Lajme

Presheva në këmbim të autonomisë territoriale

Autori: Gazeta inFokus 11:14 | 10 August 2018

Debati i hapur për një marrëveshje të mundshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka filluar të marrë një rrjedhë deformuese sa i takon pozicionimit mbarëshqiptarë lidhur me këtë marrëveshje që po quhet finale dhe e obligueshme për të dy palët. Fajtori kryesor për këtë lloj deformimi është Presidenti Hashim Thaçi i cili me një sjellje, prej autokrati tipik, ka filluar betejën e monopolizimit të çdo ideje të mundshme në këtë proces

Nga Shemsi Syla

Pa u konsultuar paraprakisht po thuajse me asnjë nga faktorët relevant në Kosovë, Thaçi nga deklarimet se kompromisi i marrëveshjes finale me Serbinë do të jetë i dhimbshëm, papritmas doli tek ideja e korrigjimit të kufijve që mundëson bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën.

-Advertisement-

Thaçi, kështu po luan me idenë e manipulimit të krijosh problemin e më pas të ofrosh zgjidhjen e tij. Këtë lloj manipulimi Thaçi po e bënë në koordinim me Vuçiqin i cili dje deklaroi se pajtohet për ridefinim të kufijve (demarkacion) me shqiptarët në Kosovë. Por ka deklaruar se nuk mund të flas se për çfarë po bisedon me shqiptarët e Kosovës, sepse kjo do të zbulonte kartat e Serbisë në bisedime.

E për dallim nga Vuçiqi i cili nuk shpalos ide e opsione por i ruan për tavolinën e bisedimeve, Hashim Thaçi mundësitë për këmbim idesh për hartimin e një platforme përmes një koncenzusi gjithëpërfshirës i ka shëndërruar në debat në opinionin publik për apo kundër ideve të tij e jo të një platformë kombëtare.

Thaçi kështu po e shterrë debatin konstruktiv po i mbytë idetë dhe propozimet. Sa del një ide apo një propozim që ai nuk e ka thënë menjëherë thërret konferencë shtypi dhe e plason edhe si ide dhe qëndrim të tij dhe tash kur e ka mbytur debatin publik po deklaron se ka edhe një plan (B) nëse këto që po i thotë publikisht nuk realizohen.

Por megjithate edhe pse e ka personalizuar dialogun ende nuk është në gjendje të jap përgjigje në pyetjet që janë shtruar në opinionin publik:

1. Pse Thaçi dhe Vuçiqi po flasin në sinkron me njëri tjetrin? A kanë ata një marrëveshje kornizë paraprake të panjohur deri më tani?

2.
 Mbi çfarë baze presidenti i Kosovës e garanton klasën politike dhe qytetarët se në bisedimet me Serbinë do të kërkoi bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, pa dhënë asgjë në këmbim?

3. Po plani “B”, çfarë na qenka, imagjinarë apo i hartuar e i studiuar?

4. Dhe kjo tentativë për të mbytur ç‘do zë dhe mendim të kundërt, kujt i shërben në këtë proces, që është jetik për shtetin e Kosovës?

E gjithë kjo mënyrë e sjelljes, prej autokrati tipik, më shumë se sa hapje të një debati për thelbin e problemit, ka ngjallur paranoja, mosbesim dhe kundërshti, për e kundër Hashim Thaçit.

Në Kosovë nuk fletë askush për opsionet që ka Kosova në këto bisedime, kurse në shtypin serbë janë publikuar pesë opsionet për zgjidhjen përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë:

1.Marrëveshja pa njohje; 2. Ndarja e Kosovës; 3. Shkëmbimi i territoreve; 4. Autonomia territoriale si garancë e mos diskriminimit; 5. Të injorohet zgjidhja e problemeve me Kosovën.

Është e kuptueshme se të flasësh për një marrëveshje me Beogradin, nuk është aspak e lehtë për cilindo lider. Pesha e rëndë e së shkuarës, po aq sa edhe sjellja e Serbisë post- millosheviqiane, do t’a vendosnin këdo nën llupën e vëzhgimit. Thaçi në vend që të luante rolin unifikues të presidentit, duke shtruar trasenë e rrahjes së ideve dhe përbashkimit të njerëzve për t’u përgatitur për marrëveshje, ai po krijon imazhin e një lideri të pazëvendësueshëm, ndoshta edhe nga paranoja e tij për të kaluarën.

Prandaj, sot jemi në situatën kur të gjithë në vend të këmbimit të ideve po bërtasin, sepse është jashtë çdo logjike të deklarosh nuk ka ndarje të Kosovës; nuk ka shkëmbim të territoreve; nuk ka autonomi territoriale për serbët, por bashkim të Medvegjës, Bujanovcit e Preshevës me Kosovën.

Ky artikulim politik po ngjallë dyshime se në fund të dialogut, përmes “Zajednicës” marrëveshja finale do të jetë opsioni i katërt serbë – Autonomia territoriale si garancë e mos diskriminimit, ku si këmbim Kosovës do ti bashkangjitej Presheva me disa fshatra për rreth. Ky opicion po përputhet edhe me deklarimet e Thaçit i cili në fund do të përpiqet ta relativizoj dëmin katastrofal për Kosovën me marrjen e Preshevës, kurse në fakt kjo do të thotë se në Serbi më nuk do të ketë çështje shqiptare, as Luginë të Preshevës, kurse në Kosovë faktorizim i plotë i komunitetit serbë me një lidhje territoriale veri-jug mes për mes Kosovës.

Kurse argumenti do të jetë se e ruajtëm paprekshmërinë e territorit të Kosovës, por në fakt do të copëtohej edhe Kosova edhe Lugina e Preshevës.
Hashim Thaçi ka deklaruar publikisht se “mos të mejdoj kush se Serbia do ta njoh Kosovën veç hajt”.

Kjo sjellje e Hashim Thaçit, është edhe një argument shtesë që i jep të drejtë Lëvizjes Vetëvendosje për kundërshtimin sistematik se Thaçi nuk duhet t’i udhëheqë bisedimet me Serbinë. Kjo sjellje e forcon qëndrimin dhe propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje që paraprakisht t’i bëhet një analize dialogut të deritashëm me Serbinë. Të kërkohet zbatimi dhe korrigjimi i marrëveshjeve të arritura dhe pastaj të hartohet një platformë lidhur me bisedimet e ardhshme me Serbinë.

Kosova ka nevojë për një platformë kombëtare që fletë shqip dhe është e shkruar shqip e jo për nisma, opsione e ide të Thaçit, të cilat fillimisht i hidhen në tavolinë në gjuhë të huaj e pastaj përkthehen shqip.

/Autori është deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BLACK FRIDAY ME ZBRITJE DERI 70%
-Advertisement-

Të tjera