Lajme

Presidenti dështoi me ushtrinë, vazhdon misionin për pajtim

Autori: Gazeta inFokus 10:13 | 01 January 2018

Gjithçka nisi në përvjetorin e “Epopesë së UÇK-së”.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, duke iu drejtuar ushtarëve të Forcës së Armatosur të Kosovës, më 5 mars të këtij viti, kishte bërë me dije se nuk do të rrijë duarkryq lidhur me transformimin e kësaj force.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në kazermën “Adem Jashari”, ku inicioi themelimin e ushtrisë.

-Advertisement-

Nga “Kazerma Adem Jashari”, Thaçi kishte deklaruar se do të veprojë brenda kompetencave kushtetuese dhe se do të marrë veprimet ligjore për themelimin e Ushtrisë së Kosovës nëpërmjet ndryshimit të ligjit për FSK-në.

Ndryshimet ligjore kanë qenë dera e vetme e hapur, pasi themelimi i ushtrisë s’kishte mundësi ndodhte me ndryshime kushtetuese, për arsye se ato nuk do t’i votonte Lista Serbe.

Thaçi kishte bërë gati gjithçka. Vetëm dy ditë pasi foli, ai ia dorëzoi Kuvendit, nëpërmjet kryetarit Kadri Veseli, projektligjin për transformimin e FSK-së në forcë me kompetenca mbrojtëse – ushtarake.

Presidenti, Hashim Thaçi, duke ia dorëzuar Projektligjin për Ushtrinë, kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.

Ky projektligj i ishte përcjellë më pas edhe Qeverisë së Kosovës.

Prej rolit të Komandantit Suprem të FSK-së, Thaçi kishte shtuar se s’kishte gjë që e ndal themelimin e Forcave të Armatosura.

Atij ju deshën dy ditë të inicionte gjithçka dhe vetëm një muaj që të zmbrapsej.

Më 7 prill, i kishte kërkuar kryeparlamentarit Veseli përmes një letre që projektligji i propozuar të mos vihej për miratim në Kuvend.

“Unë konsideroj se institucionet tona ende kanë kohën e mjaftueshme që bashkërisht të bëjmë edhe një përpjekje të fundit që të sigurojmë përkrahjen e të gjitha komuniteteve për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës”, kishte thënë Thaçi.

Iniciativën e Thaçit që ushtria të bëhej përmes ndryshimeve të ligjit, e kishin kundërshtuar SHBA-të. Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, kishte pohuar se mbështet Kosovën për Forcat e Armatosura, por jo që ato të bëhen me ndryshime ligjore, por kushtetuese.

Kështu që prej pranverës, kjo çështje përveç diskutimeve të shumta që janë bërë, ka ngecur aty. Pra viti 2018 e zë Kosovën pa ushtri të sajën.

Por ushtria nuk qe fronti i vetëm për presidentin.

Ai paraprakisht kishte nisur një iniciativë tjetër. Atë të themelimit të Komisioni për Pajtim dhe të Vërtetën.

Në kuadër të kësaj nisme janë zhvilluar disa takime gjatë vitit 2017, ku të përfshirë kanë qenë përfaqësues të institucioneve të larta, pastaj misionet diplomatike dhe shoqëria civile.

Presidenti, Hashim Thaçi, në njërin prej takimeve ku është diskutuar për Komisionin për Pajtim dhe të Vërtetën.

“Brezat e rinj duhet ta dinë se çfarë kanë bërë brezat e mëparshëm. Besimi i ndërsjellë duhet fituar, duke u respektuar interesi i palëve. Iniciativa për takimin konsultativ, vjen pas konsultave që kam pasur me liderë të mëdhenj të pajtimit. Kam takuar shumë shqiptarë, serbë, boshnjakë, romë, ashkali dhe egjiptianë për të konsoliduar këtë ide dhe këtë koncept”, kishte thënë ai ditën kur e kishte prezantuar iniciativën.

Gjatë muajit dhjetor, Thaçi ka prezantuar ekipin përgatitor të komisionit, ku pesë persona do të jenë nga shoqëria civile dhe katër të tjerët nga institucionet të cilët do të merren me përgatitjen e themelimit të mekanizmit që quhet Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UNICEF-i global boton artikull për rezultatet e partneritetit me Devolli Corporation: U fuqizuan gratë, përfituan familjet
-Advertisement-

Të tjera