Në prag të ndeshjes Suedi – Kosovë në kuadër të kualifikimeve për Botërorin “Katari 2022”, presidenti i Federatës suedeze të futbollit, Karl-Erik Nilsson, që njëherësh është edhe zëvendëspresident i UEFA-s, ka shtruar darkë për delegacionin e FFK-së, presidentin Agim Ademi, nënkryetarët Bakir Burri e Agim Dibrani, anëtarin e KE-së, Naser Ajeti dhe U.D. sekretarin e përgjithshëm, Taulant Hodaj.

Në një ambient të ngrohtë dhe tejet miqësor, presidenti Nilsson i dëshiroi mirëseardhje dhe qëndrim të këndshëm në Suedi presidentit Ademi dhe bashkëpunëtorëve të tij, teksa e vuri në pah afërsinë dhe miqësinë e ngushtë që tashmë e kanë krijuar me presidentin Ademi, por edhe punën e përbashkët që po e bëjnë në të mirë të futbollit të të gjitha federatave në Komitetin HatTrick të UEFA-s.

Presidenti Nilsson theksoi se pozitiviteti i presidentit Ademi, por edhe puna e tij në krye të futbollit kosovar kanë bërë që të ketë respekt të veçantë.

Presidenti Ademi e falënderoi presidentin Nilsson mikpritjen dhe për raportet e shkëlqyeshme me Kosovën  dhe me të personalisht, si dhe për përkrahjen e vazhdueshme që Suedia si vend, por edhe Federata e Futbollit si institucion i kanë dhënë Kosovës dhe në veçanti futbollit kosovar ndër vite, si në edukim të trajnerëve, ashtu edhe në projekte të ndryshme.

Gjatë kësaj darke u bisedua edhe për bashkëpunime tjera në të ardhmen ndërmjet dy federatave, teksa u vlerësua progresi i FFK-së, si në përmirësimin e infrastrukturës, ashtu edhe në realizimin e projekteve të shumta të miratuara nga Komiteti HatTrick i UEFA-s.

Në fund, të dy presidentët shkëmbyen dhurata, si dhe uruan për një lojë sa më mirë nga të dyja ekipet në ndeshjen e nesërme, e cila pritet të zhvillohet në një atmosferë të shkëlqyeshme, që ka kohë i ka munguar futbollit për shkak të pandemisë.