Lajme

Presidentja Osmani: Sulmi ndaj autobusit, goditje ndaj rendit e sigurisë tonë

Autori: Gazeta inFokus 21:48 | 26 November 2021

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka reaguar lidhur me aktin e rëndë që ndodhi në orët e mbrëmjes së kësaj të premte në Gllogjan, ku dyshohet se tashmë kanë ndërruar jetë tre presona, dy prej të cilëve janë nxënës të moshës 16 e 17 vjeçare.

Presidentja u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave, përderisa të plagosurit i ka uruar shërim të shpejtë, shkruan Gazeta Infokus.

Ajo e ka cilësuar këtë sulm si sulm të rënd bdaj rendit e sigurisë dhe ka shtuar se siguria e qytetarëve është prioritet dhe në këtë aspekt nuk do të ketë zmbrapsje.

Postimi i plotë:

“Tronditës lajmi për aktin kriminal në Gllogjan, në të cilin sipas të dhënave aktuale kanë humbur jetën 3 persona dhe ka mbetur një i plagosur.

Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjeve të të vrarëve dhe uroj shërim të shpejtë për të lënduarin.

Ftoj organet e rendit që sa më parë t`i zbulojnë autorët e krimit dhe t`i sjellin para drejtësisë.

Sulmi ndaj autobusit me nxënës është goditje ndaj rendit e sigurisë sonë. Siguria e qytetarëve është prioritet, ndaj nuk do të zmbrapsemi në përmbushjen e këtij misioni”, ka shkruar presidentja Vjosa Osmani./Gazeta Infokus/

Të tjera