe ka aktualisht 61 anëtarë. Ky komision është organ këshillëdhënës i Këshillit të Evropës për çështje të lidhura me demokracinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut, si dhe përbëhet nga profesorë dhe ekspertë të pavarur të këtyre fushave.

“Në katër vitet e fundit, Komisioni i Venecias ka miratuar tetë opinione të ndryshme në lidhje me Republikën e Kosovës për çështje nga Projektligji për Aktet Juridike dhe Projektligji për Qeverinë e Republikës së Kosovës deri te, së fundmi, Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe Koncept Dokumentin për Vetingun e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, si dhe projekt-amendamentet kushtetuese për të njëjtën çështje”, thuhet në njoftim.

“Riemërimi i profesor Qerimit në Komisionit e Venecias paraqet një konfirmim shtesë të potencialit të stafit akademik të UP-së, jo vetëm si ekspertë vendorë, por edhe ndërkombëtarë”, thuhet tutje në njoftimin e Universitetit të Prishtinës./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera