Lajme

Prigozhin shfaqet pas disa javësh dhe konfirmon largimin e Wagnerit nga Ukraina

Autori: Gazeta inFokus 21:43 | 19 July 2023

Udhëheqësi i grupit mercenar rus, Yevgeny Prigozhin – i cili e ka udhëhequr rebelimin e ndërprerë në Rusi javë më parë – është parë përmes një videoje në Bjellorusi, duke i mirëpritur luftëtarët e tij, dhe duke thënë se ata do të nisen drejt Afrikës.

Sipas Prigozhinit, grupi mercenar rus do ta ndalë angazhimin në luftën e Rusisë në Ukrainë.

Në një video të publikuar nga ekipi i tij në Telegram, Prigozhin është parë përpara një numri të madh të njerëzve të armatosur duke i përshëndetur “në tokën e Bjellorusisë”.

-Advertisement-

Prej kur lideri i Wagnerit është parë duke u larguar me makinë nga qyteti rus Rostov-on-Don, më 24 qershor, nuk është ditur më asgjë për vendndodhjen e tij.

Dikur Prigozhini ka qenë aleat i ngushtë i presidentit rus, Vladimir Putin.

“Ju keni bërë shumë për Rusinë. Çfarë po ndodh tani në front të luftës është trup në të cilin nuk kemi nevojë të marrim pjesë. Ne duhet ta presim momentin kur do të mund ta shprehim veten plotësisht”, ka thënë Prigozhin në video, data e incizimit të së cilës nuk dihet.

Mes tjerash, Prigozhin ka thënë se “kemi marrë vendim që do të qëndrojmë këtu në Bjellorusi për një kohë”.

“Përgjatë asaj kohe, unë besoj shumë që do ta shndërrojnë ushtrinë bjelloruse në ushtrinë e dytë më të mirë në botë. Ne duhet të trajnohemi më shumë, më pas të nisemi për në destinacionin e ri, në Afrikë, dhe më vonë, me siguri, do të kthehemi sërish te operacioni special ushtarak [në Ukrainë], kur të jemi të sigurt që nuk do të detyrohemi ta turpërojmë veten”, ka shtuar Prigozhin.

Fati i trupave të Wagnerit ka qenë i paqartë prej kur Prigozhini e ka nisur rebelimin më 23 dhe 24 qershor në Rusi, njëherësh kërcënimin më të madh për presidentin rus, Vladimir Putin, në 23 vjetët e tij sa është në pushtet.

Lideri autoritar i Bjellorusisë dhe aleati i ngushtë i Putinit, Alyaksandr Lukashenka, është përfshirë në bisedime për dhënie fund të rebelimit.

Në marrëveshjen e ndërmjetësuar mes Prigozhinit dhe Putinit, Lukashenka është pajtuar që ta pranojë Wagnerin dhe liderin e tij në Bjellorusi.

Para se të niste rebelimi, forcat e Wagnerit u kanë ndihmuar forcave ushtarake ruse në luftën kundër Ukrainës.

Megjithatë, në periudhën e fundit Prigozhin është ankuar se Kremlini nuk po i furnizon si duhet pjesëtarët e grupit të tij. /REL

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Blerando i Big Brother Vip Kosova – fytyra e re e Prince Espresso
-Advertisement-

Të tjera