Lajme

Prishtina ua kalon shumë kryeqyteteve të Evropës për transparencë

Autori: Gazeta inFokus 13:57 | 20 August 2019

Instituti Demokratik i Kosovës ka shpalosur të gjeturat e hulumtimit mbi transparencën e kryeqyteteve evropiane, ku ka dalur që Prishtina është një prej kryeqyteteve shembuj për transparencë.

Hulumtimi tregon se kryeqytetet e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian u ofrojnë qytetarëve më shumë qasje në informacion, por që vendet e Evropës Lindore e Juglindore, u japin më shumë rëndësi transparencës, sesa vendet me demokraci të konsoliduar.

Në KDI u tha se kjo bëhet si tentativë për të adresuar korrupsionin më të thellë përmes politikave transparente.

-Advertisement-

Diana Metushi-Krasniqi nga KDI, gjatë paraqitjes së raportit, në një konferencë për media tha se janë matur 27 kryeqytete evropiane.

“Përderisa vetëm pesë kryeqytete publikojnë deklarimet e pasurisë të anëtarëve të asamblesë komunale, në ueb faqe, në mesin e tyre është edhe Komuna e Prishtinës ku këto informata mund të gjenden në platformën Prishtina online…. Ky hulumtim gjithashtu tregon që 22 kryeqytete kanë publikuar proces verbalet e seancave, në këtë matje në krye të listës është Amsterdami me një sistem arkivi të qartë dhe miqësor për qytetarët. Ndërsa sa i përket publikimit të shënimeve individuale të votimit vetëm 11 kryeqytete e bëjnë atë, e për shkak të ndalesave ligjore që i kemi ende në Kosovë, Prishtina nuk është në mesin e atyre që i publikojnë votimet individuale të secilit deputet në asamblenë komunale”, tha ajo.

Ajo bëri të ditur se një shqetësim është ngritur lidhur me regjistrin e lobimit, ku hulumtimi ka gjetur se shumë shtete, në mesin e tyre edhe Kosova, nuk kanë ligje të cilat e rregullojnë lobimin.

“Një shqetësim është ngritur lidhur me regjistrin e lobimit ku vetëm një, Madridi, nga 26 kryeqytete të matura, e publikon atë. Ky hulumtim ka gjetur se shumë shtete, në mesin e tyre edhe Kosova, nuk kanë ligje të cilat e rregullojnë çështjen e lobimit. Megjithatë, kodi i sjelljes së Prishtinës është lavdëruar në raportin e përpiluar nga Transparency International Sllovakia, për mënyrën sesi publikohet, si është e përmbledhur dhe që publikohet në tre gjuhë të huaja, shqip, serbisht dhe anglisht”, tha ajo.

Tutje, ajo tha se vetëm 12 nga 26 kryeqytetet e matura kanë kthyer përgjigje pozitive në kërkesën për qasje në dokumente publike lidhur me pagën e kryetarit dhe asambleistëve.

Projekti “Qasja në informacione në kryeqytetet evropiane” është udhëhequr nga Transparency International Sllovakia.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera