Lajme

Presidentja Osmani: Nuk harrojmë se kush insistonte më së shumti për themelimin e Speciales

Autori: Gazeta inFokus 11:34 | 22 July 2022

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, në një konferencë për media ka folur sot për Rezolutën e miratuar në Parlamentin e Shqipërisë kundër raportit të Dick Martyt për UÇK-në, shkruan Gazeta Infokus.

E para e vendit tha se Gjykata Speciale nuk mund të zhbëhet nga organet që nuk e kanë krijuar këtë, ngase ky është parim juridik.

Mirëpo, ajo tha se lufta e UÇK-së, s’mund të zhbëhet nga askush.

-Advertisement-

“Rezolutat shprehin vullnetet politike. Ekziston një parim juridik bazik, që një akt mund të shfuqizohet vetëm nga organet që i kanë miratuar ato. Lufta çlirimtare e UÇK-së nuk mund të zhbëhet nga askush. Historinë nuk do të mund ta ndryshojë askush pavarësisht përpjekjeve. Kosova s’ka pasur kurrë çfarë të fsheh, sepse ajo e ka mbrojtur veten nga një regjim gjenocidial i Millosheviqit”, tha Osmani.

Ajo tha se ne vazhdimisht kemi konfirmuar një të vërtetë që asnjëherë s’mund të ndryshohet nga askush.

“Konfirmimin tonë për pastërtinë e luftës çlirimtare e keni dëgjuar çdo ditë dhe s’mund të prisni përshëndetje për një ditë të veçantë. Çdo punë që e bëjmë për ta çuar Kosovën, ne e nderojmë secilin çlirimtar. Ne vazhdimisht kemi konfirmuar një të vërtetë që asnjëherë s’mund të ndryshohet nga askush”, tha tutje ajo.

Po ashtu, e para e vendit tha se Dick Marty ka tentuar që ta shtrembërojë të vërtetën që ka ndodhur në Kosovë.

“Dick Marty ka tentuar ta shtrembërojë të vërtetën që ka ndodhur në Kosovë. Por, përgjigjen e ka marrë nga vet prokurorë të Speciales. Prokurori Williamson thotë se nuk ka argumente për trafikim të organeve”, ka thënë Osmani.

Gjithashtu, ajo tha se nuk harrojmë se kush insistonte dhe kush bënte presion më së shumti, që të themelohet Gjykata Speciale para disa vitesh.

“Ne nuk harrojmë se kush insistonte dhe kush bënte presion më së shumti, që të themelohet Gjykata Speciale para disa vitesh, nuk e harrojmë, sado që dikush mund të ketë një dëshirë të tillë”, ka thënë presidentja Osmani./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera