Lajme

Problemet e veteranëve i zgjidh Ministria për Veteranët

Autori: Gazeta inFokus 19:32 | 29 October 2017

Lufta në Kosovë ka përfunduar moti, por problemet e atyre që e bën luftën janë larg të përfunduarit.

Tashmë veteranët as pensionet e premtuara nuk po i marrin dhe kjo çështje vazhdon të mbetet pa zgjidhje.

Prandaj, një anëtar i Komisionit për Verifikimin e Veteranëve, Agush Buja, po propozon që krahas kabinetit qeveritar që u formua para pak ditësh, të krijohet edhe një ministri e re – “Ministria e Veteranëve”.

-Advertisement-

I kontaktuar nga Klan Kosova, ai ka thënë se këtë ide e kishte pasur edhe kryetari i këtij komisioni Agim Çeku, por që nuk ishte jetësuar asnjëherë.

“Nuk e kam dhënë i pari këtë propozim, ngase edhe më herët e ka thënë edhe Agim Çeku. Është e domosdoshme që të krijohet kjo Ministri, ngase veteranët janë kategoria më e neglizhuar në Kosovë”, ka thënë Buja.

Këtë propozim, ai nuk e ka bërë me shkrim në formë zyrtare për institucionet e Kosovës, por planifikon që të vijë në Kosovë dhe të takohet me kryeministrin Haradinaj, e të tjerë krerë institucionesh.

“Në fund të muajit nëntor po planifikoj të vi në Kosovë e të takohem me Haradinajn. Besoj do t’ia kërkojmë që të themelojë edhe një Ministri, që do mund të zgjidhte shumë çështje që nuk janë zgjidhur deri më tani sa u përket veteranëve”.

Buja po konsideron se Qeveria aktuale, e ka për obligim që të themelojë këtë ministri, ngase ka tash e disa muaj që veteranët nuk i kanë marrë pagat e tyre.

“Mendoj që Qeveria do ketë qëndrim pozitiv. Tashmë kam marrë reagime pozitive edhe nga opinioni e edhe nga veteranët. Kuvendi e Qeveria janë të obliguar që ta krijojnë këtë ministri, sepse kanë themeluar ministri për të kënaqur apetitet politike të gjithsecilit, ndërsa kjo për veteranët është e domosdoshme”, shprehet ai.

Sipas tij, Kosova mund të marrë për model Kroacinë që e kishte themeluar këtë Ministri qysh në vitin 2000, e ende vazhdon ta ketë pjesë përbërëse në mesin e të tjera dikastereve të ekzekutivit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Përsëri në shkollë me Viva Fresh Store!  
-Advertisement-

Të tjera