Fokus

Presidenca shfajësohet për dështimin e dekretimit të ambasadorëve të rinj, fajin ia hedh MPJ-së

Autori: Doresa Geci 14:04 | 31 August 2021

Shteti i Kosovës, nga fillimi i javës (30 gusht) ka mbetur pa ambasadorë në 12 shtete mike. Kjo për faktin, se ambasadorët e shkarkuar në majin e këtij viti nga presidentja, Vjosa Osmani, nuk janë zëvendësuar me diplomatë të rinj, shkruan Gazeta Infokus.

Si pasojë e mosdekretimit të ambasadorëve të rinj, ata të shkarkuarit po kthehen në Kosovë, duke mos pasur kujt t’ia dorëzojnë detyrën.

Por e kujt është përgjegjësia për këtë kaos në shërbimin e jashtëm diplomatik të shtetit?

-Advertisement-

Këshilltari i presidentes,Vjosa Osmanit, Bekim Kupina e shfajëson shefen e shtetit.

Lexo edhe: Osmani, Kurti dhe Gërvalla dështuan në zëvendësimin e 12 ambasadorëve të rinj

Në një prononcim për Gazetën Infokus, ai ka thënë se në Presidencë nuk u ka shkuar asnjë propozim për dekretim të ambasadorëve të rinj.

“Deri tashti, Presidentes nuk i ka ardhur asnjë propozim për dekretim. Sapo të vijnë propozimet për dekretim, Presidentja do t`i nënshkruaj ato”, ka thënë Kupina për Infokus.

Kupina ka siguruar se gjatë dekretimit të ambasadorëve të rinj do të respektohet ligji.

“Presidentja Osmani do t’i dekretoj emrat menjëherë sapo të arrijnë nga Qeveria. Do të respektohet ligji sa i përket kuotës 50-50”, ka thënë ai.

Mirëpo, me Kushtetutë presidentja pos që është shefe e diplomacisë, ajo është e obliguar të garantoj funksionimin normal të institucioneve.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla pati deklaruar se 30 gushti do të ishte afati i fundit kur do të bëhej pranim- dorëzimi i detyrave nëpër ambasada.
Një gjë e tillë megjithatë nuk ndodhi.

Vetëm gjatë ditës së djeshme, tre ambasadorë kanë bërë publike përfundimin e misionit.

Madje, ambasadori i Kosovës në Australi, Hajdin Abazi, ka njoftuar se është larguar nga posti i tij pa pasur dikë që ta zëvendësoje dhe ta bëjë pranim – dorëzimin e detyrës.

Detyrën e ka liruar edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli dhe ai në Gjermani, Beqë Cufaj.

Për vonesën e Qeverisë në procesin e emërimit të ambasadorëve të rinj ka patur kritika të vazhdueshme nga deputetët opozitar.

Zëvendëskryetari i Komisionit parlamentar për Politikë të Jashtme, Xhavit Haliti, para pak ditësh ka deklaruar për Infokus, se vonesa në përzgjedhjen e ambasadorëve të rinj mund të jetë si pasojë e problemeve që kanë partnerët e koalicionit qeverisës.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Guxo, siç ka thënë ai, dëshirojnë të dërgojnë njerëzit e tyre në këto ambasada.

Po ashtu, sipas tij mund të ketë konflikt ndërmjet presidentes dhe kryeministrit për emrat e përmendur për ambasadorë.

12 shtetet në të cilat Kosova ka mbetur pa ambasadorë fuqiplotë janë: Gjermania, Shqipëria, Çekia, Holanda, Hungaria, Kroacia, Sllovenia, Maqedonia e Veriut, Australia, Mali i Zi, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera