Lajme

Pozitë e opozitë së bashku kundër referendumit serb në Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 14:34 | 14 January 2022

Tashmë edhe pas takimit me ambasadorët e QUINT-it, Qeveria, Presidenca dhe Kuvendi kanë dalë me deklaratë të përbashkët kundër referendumit të Serbisë në Kosovë.

Kjo komunikatë e përbashkët erdhi menjëherë pas takimit ku thuhet se referendumi është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

“Kushtetuta e Kosovës, ligjet e aplikueshme në Kosovë si dhe e drejta ndërkombëtare dhe praktika ndërkombëtare nuk e njohin të drejtën e një shteti për të realizuar referendum në territorin sovran të një shteti tjetër. Prandaj, praktikat e deritanishme të aplikuara që nga viti 2012, kanë qenë kundërkushtetuese, e si rrjedhojë nuk i obligojnë institucionet e tanishme të Republikës së Kosovës të dala nga vullneti i qartë i qytetarëve i shprehur më 14 shkurt 2021. Aq më tepër kur këto praktika kanë rezultuar vetëm me fuqizimin e strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

-Advertisement-

Derisa mbrapa këtij mendimi qëndrojnë edhe opozita. Pra opozita kanë deklaruar se janë pranë kryeministrit Kurti dhe presidentes Osmani në këtë vendim.

Kështu ka deklaruar kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe i pari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Abdixhiku tha se një referendum i tillë është i papranueshëm për partinë e tij.

“Lidhja Demokratike e Kosovës e sheh të papranueshëm mbajtjen e çfarëdo referendumi të një shteti tjetër në territorin e Republikës së Kosovës. Kushtetuta e Kosovës, ligjet e Kosovës dhe praktikat ndërkombëtare, janë të qarta në këtë drejtim. Prandaj ne presim dhe mbështesim respektimin e këtyre normave në plotni.”, ka shkruar Abdixhiku.

Derisa Haradinaj referendumin e ka cilësuar sulm flagrant mbi sovranitetin e Kosovës.

“Pretendimi i Serbisë që të organizojë referendum kushtetues në territorin e Kosovës është sulm flagrant mbi sovranitetin dhe integritetin e kushtetutës së Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.

E edhe Krasniqi e quajti të papranueshëm mbajtjen e referendumit serb në Kosovë.

“Partia Demokratike e Kosovës konsideron se mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë është antikushtetuese dhe kjo do të përbënte shkelje flagrante të sovranitetit të Republikës së Kosovës. Ka dallim esencial ndërmjet zgjedhjeve dhe referendumit, andaj është i papranueshëm lejimi i votimit në Kosovë për referendumin e nje shteti fqinj”, tha Krasniqi për Gazetën Express.

E gjithë kjo erdhi pas kërkesës nga shtetet e QUINT-it që Kosova të pranojë mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë.

E përkundër këtij presioni, pozita dhe opozita në Kosovë kanë vendosu të mos dorëzohen. Në lidhje me këtë nesër pritet të mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës.

Qytetarët e Serbisë, më 16 janar, do të deklarohen me “po” apo “jo” për një pyetje: “A jeni për konfirmimin e aktit për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë?”.

Ndryshimet kanë të bëjnë me gjyqësorin dhe Serbia është obliguar për to në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Siç kanë shpjeguar vazhdimisht përfaqësuesit e BE-së, qëllimi i ndryshimit të kushtetutës së Serbisë është që të arrihet një gjyqësor i pavarur, pa ndikim politik dhe për sundim të ligjit./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera