Opinione

“Presheva- pjesë e pandarë e Lëvizjes Kombëtare nëpër shekuj”

Autori: Gazeta inFokus 19:46 | 18 November 2017

Trashëgimia kulturore një nga sferat më të rëndësishme të shoqërisë shqiptare në Luginë të
Preshevës dhe më gjerë, pasurohet edhe me një libër tjetër monografik të autorit preshevar prof.
Xhemaledin Salihu me titull: “Presheva- pjesë e pandarë e Lëvizjes Kombëtare nëpër shekuj”
(Monografi), Preshevë, 2017.

Ky është libri i tretë me radhë i kësaj natyre, pas atij kushtuar Bujanocit, si burim i trashëgimisë
kulturore dhe natyrore, gjatë vitit 2014 dhe Raincës, vendbanimit më të vjetër dardano-shqiptar
në rajonin e Preshevës, në vitin 2015.
Ideja e një Monografie të përgjithshme për Preshevën, autorit i ka lindur që moti, duke
hulumtuar, grumbulluar e sistemuar vlerat e trashëgimisë kulturore dhe duke trajtuar aspekte të
jetës shoqërore të kësaj krahine autoktone shqiptare.

Në librin monografik “Presheva pjesë e pandarë e Lëvizjes Kombëtare nëpër shekuj”, trajtohen
tema të rëndësishme nga aspekti gjeografik,toponimik, historik, gjatë kohërave të ndryshme,
luftërat dhe rezistenca e Shqiptarëve të Preshevës për liri e drejtësi, trashëgimia kulturore,
trashëgimia natyrore, trashëgimia shpirtërore, Karadaku i Preshevës, arsimi, kultura dhe
informimi i saj.

-Advertisement-

Pra, Monografia ka hyrjen dhe përbëhet nga 6 kapituj, kapitulli I: Mëhallët dhe toponimia,
kapitulli II: Histori, kapitulli III: Trashëgimia kulturore, natyrore, shpirtërore, Karadaku, kapitulli
IV: Arsimi, kapitulli V: Kultura dhe kapitulli VI: Informimi.

Në recensionin e Dr. Veton Zejnullahu, duke lexuar librin për Preshevën nga autori Xhemaledin
Salihu, që në kapitullin e parë mësojmë për Mëhallët e Preshevës, që janë karakteristike për
organizmin territorial të qytetit dhe vërejmë se janë dhjetëra mëhalla, secila me karakteristikat e
veta dhe me shtrirje që autori na jep të dhëna deri në detalet më të vogla. Gjithashtu, në hollësi
jepen edhe toponimet e Preshevës dhe fshatrave përreth saj, duke dhënë me qindra emërtime, të
cilat janë ruajtur me fanatizëm nga banorët vendorë, të cilat i shoqëron me fotografi shumë të
vjetra, por edhe dokumente dhe harta, që flasin më së miri për toponiminë e kësaj ane.

Në kapitullin e dytë autori përqendrohet në aspektin historik, duke na sjellë shumë fakte për të
kaluarën, sa të bujshme aq edhe të lavdishme të Preshevës gjatë rrjedhave të ndryshme të
historisë.
Presheva edhe pse vend i vogël dhe i ndarë nga trungu i saj amtar, ajo gjithherë ka qenë
kontribuuese e madhe e Lëvizjeve Kombëtare për Çlirim. Në të gjitha Kuvendet e mëdha
kombëtare, Presheva ishte e përfshirë, duke dhënë kontributin e vet në përpjekjet e shqiptarëve
për liri.

Dëshira e shqiptarëve për liri dhe bashkim me Kosovën u shprehën më së miri me Referendumin
e 1 dhe 2 Marsit të vitit 1992, të cilin autori e paraqet me foto dhe dokumente me vlera të shumta
si kombëtare ashtu edhe historike.
Në kapitullin e tretë autori sjell të dhëna të shumta për trashëgiminë kulturore, natyrore dhe
shpirtërore të Preshevës dhe na jep detaje për vendndodhjen e tyre, duke u shërbyer edhe me
matjet gjeografike që t’i bëjë sa më lehtë të kuptueshme për lexuesin. Kalatë e vjetra, objektet
fetare të të gjitha religjioneve, kullat, varreza të vjetra, duke dhënë edhe informacione shumë të
sakta, pastaj pasuritë e pafundme natyrore dhe ato kulturore japin një imazh të plotë dhe shumë
mbresëlënës për Preshevën dhe rrethinën e saj.

Në kapitullin e katërt, që flet për arsimin në Preshevë, shohim dëshirën e madhe të preshevarëve
për shkollim dhe edukim. Gjurmë të shkollimit autori gjen nga kohërat më të vjetra dhe ato i
paraqet në libër. Edhe në kapitullin e pestë autori na jep shumë të dhëna dhe informacione
për kulturën në Preshevë. Në këtë kapitull, autori ndalet për bibliotekarin në Preshevë, si dhe për
perspektivën e saj.
Presheva për shumë vjet me radhë ishte edhe organizatore e festivaleve kombëtare të
recitimit por edhe e vizitave të shumta të teatrove të ndryshme, të cilat performuan në Preshevë.
Në kapitullin e gjashtë dhe të fundit autori flet për informimin në Preshevë, duke na dhënë të
dhëna për fillet e gazetarisë në Preshevë, si dhe përpjekjet e vazhdueshme të studentëve
preshevarë, të cilët përmes shoqatave dhe organizatave të ndryshme mundoheshin për një
informim sa më kualitativ.

Ndërkaq në recensionin e Dr. Ardian Emini, autori i librit monografik, synon ta trajtojë në
vështrimin shumë dimensional, me ç’rast i bashkëdyzon shumë fusha studimore, si trashëgiminë
kulturore me atë shpirtërore, natyrore këto me raportin dhe ngjarjet historike, sociale, arsimore,
kulturore, raportin demografik e pozicionin gjeografik. Autori nuk e ruan në mënyrë strikte
parimin kronologjik, megjithatë ai synon që t’i ndërthurë ngjarjet e fenomenet e të njëjtat t’i
krahasojë mes veti ngjarjet me vitet në këtë formë të nxjerrë të dhëna për Preshevën dhe banorët
e saj.
Në këtë drejtim, sipas dr. Eminit, vërehet se libri ka një sintezë mjaft interesante që fillon me
pozitën gjeografike, vazhdon me emërtimin e Preshevës Toponimet në Preshevë, aspektin

historik… së dyti autori në këtë libër trajton edhe të mirat natyrore/ trashëgiminë natyrore e
kulturore të kësaj treve dhe në fund arsimin dhe kulturën. Autori në përmbajtjen e këtij libri
transmeton vlera të shkrimit/ përshkrimit dhe ruajtjes e kultivimit të trashëgimisë kulturore si dhe
ngjarjeve historike nga shqiptarët e kësaj treve. Kjo më së miri vërehet nga intervistat e shumta,
të cilat autori i paraqet. Andaj këtë libër duhet konsideruar si një vlerë të shtuar për trevën e
Preshevës, një libër, i cili na sjell informata të shumta e të nevojshme për këtë pjesë të trungut
shqiptar.

Rëndësia e këtij libri, duhet parë edhe në një drejtim tjetër si në atë historik e njoftues, me ç'rast
autori përmes paraqitjes së ngjarjeve të ndryshme historike kulturore dhe natyrore argumenton
autenticitetin dhe kontunitetin e jetesës shqiptare në këtë trevë, thuhet mes tjerash në
rencensionin e dr. Ardian Emini.

Nga recensionet e librit monografik “Presheva pjesë e pandarë e Lëvizjes Kombëtare nëpër
shekuj”, të autorit prof. Xhemaledin Salihu, del se ky autor me punën e tij ka arritur, që në këtë
libër të inkorporojë shumë elemente studimore, të cilat do t’i hyjnë në punë lexuesit dhe
studiuesve të ardhshëm të kësaj fushe, fondament i së cilës do të jetë interdisiplinariteti i këtij
libri. Gjithashtu, librit monografik “Presheva pjesë e pandarë e Lëvizjes Kombëtare nëpër
shekuj”, botohet në kuadër të Institutit Albanologjik të Prishtinës, me redaktorin prof.dr.
Lulëzim Lajçi, sekretar shkencor. Libri botohet në 616 faqe, të shoqëruara me 450 ilustrime.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Las Vegas Market prezanton linjat e reja të dyshekëve për tregun amerikan

Të tjera