Lajme

Presidentja i kërkon zyrtarit të lartë të NATO-s hartimin e një plani të përbashkët për hapjen e Urës së Ibrit

Autori: Gazeta inFokus 16:00 | 29 August 2024

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për operacione, Thomas Goffus, të cilit i ka kërkuar hartimin e një plani të përbashkët të zbatimit për çështjen e hapjes së urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Përmes një komunikate të lëshuar nga Zyra e Presidencës, bëhet e ditur se gjatë takimit Osmani ka potencuar rëndësinë e koordinimit mes institucioneve vendore dhe partnerëve të sigurisë, me theks të veçantë me NATO-n.

“Në takim me Ndihmës Sekretarin Goffus, ndër të tjera u diskutua edhe për çështjen e hapjes së urës së Ibrit. Presidentja Osmani ka përsëritur qëndrimin për hapjen e urës, porse ka potencuar rëndësinë e mirëmbajtjes së komunikimit, koordinimit dhe thellimit të bashkëpunimit në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë, veçanërisht me NATO-n, për hartimin e një plani të përbashkët të zbatimit për hapjen e urës. Hapjen e urës, Presidentja Osmani e ka cilësuar si një veprim në funksion të normalizimit dhe integrimit në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie”, thuhet në komunikatë.

-Advertisement-

Po ashtu, Osmani ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar për bashkëpunim të vazhdueshëm me NATO-n dhe KFOR-in për adresimin e sfidave në fushën e sigurisë.

“Më tej, Presidentja Osmani falënderoi NATO-n për angazhimin e deritashëm për paqe, siguri dhe stabilitet dhe në këtë kontekst ritheksoi objektivin strategjik të Kosovës për integrim në komunitetin euroatlantik, duke shprehur besimin se anëtarësimi në NATO do të kontribuojë për sigurinë dhe stabilitetin e gjithë rajonit”, vijon më tej komunikata.

Kujtojmë se edhe më parë presidentja Osmani është deklaruar pro hapjes së Urës së Ibrit, por që sipas saj, duhet të ketë koordinim me aleatët, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), për të bërë një plan të zbatimit të përbashkët.

Sipas saj, Kosova duhet të sigurohet që ura në veri të hapet në atë mënyrë që nuk nxit konflikt me aleatët e vendit e as prani të shtuar të misionit të NATO-s në Kosovë – KFOR.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova hap degën më te re në qytetin e Suharekës
-Advertisement-

Të tjera