Lajme

Presidenti “nuk i di” kompetencat e tij

Autori: Gazeta inFokus 13:48 | 11 January 2018

Presidenti, Hashim Thaçi konsideron se do të bënte shkelje kushtetuese nëse nuk do ta dekretonte shfuqizimin e mundshëm të Ligjit për Gjykatën Speciale.

Bindja e tij është se nuk ka të drejtë që ta mohoj vullnetin e deputetëve.

Por, i pari i shtetit del të mos ketë njohuri rreth kompetencave të tij, shkruan AktivPress.

-Advertisement-

Kushtetuta, atij ai njeh të drejtën që ta kthej çfarëdo ligji prapa në Kuvend.

“[Presidenti] ka të drejtën e kthimit për rishqyrtim të ligjeve të miratuara, nëse konsideron se janë të dëmshme për interesat legjitime të Republikës së Kosovës ose të një a më shumë komuniteteve të saj. Të drejtën e rikthimit të një ligji mund ta shfrytëzojë vetëm një herë”, thuhet në Kushtetutë.

Këtë dispozitë, kreut të shtetit ia ka përkujtuar ish- këshilltari i presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova, Muhamet Hamiti.

Ai ka shtruar dilemën nëse presidenti aktual nuk e di, apo po bëhet se nuk e di, që e ka të drejtën e kthimit për rishqyrtim të ligjeve të miratuara nga Kuvendi i Republikës?

Madje, sipas tij, këtë të drejtë e kanë shfrytëzuar edhe pararendësit e tij.

AktivPress ditë më parë ka raportuar se presidenti Thaçi përgjatë këtyre dy vjetëve që është në udhëheqje të shtetit nuk e ka kthyer asnjë ligj prapa në Kuvend.

Të vetmin ligj që e ka lënë pa dekret ka qenë Ligji për Obiliqin, i cili konform Kushtetutës ka hyrë në fuqi vetvetiu, pas skadimit të afatit prej tetë ditësh kur presidenti është dashur ose ta dekretoj ose ta kthej prapa.

I pari i shtetit, siç duket ka vendosur të mos i hap telashe vetit me Kuvendin, pasi për çdo amendament të ligjeve të kthyera ai duhet të jap alternativa.

Atëherë, deputetët vendosin mes opsionit të tij dhe versionit të miratuar prej tyre. Nëse hedhet poshtë versioni i presidentit, ligji mbetet i pandryshuar.

Një ditë më herët, në një intervistë për Zërin e Amerikës, ai ka thënë se pushtetet janë të ndara dhe se nuk e ka ndërmend të dal mbi parlamentin.

“Nuk përzihem në parlament por i respektoj vendimet e parlamentit botërisht dhe një qind për qind. Pajtohem politikisht apo jo, unë e kam këtë obligim ligjor”, ka thënë ai.

Tendencat për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale kanë zgjuar reagime të ashpra në mesin e diplomatëve të huaj të akredituar në Kosovë.

Megjithatë, shfuqizimi i këtij ligji nuk pritet të prodhoj ndonjë efekt parandalues në funksionalizimin e Gjykatës Speciale, për sa kohë që mbi këtë ligj janë tre akte ndërkombëtare. /AktivPress

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
KosovaMed përmbyll vitin me sukses – dhuron donacione për QKMF-në e Junikut
-Advertisement-

Të tjera