Rajoni dhe Bota

Presidentja e Tajvanit: Nuk do t’i përulemi Kinës

Autori: Gazeta inFokus 10:16 | 11 October 2021

Në një reagim të fortë ndaj Pekinit, Presidejtja e Tajvanit tha sot (e dielë) se vendi i saj do të vazhdojë të forcojë mbrojtjen, për t’u siguruar që askush të mos e detyrojë të ndjekë rrugën që ka përcaktuar Kina, që siç tha ajo, nuk ofron as liri dhe as demokraci.

Tajvani ndodhet nën trysni ushtarake e politike në rritje për të pranuar sundimin e Pekinit, që pretendon se ishulli është territor i tij. Kina ka zhvilluar misione të përsëritura ajrore në zonën e mbrojtjes ajrore të Tajvanit.

Të shtunën, Presidenti kinez Xi Jinping tha se do të realizojë një “ribashkim paqësor” me Tajvanin pa përmendur drejtpërdrejt përdorimin e forcës. Por reagimi i Taipeit ishte i ashpër. Presidentja Tsai Ing-wen tha se vetëm populli i Tajvanit mund të vendosë për të ardhmen e tij.

-Advertisement-

Duke iu drejtuar vendit gjatë një tubimi me rastin e Ditës Kombëtare, zonja Tsai tha se shpresonte për një zbutje të tensioneve në ngushticën e Tajvanit dhe përsëriti se Tajvani, nuk do të “veprojë me nxitim”.

“Nuk duhet të ketë absolutisht asnjë iluzion se populli tajvanez do t’i nënshtrohet trysnisë”, tha ajo. “Ne do të vazhdojmë të forcojmë mbrojtjen kombëtare e të demonstrojmë vendosmërinë tonë për t’u mbrojtur, në mënyrë që të sigurohemi që askush nuk mund ta detyrojë Tajvanin të ndjekë rrugën që Kina ka përcaktuar për të”, shtoi zonja Tsai. “Kjo për shkak se rruga që ka përcaktuar Kina nuk ofron një mënyrë jetese të lirë e demokratike për Tajvanin dhe as sovranitet për 23 milionë banorët tanë”.

Kina i ka ofruar Tajvanit modelin e autonomisë “një vend, dy sisteme”, të ngjashëm pak a shumë me atë të Hong Kongut, por të gjitha partitë kryesore taivaneze e kanë refuzuar atë, veçanërisht pas masave të ashpra lidhur me sigurinë që Pekini ndërmori ndaj ish-kolonisë britanike.

Zonja Tsai përsëriti ofertën për të biseduar me Kinën mbi baza të barabarta, por nuk mori një përgjigje të menjëhershme nga Pekini.

Kina ka refuzuar të bisedojë me presidenten e Tajvanit, duke e quajtur atë një separatiste që refuzon të pranojë se Tajvani është pjesë e Kinës.

Por, zonja Tsai thotë se Tajvani është një vend i pavarur, i quajtur Republika e Kinës, emri zyrtar i tij. Ajo ka thënë se nuk do të bëjë kompromise në kurriz të sovranitetit apo lirisë së vendit.

Zonja Tsai tha se situata e Tajvanit është “më komplekse dhe më e paqëndrueshme krahasuar me çdo periudhë tjetër në 72 vitet e fundit”. Sipas saj, prania ushtarake e Kinës në zonën e mbrojtjes ajrore të Tajvanit, ka ndikuar seriozisht në sigurinë kombëtare të vendit./VOA/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
E PREMTJA E BARDHË NË ETC ME ZBRITJE DERI 50%
-Advertisement-

Të tjera