Lajme

Presidenti para një viti paralajmëronte ndërtimin e stadiumit në Prishtinë

Autori: Gazeta inFokus 20:01 | 29 October 2017

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e kishte prezantuar idenë e ndërtimit të një stadiumi të ri për Kombëtaren e Kosovës. Në maj të vitit 2016, ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës kishte përmendur ndërtimin e stadiumit në Prishtinë. Atëkohë, premtonte se fusha sportive do të kishte kapacitet prej 30 mijë ulësesh.

Hashim Thaçi, në maj të vitit 2016, e kishte të qartë se ku duhet të ndërtohet stadiumi i Kombëtares. Kishte thënë se një objekt i tillë duhet të ndërtohet në Prishtinë.

Tash, zyrtarët e PDK’së kanë paralajmëruar se i njëjti Stadium do të ndërtohet në Drenas.

-Advertisement-

Kadri Veseli ka thënë se ndërtimi i këtij stadiumi do të bëhet me ndihmën e Hungarisë.

Ministri i Sportit, Kujtim Gashi, po ashtu anëtar i PDK’së, ka thënë se vendimi për vendin se ku do të ndërtohet fusha e më rëndësishme sportive do të merret brenda një jave. Ka thënë se Drenasi mbetet opsioni më i mirë.

Sidoqoftë, Thaçi, si president, kishte thënë se me ndërtimin e stadiumit në Prishtinë merr kuptim edhe anëtarësimi i futbollit kosovar në dy mekanizmat më të rëndësishëm ndërkombëtar.

“Pas anëtarësimit në UEFA dhe FIFA, kombëtares së Kosovës i duhet një vend dinjitoz për zhvillimin e garave ndërkombëtare. Do të bëjmë çmos, që sa më parë të fillojë ndërtimi i stadiumit të ri në kryeqytet, me kapacitet prej 30 mijë ulëse, i prezantuar kohë më parë. Vetëm kështu, anëtarësimi në UEFA dhe FIFA merr kuptim”, kishte shkruar Presidenti më 2016.

Ndërkohë, në këtë debat, janë përfshirë edhe zyrtarë të tjerë të shtetit dhe ish-zyrtarë partiakë.

Avni Arifi, këshilltar i Kryeministrit, e ka quajtur “rrenë të kulluar” ndërtimin e Stadiumit në Drenas. Ka thënë se i njëjti do të ndërtohet në Prishtinë.

Ndërkohë, nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Anton Berisha, i cili mban edhe pozitën e zëvendësministrit të Jashtëm, ka thënë se Drenasi është vendi më i mirë për ndërtimin e Stadiumit Olimpik.

Kurse publicisti Veton Surroi ka ironizuar me idenë që një objekt i tillë të ndërtohet në Drenicë. Ka thënë se “Opera dhe Teatri do të shkojnë në Skenderaj”.

Qeveria e kaluar s’e kishte nxjerr kurrë një vendim për vendin se ku do të ndërtohet Stadiumi Kombëtar.

Isa Mustafa, ish-kryeministër i vendit, vetëm kishte autorizuar Ministrinë e Sportit për të caktuar Bërnicën si lokacion të mundshëm për ndërtimin e fushës sportive.

Por, asnjëherë një vendim të tillë nuk e kishte dërguar për miratim në Qeveri.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BLACK FRIDAY ME ZBRITJE DERI 70%
-Advertisement-

Të tjera