Lajme

Pozita dhe opozita me mendime të ndryshme për vazhdimin e dialogut, pa u sanksionuar Serbia

Autori: Gazeta inFokus 13:47 | 15 October 2023

Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të këmbëngul se pa u vënë sanksione ndaj Serbisë për sulmin terrorist në veri nuk mund të vazhdojë dialogu. Sipas partisë në pushtet është e pamundur të rikthehen në dialog dhe të shtiren sikurse nuk ka ndodhur asgjë me 24 shtator.

Andaj nënvizojnë se para çfarëdo iniciative për rikthim të dialogut fillimisht duhet të dënohet Serbia për aktin e agresionit në Kosovë. Mirëpo, partitë opozitare në vend kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që të jetë më e kujdesshme pasi dialogu me Serbinë nuk ka alternativë, andaj nuk guxohet të ketë barrikada të tilla.

Deputetja e LVV-së, njëherësh kryetare e Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme, Arbreshë Kryeziu-Hyseni, thotë për KosovaPress se në rrethanat e aktuale për Kosovën më të rëndësishme janë siguria dhe sanksionimi i Serbisë, se sa dialogu.

-Advertisement-

“Definitivisht jo. Nuk ka kuptim të dialogohet derisa nuk e ke të sanskionuar një shtet që ka organizuar një sulm terrorist brenda territorit të Republikës së Kosovës. Është e pamundur të dialogohet me një shtet që bënë plane të tilla terroriste me shtetin me të cilin synon të arrijë një marrëveshje normalizimi. Është e pamundur që të rikthehemi në dialog tani sikur thjeshtë nuk ka ndodhur asgjë me datën 24 shtator. Ajo çka ka ndodhur me 24 shtator është e paevitueshme dhe pashmangshme dhe nuk mund të sillemi sikur s’ndodhi asgjë dhe të qëndrojmë komplet indiferent ndaj asaj se çka ndodhi më 24 shtator”, thotë ajo.

Mirëpo, deputeti i PDK-së, Ferat Shala, thotë se Kosova nuk guxon të barrikadohet kundër dialogut pasi s’ka zgjidhje të tjera.

“Kosova dhe institucionet e shtetit nuk guxojnë të dalin me konstatime të tilla se përjashtojnë dialogun. Ne duhet të kemi platformën, strategjinë, kërkesat dhe objektivat tona. Nëse hedhim poshtë dialogun duhet të japim sqarim opinionit të gjerë se çka po ndodh me të gjitha ato që janë arritur deri sot, cilat janë perspektivat dhe cila është strategjia për të ardhmen. Kur mungon dialogu mbetet pjesa tjetër, vijat e frontit dhe konsideroj se nuk guxojmë të barrikdaohemi në situata të tilla”, thekson Shala.

Në anën tjetër, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj nënvizon nevojën për dialog me Serbinë, por shton se Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për atë çfarë ndodhi më 24 shtator në fshatin Banjskë të Zveçanit.

“Dialogu me Serbinë s’ka alternativë ne duhet të dialogojmë, mirëpo pas 24 shtatorit, agresionit që ka bërë Serbia dhe që ka menduar të aneksojë veriun mendoj se gjërat kanë ndryshuar. Qeveria e Kosovës duhet të kërkojë që së pari të hiqen sanksionet pasi po dihet se kush është shkaktar i destabilizimit të Kosovës dhe ajo është qeveria e Serbisë. Po ashtu të kërkojë të vendosen sanksione Serbisë, pasi përndryshe s’ka kuptim’, thekson ai.

Në lidhje me dialogun është paralajmëruar se gjatë muajit tetor do të vizitojnë Kosovën dhe Serbinë, emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, së bashku me përfaqësuesin e ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe këshilltarët e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kryeministres italiane, Giorgia Meloni.

Për të konfirmuar një gjë të tillë KosovaPress ka pyetur në zëdhënësin e BE-së, Peter Stano, mirëpo i njëjti nuk ka kthyer përgjigje.

Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq më 14 shtator kanë pasur takimin e fundit në kuadër të dialogut në Bruksel, por që përfundoi pa asnjë rezultat.

Në anën tjetër, më 24 shtator një grup i armatosur terrorist ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku dhe i plagosur polici Alban Rashiti. Ndërkaq, u vranë tre sulmues të grupit terrorist, kurse katër prej tyre u arrestuan.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Diplomon gjenerata e dytë e studentëve UNIK të UNI-të me diploma të fuqizuara nga Arizona State University
-Advertisement-

Të tjera