Opinione

Pozitë pa përvojë pushtetare dhe opozitë pa përvojë opozitare

Autori: Gazeta inFokus 21:59 | 10 March 2022

Kjo Kosova jonë e re si “nuse nuse kalistruse” na ka qëlluar me një pozitë pa llullë përvoje në qeverisje siç po dëshmohet me qesharakizëm çdo ditë e më shumë si dhe një opozitë që s’ka llullë përvoje efektive opozitare duke u bërë çdo ditë e më shumë po aq qesharake sa pozita.

Shkruan: Agron HOTI

E demokracia ka kuptim vetëm kur ke pozitë e opozitë me përvojë dhe me aksion të parreshtur politik. Pozita është sikur Oferta, kurse opozita si Kërkesa. Pa u barazuar Oferta me Kërkesën s’ka çmime e as situatë stabile. E pa stabilitet s’ka prosperitet. Po ashtu, pa ballafaqim ‘dhëmb për dhëmb’ mes pozitës dhe opozitës s’ka zhvillim demokracie. Demokracia zhvillohet vetëm ku ka ide, ofertë që shoqërohen me veprime konkrete.

-Advertisement-

Kështu siç janë aktualisht, pozita është komode duke u vetëgënjyer që po bën punën e duhur, ashtu siç është komode opozita duke u vetëgënjyer që po ashtu po bën punën e duhur. Por, si njëra ashtu edhe tjetra, profesionalizmin, punën e tyre dhe aksionin politik duhet ta masin vetëm duke u futur në stadium të mbushur me qytetarë për t’i hyrë lojës. Shmangia nga stadiumi i bën të pavlerë.

Përderisa loja e futbollit zgjat 90 minuta, loja mes pozitës dhe opozitës zgjat 4 vite, pra nga fillimi deri në fund të mandatit qeverisës. Nëse kjo nuk kuptohet kështu, atëherë stadiumi do të mbetet bosh pa qytetarë, të cilët edhe ashtu duke e parë agoninë dhe papërgjegjshmërinë pozitë-opozitë, kanë vendosur të ikin nëpër stadiume të botës së jashtme, atje ku vërtetë luhen lojëra cilësore e prosperuese.

Dinamikat aktuale të shpejta në glob s’durojnë më agonira sikurse po ndodh në Kosovë. Sa më shumë të zgjasë kjo gjendje, aq më keq për vendin. Agonia nëse vazhdon kështu do t’i shpie në ligë të dytë pozitë e opozitë, kurse do të sjellë në ligë skuadra që vërtet duan lojën, punën dhe prosperitetin. Liga politike sikurse ajo sportive do aktivizëm e aksion politik, përndryshe s’është ligë. Agron Hoti

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera