Lajme

Presidenca u kundërpërgjigjet grekëve, lidhur me ekspozitën për Çamërinë

Autori: Gazeta inFokus 20:51 | 19 November 2021

Presidenca ka reaguar lidhur me lajmet në mediat greke rreth ekspozitës për Çamërinë në murin rrethues të institucionit.

Në një reagim për mediat, këshilltari për Mediat dhe Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi sqaron se Meta ka qenë i ftuar në datën 15 nëntor 2021, për të vizituar këtë ekspozitë, të organizuar nga shoqëria civile, me fotografi dhe harta të vjetra, mijëra vjeçare, të gjetura në Enciklopeditë dhe Muzetë e vendeve të ndryshme të botës, si Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës, Italisë, Turqisë dhe Greqisë.

Presidenti Meta e pranoi ftesën për të parë nga afër këtë ekspozitë, të organizuar jashtë ambienteve të Institucionit, pa marrë përsipër të vërtetojë saktësinë apo të bëjë interpretimin e materialeve të ekspozuara.

-Advertisement-

Blushi nënvizon se çdo shtet serioz, duhet ta ketë të qartë, se Presidenti i Republikës së Shqipërisë Meta nuk jep llogari për vendimet dhe qëndrimet e tij para asnjë ambasade të akredituar në Tiranë, por vetëm para Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe popullit shqiptar.

“Çdo përfaqësi e huaj në Tiranë, e çdo shteti që aderon në Konventën e Vjenës, për çdo pretendim apo sqarim lidhur me aktivitetin apo qëndrimet e Presidentit të Republikës, duhet të ndjekë vetëm rrugën zyrtare, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme” thekson Blushi.

Blushi e mbyll deklaratën duke rikujtuar se Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z Ilir Meta, siç dihet botërisht, ka qenë, është dhe do të mbetet një kundërshtar i vendosur i ndryshimit të kufijve në Ballkan.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vetëm edhe 4 ditë nga Bootcamp me Alan Greenberg, ish-Drejtorin për Edukim në Apple, Apliko Tani

Të tjera