Lajme

Presidenti i Sllovenisë vjen në Kosovë për Bajram

Autori: Gazeta inFokus 13:02 | 12 May 2021

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor nesër viziton Kosovën dhe do të takohet me homologen kosovare Vjosa Osmani. Takimin bilateral mes dy presidentëve dhe vizitën e kreut të shtetit slloven në Kosovë e ka konfirmuar për Gazetën Express, këshilltari për media i presidentes Osmani, Bekim Kupina.

Presidenca ka konfirmuar vizitën dhe takimin e presidentes Vjosa Osmani me homologun slloven.

Këshilltari për media i presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina tha për Gazetën Express se presidenti slloven nesër do të arrijë në Kosovë dhe do të takohet me Osmanin.

-Advertisement-

“Po, presidenti slloven, Borut Pahor do të arrijë nesër në Prishtinë, dhe do të ketë takim me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani”, tha Kupina, duke shtuar se për agjendën e takimit do të njoftoheni më vonë.

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor vjen në Kosovë pas publikimit të disa dokumenteve “non-paper” që supozohej se kanë dalur nga shteti slloven, konkretisht zyra e kryeministrit Janez Jansha.

Megjithatë presidenti slloven, Borut Pahor ishte deklaruar lidhur me “non-paper” në një konferencë për media para gati një muaj.

“Kudo dhe në çdo kohë kam mundësinë të shpjegoj pozicionin tim në lidhje me zgjerimin e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor, unë shpjegoj sa vijon. Së pari, unë mbështes fuqimisht zgjerimin e BE-së në vendet e Ballkanit Perëndimor. Së dyti, zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor është një çështje gjeopolitike e kategorisë së parë. Së treti, unë mbështes tezën se, në të gjitha rrethanat, do të ishte më mirë nëse BE vendos të përfshijë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në BE në një kohë të shkurtër të arsyeshme dhe të rregullojë strategjinë e saj të zgjerimit në përputhje me rrethanat. Së katërti, zgjerimi i BE-së në vendet e Ballkanit Perëndimor po bëhet gjithnjë e më shumë çështje kohe, jo vetëm e vullnetit politik. Së pesti, zgjerimi më i shpejtë i BE-së në Ballkanin perëndimor do të zvogëlojë gjithashtu rëndësinë e ideve naive dhe të rrezikshme për ndryshimin e kufijve që nuk mund të ndodhin paqësisht për shkak të rrethanave. Unë i hedh poshtë të gjitha ato ide për ndryshimin e kufijve. Së gjashti, një proces më i shpejtë i përfshirjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor do të forconte ndjeshëm parimin e integritetit territorial të shteteve, të zgjidhte çështjet e tyre bilaterale dhe të forconte ndjeshëm stabilitetin e rajonit dhe të gjithë Evropës “, kishte thënë Pahor në një konferencë për media./

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera