Posti i komisionarit të Zgjerimit të BE-së bëhet sërish tërheqës
Autori: Gazeta inFokus 09:25 | 29 July 2024
Menjëherë pasi Parlamenti Evropian, më 18 korrik, ka konfirmuar Ursula von der Leyenin në postin e presidentes së Komisionit Evropian edhe për një mandat të ri pesëvjeçar, kanë filluar kalkulimet se kush do t’i ketë postet kryesore në kolegjin e ri të komisionarëve, siç njihet Komisioni Evropian.
Sipas traktateve themelore të BE-së, Komisioni Evropian duhet t’i ketë aq anëtarë sa ka vende anëtare BE-ja, që do të thotë se secili vend anëtar ka një komisionar, raporton Radio Evropa e Lirë.
Kur emërohen në postet e komisionarëve, ata duhet t’i shërbejnë BE-së dhe jo vendit prej nga vijnë. Por, megjithatë, vendet anëtare synojnë dhe lobojnë fuqishëm që komisionarët e tyre të kenë poste sa më të rëndësishme.
Poste kryesore në Komisionin Evropian konsiderohen, zakonisht, ato që kanë të bëjnë me financa, bujqësi, fonde, tregti dhe energji.
Edhe pse në BE nuk ka poste të komisionarëve që janë të parëndësishme, ndikimi i atyre që merren me resorë si kultura, edukimi, shëndetësia dhe disa fusha të tjera, është më i vogël.
Kjo, jo për faktin se këto fusha nuk janë të rëndësishme, por më shumë për shkak se ato janë kryesisht kompetenca të vendeve anëtare dhe Komisioni Evropian ka më pak ndikim në to.
Kësaj radhe ka shumë interes nga vendet anëtare që kandidati i tyre ta marrë postin e komisionarit të Zgjerimit të BE-së.
Situata nuk ka qenë kështu para pesë vjetësh. Që nga viti 2004, kur ka ndodhur zgjerimi i madh i Bashkimit Evropian me dhjetë anëtarë të rinj, posti i komisionarit për Zgjerim nuk është konsideruar si i rëndësishëm.
Atëkohë, është kuptuar se në procesin e zgjerimit mbeten vetëm vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe ato janë shumë larg anëtarësimit, andaj komisionari i Zgjerimit nuk do të mund të kishte ndonjë sukses të konsiderueshëm në mandatin e tij.
Nga viti 2007, kur në BE janë anëtarësuar Rumania dhe Bullgaria, si dy vende që kanë qenë pjesë e valës së madhe të zgjerimit, vetëm Kroacia ka arritur të bëhet anëtare e këtij blloku në vitin 2013.
Për t’i dhënë pak më shumë rëndësi këtij posti, komisionari i Zgjerimit ka marrë mbi vete edhe politikën ndaj fqinjëve të BE-së.
Por, kjo nuk ka pasur ndonjë vlerë të madhe, pasi me ato vende, edhe ashtu, është marrë përfaqësuesi i lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, që me automatizëm është edhe zëvendëspresident i Komisionit Evropian.
Në vitin 2019 nuk ka pasur ndonjë interes të madh nga vendet anëtare të BE-së që kandidati i tyre ta merrte postin e komisionarit për Zgjerim dhe ai i është dhënë Hungarisë.
Ky nuk është parë si mesazh i mirë nga mbështetësit e zgjerimit, pasi Hungaria, edhe atëherë, ka pasur probleme në raportet me BE-në, për shkak të dyshimeve se ky vend ka shkelur parimet e sundimit të ligjit.
Tash, kur po përfundon mandati aktual i komisionarit për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, shumë diplomatë vlerësojnë se ai, sado që ka vepruar në mënyrë korrekte, shpesh e ka ndjekur edhe linjën politike të kryeministrit hungarez, Viktor Orban.
Kjo, sipas disa diplomatëve të BE-së dhe Parlamentit Evropian, është shprehur sidomos në raportet me Serbinë.
Arsyet përse posti i komisionarit të Zgjerimit tani ka më shumë peshë, janë të shumta, sipas diplomatëve të BE-së me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë.
Në proces të zgjerimit tani janë dhjetë shtete. Pos gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor – Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Shqipërisë, Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës – në proces janë edhe Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia. Turqia – edhe pse pak kush beson se ajo mund të jetë ndonjëherë anëtare e BE-së – formalisht është ende vend me status kandidati.
Derisa këto vende ose janë kandidate, ose i kanë nisur negociatat e anëtarësimit, Kosova vetëm se ka aplikuar për anëtarësim në BE në fund të vitit 2022 dhe ende nuk ka marrë përgjigje.
Me të gjitha këto vende do të merret komisionari i Zgjerimit dhe, për këtë, do të ketë përgjegjësi edhe për një buxhet shumë më të madh se më parë.
Meqë Ukraina – e cila për më shumë se dy vjet është nën pushtimin e plotë rus – pritet të jetë tema kryesore për BE-në edhe për një kohë, kjo e bën procesin e zgjerimit edhe më atraktiv për politikanët dhe vendet që duan të kenë ndikim.
Edhe von der Leyen, gjatë fjalimit para Parlamentit Evropian, e ka përmendur procesin e zgjerimit si një prioritet të lartë të saj dhe si “imperativ gjeopolitik” të Bashkimit Evropian.
“Kremtimi i 20-vjetorit të zgjerimit më të madh të BE-së na ka mundësuar të reflektojmë mbi këtë proces, që është dëshmuar si sukses për ato vende dhe për BE-në në tërësi. Historia na thërret përsëri dhe BE-ja ka një zgjedhje për ta bërë për të ardhmen e saj. Unë besoj se është një imperativ moral, politik dhe gjeostrategjik, që ta kompletojmë unionin tonë, në përputhje me premtimet që i kemi dhënë në bazë të traktateve”, ka shkruar von der Leyen në udhëzimet e saj.
Ajo ka thënë se në një botë ku ekzistojnë fuqitë e mëdha, një union më i fortë dhe më i zgjeruar i jep Evropës një peshë më të madhe në skenën globale.
Ka përsëritur se procesi i zgjerimit do të mbetet i bazuar në meritat individuale të atyre që duan të hyjnë në Bashkimin Evropian.
“Ky nuk do të jetë një rrugëtim i lehtë. Anëtarësimi në BE do të jetë gjithmonë i bazuar në merita dhe secili kandidat do të vlerësohet në bazë të progresit në përmbushjen e kritereve. Do t’i rrisim përpjekjet për t’i përgatitur vendet kandidate, në veçanti përmes investimeve dhe reformave me planin e rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe mjetet për Ukrainën”, ka thënë von der Leyen.
Ajo ka përmendur, po ashtu, integrimin e vendeve në procesin e zgjerimit edhe në tregun unik të BE-së dhe mundësinë që t’i shfrytëzojnë edhe fondet e BE-së.
Von der Leyen ka përsëritur se sundimi i ligjit do të mbetet gurthemel i politikës së zgjerimit.
Qysh më herët, ajo ka premtuar se nëse rizgjidhet presidente e Komisionit Evropian, do të emërojë një komisionar të përkushtuar për ta çuar përpara procesin e zgjerimit.
Ajo ka thënë se nuk duhet të ketë dyshime në mundësitë e BE-së për të pranuar anëtarë të rinj dhe këtë, sipas saj, e ka dëshmuar edhe përvoja e deritashme.
Gjatë javëve të ardhshme, ajo do t’i pranojë nga qeveritë e vendeve anëtare emrat e kandidatëve të emëruar nga to për komisionarë.
Pasi t’i ketë të gjithë emrat, ajo do t’ua caktojë resorët.
Pritjet janë që komisionari i Zgjerimit të jetë veç për zgjerim, e jo siç ka qenë deri më tash – për zgjerim dhe fqinjësi.
Gjatë vjeshtës, të gjithë kandidatët do të kalojnë procesin e dëgjimit dhe konfirmimit në komisionet përkatëse të Parlamentit Evropian.
Kandidati për komisionar të Zgjerimit do të duhet ta sigurojë mbështetjen e Komisionit për politikën e jashtme.
Në fund, pasi individualisht ta marrin notën kaluese, të gjithë komisionarët do të votohen për përbërjen komplete të Komisionit Evropian.
Plani ideal për të cilin flitet në BE, është që ekipi i ri i Komisionit Evropian, i udhëhequr përsëri nga presidentja Ursula von der Leyen, të jetë gati për ta nisur mandatin më 1 nëntor.
Të tjera
-
VV-ja bëhet anëtare e Internacionales Socialiste, e falënderojnë kryeministrin spanjoll për mbështetje
Lëvizja Vetëvendosje është bërë anëtare me të drejta të plota e Internacional...
-
Vetaksident në Sllatinë, lëndohet një person
Pasditen e së shtunës në Sllatinë ka ndodhur një vetaksident. Si pasojë është...
-
Dita Botërore e Gjuhës Rome, Kurti: Historia e saj është shumë e gjatë, me plot sfida për mbijetesë
Kryeministri Albin Kurti ka marr pjesë në manifestimin e Ditës Botërore të Gj...
-
Jasharaj i drejtohet Kurtit: Fillove të ndjehesh si sulltan e jo kryeministër – u bërë përçarës e na mashtrove
Rrahman Jasharaj, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe ...
-
Një 9-vjeçar në mesin e pesë të vdẹkurve nga sụlmi në Magdeburg të Gjermanisë
Policia gjermane ka njoftuar në një konferencë për shtyp se i dyshuari i sulm...
-
Dy orë pritje për hyrje nga Dheu i Bardhë dhe Jarinja
Pritjet për të hyrë në Kosovë nga Pika Kufitare te Dheu i Bardhë zgjasin dy o...
-
Sụlmi në Ibër-Lepenc, Ramadani: Hera e parë që FBI ndihmon Kosovën në rastet ku dyshohet se ka gisht Serbia
Ish-inspektori i përgjithshëm i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Burim Ra...
-
Një muaj paraburgim të dyshuarit për tentim vrạsjen në Gjakovë
Gjykata Themelore në Gjakovë ia ka caktuar masën e paraburgimit pre tridhjet...
-
“7 muaj i ngujuar brenda, vështirë të gjykosh drejtë” – Vokrri thotë se nënkryetarja serbe që u zu duke konsumuar drogë e “manipuloi emocionalisht” Lulzim Hetemin
Nëntë ditë në izolim në objektin e komunës së Leposaviqit, kryetari Lulzim He...
-
Kasanof: Sụlmet si ai në “Ibër-Lepenc” janë ndërtuar qartësisht për të krijuar destabilitet
Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Ballkanin Perëndimor Alexan...
-
Procesohet subvencionimi i energjisë elektrike për faturat e muajit nëntor
Është procesuar subvencionimi i energjisë elektrike për faturat e muajit ...
-
Komuna e Prishtinës merr masa përpara festave
Komuna e Prishtinës ka bërë thirrje për kujdes në prag të festave të fundviti...