Lajme

Prapaskenat e dasmës së Sylejman Selimit, Presidenti Thaçi shkoi i paftuar në Klinë

Autori: Gazeta inFokus 11:28 | 25 February 2018

Si shkoi Thaçi i paftuar në dasmën e Selimëve në Klinë? Cilin ministër e urdhëroi që ta shpërndante foton e dasmës, në të cilën Presidenti Thaçi shihej në një kuadër me Sylejman Selimin? A qëndroi Thaçi deri në fund të dasmës?
Ende i kemi të freskëta reagimet e familjes së ish komandantit të UÇK’së, Sylejman Selimit, kur ky i fundit ishte dënuar për krime të luftës nga gjykatësit e EULEX’it. Bashkëshortja e Selimit, atë ditë, kishte mallkuar Presidentin Thaçi, duke shkruar “Mallkimi raftë mbi ju President, të vrafshin lotët e fëmijëve tanë”, kishte shkruar Kimetja në mes tjerash.

Prej atëherë kanë kaluar disa muaj. Nuk kishim dëgjuar diçka më tepër rreth raporteve të Thaçit me Sylejman Selimin, përveç spekulimeve se ato nuk ishin të mira.
Para dy javësh u dukë se këto paskan qenë vetëm spekulime dashakeqe dhe asgjë më tepër. Në një foto që po qarkullonte nëpër portale u krijua përshtypja që ditët e këqija në mes të familjes Selimi dhe Presidentit Thaçi i takonin të shkuarës. Në një foto nga dasma e vëllait të Sylejman Selimit, Thaçi po shihej duke festuar me verë, i disponuar, bashkë me miqtë e tjerë dhe familjen e Selimit.

Mirëpo, ky iluzion, që ishte vetëm një iluzion optik, nuk zgjati shumë. Nuk shkuan as disa ditë kur Sylejman Selimi e hodhi poshtë më përbuzje një dekoratë të Presidentit Thaçi, duke rikonfirmuar zërat që në mes këtyre dyve asgjë nuk ishte ashtu siç dukej nga një foto.

-Advertisement-

Gazeta Express, pas këtyre zhvillimeve, ka pyetur disa nga protagonistët, se si ishte e mundur që Selimi e refuzoi dekoratën e Thaçit për merita, e në anën tjetër këtë të fundit e kishte ftuar në dasmën e vëllait.

“Nuk e ka ftuar në dasmë”, i tha Gazetës Express njëri prej bashkëbiseduesve.
“E vërteta është shumë më e turpshme për Presidentin Thaçi. Ai atë ditë e bëri atë që di ta bëjë më së miri – shkoi i paftuar në dasmë”, tregoi ky burim.

Sipas tij, Thaçi e kishte shfrytëzuar situatën duke shkuar në dasmë bashkë me luftëtarë të tjerë, ndonëse vetë nuk kishte ftesë. Bashkëbiseduesi tregon se Thaçi kishte llogaritur që Sylejman Selimi dhe familja e tij nuk do ta dëbonin nga dasma e tyre, sepse shkonte kundër traditës.

“Për Thaçin kjo gjë ka shumë rëndësi, ai nuk mërzitet për reputacionin e tij te tre-katër persona, atij i interesonte që ta përcillte mesazhin në tërë Kosovën, duke e shpërndarë foton, në të cilën ai shihej në një kuadër me Sylën”, thotë burimi.

I njëjti burim tregon se Presidenti Thaçi ishte treguar jashtëzakonshëm i vëmendshëm dhe i interesuar personalisht që fotografi i dasmës ta realizonte një foto.

“Në momentin që ishte shkrepur fotoja, Thaçi i kishte thënë Dardan Gashit që të njëjtën ta shpërndante shumë shpejt nëpër portale, me disa prej të cilave Gashi ka komunikim të rregullt”.

Burimi i Gazetës Express tregon se në momentin që është bërë fotoja, në momentin që ajo ka dalë nëpër portale dhe rrjete sociale, Thaçi është larguar nga dasma, duke mos qëndruar deri në fund të saj.

“U pa qartë pse kishte shkuar atje. Për të bërë një foto, për t’u dukur në opinion që Presidenti Thaçi ka raporte të mira me Sylën. Kaq.”

Megjithatë Sylejman Selimi nuk ka dashur që ta prishë dasmën, ai e ka lënë derën të hapur për të gjithë ata që shkonin në dasmën e vëllait.

Mirëpo, pak ditë më vonë ia kë bërë të qartë Presidentit Thaçi që për raportet në mes tyre, nuk kishte lajme të mira. Ai ka refuzuar dekoratën e tij.

Sylejman Selimi mbetët njëri prej komandantëve më të popullarizuar të UÇK’së.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Intervistë: Dr. Gorazd Konjanovski – Klinika Zhan Mitrev ka luajtur një rol kyç në vendosjen e themeleve në kardiokirurgji dhe…
-Advertisement-

Të tjera