Procesi i Berlinit, dhjetë vjet në dhomën e pritjes së BE-së
Autori: Gazeta inFokus 08:48 | 10 October 2024
Procesi i Berlinit u krijua për të shoqëruar rrugëtimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së. Por shumë prej vendeve e kanë rrugën të bllokuar për shkak të konflikteve me njëri-tjetrin.
Aleksandra Tomaniç drejton European Fund for the Balkans, një fondacion rajonal me seli në Beograd. Kur planifikon një aktivitet në Sarajevë, ajo duhet të mendohet dy herë, para se të ftojë edhe pjesëmarrës nga Kosova.
“Për kosovarët, udhëtimi është i ndërlikuar dhe kërkon shumë kohë, pasi ata duhet fillimisht të udhëtojnë në Shkup për të aplikuar për vizë. E njëjta gjë vlen edhe për boshnjakët që duan të udhëtojnë në Kosovë”, thotë Tomaniç pa e fshehur zhgënjimin që regjimi i vizave mes Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës është ende në fuqi.
Ndërkohë që dy vjet më parë dukej se gjërat do të përmirësoheshin: Në nëntor të vitit 2022, krerët e qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia – nënshkruan tri marrëveshje mobiliteti, ku ranë dakord për lëvizje të lirë me karta identiteti, njohjen e diplomave universitare dhe disa kualifikime profesionale. Deri më sot, zbatimi i këtyre marrëveshjeve ka ngecur.
“Kjo nuk është premtimi i vetëm i pambajtur i Procesit të Berlinit,” thotë Tomaniç.
Një nismë e improvizuar
Procesi i Berlinit u iniciua në vitin 2014 me nismën e ish-kancelares gjermane, Angela Merkel për të mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugëtimin e tyre drejt BE-së. Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, kishte shpallur më parë një “pauzë zgjerimi”.
Merkel, e cila ishte e shqetësuar se kjo do të sillte destabilizimin e rajonit, i ftoi qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor në një konferencë në Berlin. Pjesëmarrës ishin gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe dhjetë vende të BE-së: Përveç Gjermanisë, merrnin pjesë edhe Austria, Franca, Italia, Polonia, Bullgaria, Greqia, Kroacia dhe Sllovenia, si edhe Britania e Madhe, e cila ishte pjesë e BE-së.
Që nga viti 2014, janë mbajtur samite vjetore në qytete të ndryshme evropiane si Vjena, Londra, Parisi, Trieste, Poznani, Sofja, Berlini dhe së fundmi Tirana. Çdo vit, vendet pritëse shtonin nga një prioritet të vetin, i cili shoqërohej me nga një ministerial. Ndërkohë numri i ministerialeve dhe takimeve tematike është shumë i madh.
Sot, organizohen ministeriale vjetore për bashkëpunim ekonomik, shkëmbime rinore, siguri, digjitalizim, energji të gjelbër, bujqësi, ministerial për romët dhe ministerial për çështjet gjinore. Takimi i dhjetë po mbahet sërish në Berlin.
Samitit në zyrën e kancelarit Olaf Scholz, më 14 tetor, i kanë paraprirë një sërë takimesh në forume të ndryshme dhe në nivele të ndryshme ku janë diskutuar këto dhe tema të tjera.
Ruajtja e perspektivës së anëtarësimit në BE
Analisti gjerman nga Berlini, Bodo Weber, sheh një ndikim pozitiv nga takimet e përvitshme të këtij procesi. “Takimet e rregullta të liderëve dhe ministrave janë bërë normalitet,” thotë ai në një intervistë për DW. Kjo ka ndihmuar që perspektiva e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së të mbetet e gjallë.
Por ai konstaton se Procesi i Berlinit nuk i ka stabilizuar marrëdhëniet rajonale në mënyrë të përhershme. “Serbia, që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ndjek ende një politikë agresive rajonale, e cila bazohet në konceptin e ‘Srpski svet’,” thotë Weber.
Ky koncept nacionalist, që promovohet nga krahu nacionalist i udhëheqjes serbe, synon të bashkojë serbët në vende të ndryshme të Ballkanit, veçanërisht në Bosnje-Hercegovinë, Mal të Zi dhe Kosovë.
Bilanci i Aleksandra Tomaniç është kritik: “Dhjetë vjet pas themelimit të tij, Procesi i Berlinit lë ende një përshtypje të improvizuar,” thotë ajo. Edhe pse ka formate dhe takime të shumta, mungojnë rezultatet konkrete dhe shumë nga marrëveshjet e arritura nuk janë zbatuar. “Ngjashëm me procesin e zgjerimit të BE-së, dështimi më i madh mbetet dimensioni politik i bashkëpunimit, i cili është lënë pas dore,” thekson Tomaniç.
Shumë probleme në Procesin e Berlinit nuk diskutohen për të arritur kompromise. “Në Serbi, strukturat demokratike vazhdojnë të degradohen dhe presidenti Vuçiq po përdor konfliktin me Kosovën për të forcuar kontrollin e tij politik,” kritikon Tomaniç.
Vuçiq nuk lejon që kritikët e regjimit nga vende të tjera të hyjnë në vend dhe ka dobësuar median dhe lirinë e shprehjes. Ajo është e zhgënjyer që pikërisht në Procesin e Berlinit nuk po diskutohen probleme të tilla: “Me rëndësi për liderët është të prodhojnë një tjetër ‘foto familjare’ që jep përshtypjen e suksesit.”
Projekte shembullore të bashkëpunimit rajonal: RYCO dhe Roaming
Por ka edhe suksese: Përveç heqjes graduale të tarifave të roaming-ut për internetin dhe thirrjet telefonike midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, RYCO, Zyra e Shkëmbimit dhe Bashkëpunimit Rinor, konsiderohet një nga projektet shembullore të Procesit të Berlinit. Deri më sot ajo ka bashkuar 31.000 të rinj nga rajoni.
Veç kësaj, BE-ja, e cila është një nga partneret kryesore të Procesit të Berlinit, ka vënë në dispozicion të Ballkanit Perëndimor 30 miliardë euro, rreth gjysma e tyre janë investuar tashmë në projekte infrastrukture, energjie dhe digjitalizimi.
Por projekti kryesor i procesit të Berlinit: Tregu i Përbashkët Rajonal, mbetet ende jo funksional. Shkak është konflikti i pazgjidhur midis Serbisë dhe Kosovës.
Marrëveshja e tregtisë së lirë CEFTA
Në dhjetëvjetorin e tij, Procesi i Berlinit synon të arrijë një marrëveshje të re: CEFTA. Marrëveshja rajonale e tregtisë së lirë do të lidhë më ngushtë vendet e Ballkanit Perëndimor me tregun e përbashkët të BE-së.
Në fakt, marrëveshja nuk është shumë e re, sepse të gjitha vendet e rajonit janë anëtare të saj, përfshirë edhe Kosovën, e cila deri tani përfaqësohej nga UNMIK-u. Rinënshkrimi i marrëveshjes i jep mundësi Kosovës të përfaqësohet në CEFTA nga qeveria e saj.
Pak para samitit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, iu nënshtrua presionit të të dërguarit të posaçëm gjerman për Ballkanin, Manuel Sarrazin, dhe hapi pikën e Merdarës për të lejuar aty kalimin e mallrave serbe.
Bllokada e importeve nga Serbia ekziston që nga qershori 2023. Qeveria e Kosovës kishte deklaruar se kësisoj donte të ndalte kontrabandën e armëve nga Serbia në Kosovë.
Ministrja e Jashtme, Annalena Baerbock, në takimin përgatitor të ministrave të Jashtëm, e quajti këtë një “hap historik” për rajonin. Por a do të implementohet marrëveshja CEFTA në të gjitha vendet e rajonit? “Letra është një gjë, por veprat janë diçka tjetër”, tha Baerbock para gazetarëve dhe shtoi se ” ne çdo ditë i vlerësojmë për këtë partnerët e këtij procesi”. /DW/
Të tjera
-
Parashikimi i motit për të hënën
Për të hënën parashikohet të mbajë mot i vranët, ku pritet depërtimi i një ci...
-
Donald Trump emëron gjeneralin Keith Kellogg si të dërguarin e tij special për Ukrainën dhe Rusinë
Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka zgjedhur Gjeneralin Keith Kellogg si të...
-
Kurti ua lypë mërgimtarëve 74 mijë vota: Paramendojeni çka bojmë me na i dyfishu ju votat
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga mërgimtarët më shumë vota...
-
Bedri Hamza takon profesorin e tij: Ato që i thotë, ka me i realizu, se ia njoh karakterin dhe mentalitetin
Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, në rrjetet e tij...
-
Kush është fajtori kryesor për moskalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare?
Ani pse pas një takimi të Albin Kurtit më kreun e PDK-së, u votuan disa marrë...
-
“Ka qenë i veçantë, një djalë i sjellshëm, i urtë, me të gjitha notat 5-she, ato që i premton edhe i realizon”, profesor Xhaferi vlerëson lart nxënësin e tij Bedri Hamzën
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka takuar profesorin e tij,...
-
Bejta falënderon stafin e Komunës së Prishtinës për punën e palodhshme: Viti tjetër, edhe me më shumë suksese
Kandidatja për deputete nga LDK, Fiknete Bejta, ka publikuar disa fotografi n...
-
Pasaporta e Kosovës në mesin e 10 pasaportave të botës që kanë shënuar përmirësimin më të madh
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se viti 2024 ka qenë viti...
-
Kërkohet ndihmë për 16-vjeçarin nga Istogu që vuan nga Leukemia, ka nevojë për shërim jashtë vendit!
Familja Dani nga Kërrnina e Istogut kërkon ndihmë për shërimin e djalit ! ...
-
Incidenti në Novi Sad, mijëra njerëz protestọjnë kundër regjimit të Vuçiqit
Studentët, të cilët prej javësh i kanë bllokuar fakultetet në Universitetin e...
-
Elezi: Mbi 58 mijë kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka njoftuar...
-
Java nis me reshje bore – Parashikimi i motit për pesë ditët e ardhshme
Moti nga e hëna parashihet të jetë i ftohtë dhe me reshje të herëpashershme b...