Lajme

Presidenti shqiptar i kërkon Polonisë ta mbështesë Kosovën për anëtarësim në NATO

Autori: Gazeta inFokus 15:55 | 11 May 2023

Për herë të parë pas 20 vitesh, një president polak qëndroi për vizitë në Shqipëri. Andrzej Duda u prit me nderimet më të larta shtetërore nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj. Ky i fundit, i kërkoi atij mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Gjatë fjalës së tij në konferencën e përbashkët me Duda, kreu i shtetit shqiptar tha se Samiti i ardhshëm i NATO i Vilniusit do të ishte rast i mirë për të mbështetur aspiratat e Kosovës për anëtarësim.

“Kërkova gjithashtu mbështetjen e Polonisë për anëtarësimin e mundshëm të Kosovës në NATO, ku Samiti i ardhshëm i Vilniusit në korrik të këtij viti, është një rast i mirë për të mbështetur aspiratat e Kosovës”, deklaroi Begaj.

-Advertisement-

Në seancën plenare të Parlamentit Evropian dy ditë më parë kancelari gjerman, Olaf Scholz tha se, “është e turpshme që 20 vjet më parë hapëm perspektivën e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor dhe sot nuk e kemi bërë ende”, duke kërkuar hapjen ndaj këtij rajoni.

Begaj theksoi sot se, deklarata e kancelarit gjerman është lajm shumë i mirë për faktin që pas agresionit rus në Ukrainë, vëmendja e Bashkimit Evropian është e përqendruar në Ballkanin Perëndimor.

Presidenti polak Andrzej Duda tha se kancelari është i ndërgjegjshëm për deklaratat, ndërsa theksoi edhe nevojën që shtetet të mos i bëjnë shantazhe vendeve që synojnë anëtarësimin duke i bllokuar ato.

Presidenti polak deklaroi se, shpreson që së shpejti Shqipëria do të jetë anëtare e BE-së. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me presidentin Begaj ai tha se kjo vizitë është një sinjal për t’i gjallëruar marrëdhëniet shqiptaro-polake.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Një vit i suksesshëm përtej pritshmërive
-Advertisement-

Të tjera