Lajme

Presidenti kërkon të ruhet uniteti politik i treguar për Ushtrinë e Kosovës

Autori: Gazeta inFokus 17:24 | 14 December 2018

(I plotësuar) – Presidenti i vendit,Hashim Thaçi, një falënderim të veçantë ka pasur edhe për të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët me votën e tyre sot i hapën rrugë transformimit të FSK-së, shkruan Gazeta inFokus.

“Sot të gjitha partitë politike të Kosovës, pa dallim, treguan se kur është në pyetje interesi i Kosovës, e mira e përbashkët e jona, e gjeneratave që do të vijnë, i tejkalojnë interesat e ngushta partiake dhe votojnë për Kosovën.Kërkoj që këtë unitet të treguar sot, ta ruajmë edhe për proceset tjera të rëndësishme që na presin”, ka thënë presidenti Thaçi.

I pari i vendit ka thënë se të bashkuar do të jemi më të fuqishëm dhe do të marrim vendime më të guximshme për Kosovën, për të ardhmen tonë.

-Advertisement-

“Sot i falënderojmë edhe partnerët tanë ndërkombëtarë.Ata i sigurojmë se Forca e Sigurisë e Kosovës do të mbetet forcë shumetnike, që do t’i shërbejë çdo qytetari të Kosovës, pa dallim feje a etnie.Dhe do të bëhet faktor i sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë,por edhe në rajonin tonë e më gjerë.Partnerëve tanë ndërkombëtarë u themi se mënyra më e mirë për të shprehur mirënjohjen tonë është duke e kthyer vendin tonë në një eksportues të paqes dhe sigurisë”, u shpreh Thaçi.

Presidenti Thaçi ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës është edhe një mënyrë tjetër e jona për t’i thënë faleminderit bashkësisë ndërkombëtare për përkrahjen që na ka dhënë gjithmonë.

“Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës do të bëhet në bashkëpunim dhe në koordinim me NATO-n dhe partnerët tanë në botë, të cilët dëshirojnë të ndërtohet paqe e qëndrueshme në Kosovë dhe në rajonin tonë”, ka thënë ai./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera