Lajme

Prodhuesit të lumtur me taksën kundër Serbisë, thonë se do t’i shtojnë punëtorët

Autori: Sylejman Sylejmani 19:07 | 08 November 2018

Nëse Qeveria e Kosovës nuk e heqë taksën 10 për qind në importet nga Serbia, kompania “Apollonia 89”, nga Podujeva do t’i shtojë edhe dhjetë punëtorë.

Agim Maloku, pronar i kompanisë, e cila merret me prodhimin e produkteve nga argjila, tregon për Gazetën inFokus se menjëherë ka filluar të vërehet kjo masë, pasi kërkesa për prodhimet e tij është rritur.

“Unë menjëherë dje kam fillu me prodhu mall më shumë. Dje edhe sot vërehet se është rrit kërkesa për prodhimet e mia”, thotë ai.

-Advertisement-

Maloku thekson se kjo taksë është shumë e qëlluar dhe se do t’ia mundësojë atij që t’i rris kapacitetet.

“Serbia në sektorin tonë e ka një pjesë të mirë të tregut. Unë kam mundësi të rritjes së kapaciteteve, për shkak se e kam fabrikën dhe kjo taksë do të ndikoj shumë. Për mua dhe prodhuesit është një punë shumë e qëlluar”, deklaron Maloku.

I lumtur me vendosjes e kësaj takse, është edhe Mustafë Borovci nga kompania “Brickos”, e cila gjithashtu merret me prodhimin e bllokave nga argjila.

Borovci thotë për inFokus se kjo është një ndihmesë për të gjithë prodhuesit e kësaj industrie.

“Akoma është shumë herët të themi diçka, për shkak se akoma nuk janë tri ditë të plota prej që është aplikuar masa. Përndryshe në industrinë tonë shteti ka vendosur masë mbrojtëse edhe para një viti, e cila ka qenë e shprehur për njësi. Ajo i ka dhënë efektet e veta për industrinë tonë. Kjo është prapë një ndihmesë për të gjithë prodhuesit e kësaj industrie”, deklaron ai.

Pritshmëri të mëdha për këtë masë të qeverisë, ka edhe pronari i kompanisë “Meka”, Burim Piraj.

Piraj thotë se ky veprim është paksa i vonuar, për shkak se ka kohë që Serbia i pengon kosovarët që t’i eksportojnë e importojnë produktet e tyre.

“Pak e vonuar. Është deshtë të fillojë kërkesa shumë më herët. Ne kemi bërë kërkesa qysh në vitin 2008/09 që një taksë të zbatohet, por nuk është zbatuar. Ne as sot e kësaj dite nuk jemi të barabartë, nuk e bëjmë eksportin e Evropës për Kosovë nëpërmjet Serbisë. Serbia nuk është zbatuese e marrëveshjes së CEFTA-së. Shkelës pra është Serbia, e jo Kosova”, thotë Piraj.

Ai tregon se pret që shumë shpejtë kërkesa të rritet.

“Presim që në të ardhmen, pas një javë dy të rritet kërkesa. Kemi pritshmëri pasi disa produkte që prodhohen në Bosnje e janë konkurrent tanë në tregun e Kosovës”, thekson ai.

Nga e mërkura ka filluar të zbatohet taksa prej 10 për qind, e vendosur për të gjitha produktet e Serbisë dhe të Bosnje e Hercegovinës.

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, Kosova importon benda një viti produkte të Serbisë në vlerë rreth 400 milionë euro.

Ndërsa nga Bosnja e Hercegovina, importon mallra në vlerë rreth 80 milionë euro brenda vitit.

Vendosja e kësaj takse është kritikuar nga Bashkimi Evropian, pasi sipas tyre kjo nuk i kontribuon përmirësimit të raporteve mes Kosovës e Serbisë.

Megjithatë, qeveria është shprehur e bindur se përkundër presioneve, nuk do e largojë këtë masë. /Gazeta inFokus

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera