Lajme

Presidenca pas caktimit të datës të zgjedhjeve: U zgjodh si një datë optimale që balancon preferencat e të gjitha palëve

Autori: Gazeta inFokus 20:11 | 16 August 2024

Pas shpalljes së datës së zgjedhjeve parlamentare nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, institucioni që ajo drejton ka dalë edhe me një reagim tjetër.

Këshilltari i Presidentes, Bekim Kupina ka thënë se pas shqyrtimit të të gjitha qëndrimeve, 9 shkurti 2025 u zgjodh si një datë optimale që balancon preferencat e të gjitha palëve të përfshira.

“Presidenca ka vlerësuar se është me rëndësi që fushata zgjedhore të fillojë pas përfundimit të një sërë festash kalendarike të cilat vazhdojnë deri me datën 7 janar. Për më tepër, Presidentja Osmani tashmë ka ftuar BE-në që të dërgojë një mision për vlerësim preliminar, ndërkaq sipas praktikave, do t’i drejtohet sërish BE-së sa i përket misionit vëzhgues, ku do të propozohet që të monitorohet edhe periudha e fushatës, e jo vetëm dita e zgjedhjeve. Duke pasur parasysh që edhe prezenca e ekipeve monitoruese mund të afektohet nga periudha e festave, edhe kjo u mor parasysh në përcaktimin e datës së zgjedhjeve.”, ka shkruar Kupina në Facebook.

-Advertisement-

Ai tha se Presidentja Osmani e ka marrë pas shqyrtimit të kujdesshëm të rrethanave dhe çështjeve që duhen marrë parasysh, si dhe pas një analize të plotë të aspekteve ligjore në mënyrë që të organizohet një proces zgjedhor sipas standardeve më të larta demokratike.

“Ashtu siç e parasheh ligji, Presidentja ka mbajtur konsultime me të gjitha partitë politike të përfaqësuara në Kuvend dhe ka marrë propozime të ndryshme, që variojnë nga 26 janari e 2 shkurti deri te 9 e 16 shkurti 2025. Lidhur me datën e zgjedhjeve, Presidentja ka pasur diskutime edhe me Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili ka paraqitur disa aspekte teknike dhe logjistike, të cilat sipas KQZ-së, do të duhej të shqyrtoheshin para nënshkrimit të këtij dekreti.”, është shprehur Kupina.

Tutje, Kupina ka shtuar se Presidentja, do të kërkojë që në veçanti të monitorohet aspekti i barazisë gjinore, si në kohë fushate (debatet, pjesëmarrja, buxhetimi, dhuna virtuale, etj), ashtu edhe në ditën e zgjedhjeve. Përgjatë takimeve, Presidentja vazhdimisht ka potencuar që duhet te ketë kohë të mjaftueshme që të bëhen të gjitha përgatitjet e duhura edhe për votimin e mërgatës në përputhje me ligjin e ri.

“Presidentja Osmani u bën thirrje të gjitha subjekteve politike, organizatave të shoqërisë civile dhe qytetarëve që të angazhohen në këtë proces me seriozitetin dhe përkushtimin që meriton, duke ruajtur standardet demokratike dhe rregullat më të larta të etikës, në mënyrë që Kosova të vazhdojë të mbetet shembull i zgjedhjeve të lira e demokratike.”, shtoi Kupina.

Këshilltari Kupina tha se Osmani së shpejti, do t`i ftojë të gjitha partitë politike që ta nënshkruajnë një listë zotimesh të përbashkëta, me të cilat shprehet përkushtimi i tyre për t`i ruajtur standardet më të larta në këtë proces zgjedhor.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita po tërheq klientë seriozë në Panarin IMM, në Këln të Gjermanisë
-Advertisement-

Të tjera