Lajme

Prishtina përsëri në mesin e 10 qyteteve me ajrin më të ndotur në botë

Autori: Gazeta inFokus 06:59 | 23 October 2018

Ashtu si vitin e kaluar, siç duket Prishtina edhe këtë herë do të ketë probleme me ndotjen e ajrit.

Ndërsa po afrohet mesnata, Prishtina gjindet në 10 vendet e para me ndotjen e ajrit në botë, shkruan lajmi.net.

Sipas matësve të cilësisë së ajrit të vendosur nga ambasada amerikane në kryeqytet, ndotja shënon nivel prej 122 PM, e cila cilësohet si shumë e pashëndetshme për grupe të caktuara të njerëzve.

-Advertisement-

Se është rikthyer ndotja e ajrit në Prishtinë po e thonë edhe nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

Përmes një komunikate për media, thuhet se shkaktar për një gjë të tillë janë termocentralet dhe përdorimi i ngrohjes.

“Efektet afatshkurta të aerondotjes nga partikulat sipas shumë të dhënave na çojnë drejt rritjes së numrit të sëmurëve me astmës bronkiale, bronkitet kronike, sëmundje kronike obstruktive të mushkërive tek moshat e shtyra, rritjen e numrit të pranimeve spitalore nga sëmundjet kardiovaskulare dhe ato respiratore, kancer, shkurtimin e jetës dhe rritjes e shkallës së mortalitetit”,thuhet në komunikatë.

Kujtojmë se vitin e kaluar, në kuadër të marrjes së masave për ruajtjen e cilësisë së ajrit, ishte ndaluar shitja dhe përdorimi i qymyrit si lëndë djegëse.

Megjithatë, edhe këtë vit qytetarët po e përdorin me të madhe këtë lëndë djegëse për burim të ngrohjes.

Në lidhje me të njëjtën çështje ishte protestuar në Prishtinë, si dhe ishte ndaluar për disa ditë qarkullimi i makinave në disa prej rrugëve kryesore në kryeqytet.

Qyteti me ndotjen më të madhe të ajrit, tani për tani është Delhi i Indisë me 211 PM.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera