Lajme

Porosi e ashpër nga Kievi: Ata që kanë keqtrajtuar Ukrainën do të paguajnë shtrenjtë

Autori: Gazeta inFokus 16:32 | 17 March 2023

Vendet që keqtrajtuan Ukrainën do të mbajnë përgjegjësi kur të përfundojë lufta, tha ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba.

Kreu i diplomacisë së Ukrainës tha se gjatë marrjes së vendimeve të ardhshme, Kievi do të marrë parasysh vendimet e secilit vend që nga momenti kur Rusia filloi pushtimin, shkruan BBC.

Kuleba paralajmëroi gjithashtu se vonesa e dorëzimit të armëve nga Perëndimi “po u kushton me jetë ukrainasve” dhe se “kur një dorëzim vonohet vetëm për një ditë, kjo do të thotë se dikush do të humbasë jetën në front”

-Advertisement-

Ai shpjegoi se vendet që nuk mbështesin Ukrainën tani dhe “keqtrajtuan” Kievin gjatë luftës, “do ta paguajnë shtrenjtë në të ardhmen”.

Vendet perëndimore u bashkuan fuqishëm në mbështetje të Ukrainës, por shumë vende në Afrikë, Azi dhe Amerikën e Jugut mbetën mënjanë.

“Nëse dikush në botë mendon se mënyra se si një vend u soll apo e trajtoi Ukrainën në momentin më të errët të historisë së saj nuk do të merret parasysh në ndërtimin e marrëdhënieve të ardhshme, ata thjesht nuk e dinë se si funksionon diplomacia”, tha Kuleba.

Ai iu referua luftimeve rreth qytetit ukrainas Bakhmut dhe tha se ato janë të një rëndësie të madhe, sepse pushtimi i tij do të nënkuptonte një rrugë të hapur për qytetet e tjera për Rusinë.

“Çdo luftë përfundon në tryezën e bisedimeve. Qëllimi im si Ministër i Punëve të Jashtme është të siguroj që Ukraina të vijë në tryezë pas një suksesi vendimtar në fushën e betejës”, tha kreu i diplomacisë ukrainase.

Kuleba shpjegoi se kjo nënkupton ndërtimin e koalicioneve më të forta të mundshme të mbështetjes dhe një aleance që, thotë ai, aktualisht nuk përfshin kreun e Vatikanit, Papa Françeskun.

“Më vjen thellësisht keq që Papa Françesku nuk e ka parë të arsyeshme të vizitojë Ukrainën që nga fillimi i luftës,” tha ai.

Duke iu referuar vizitës së paralajmëruar të presidentit kinez Xi Jinping në Moskë, Kuleba tha se ai nuk mendon se Pekini është “gati të fillojë armatosjen e Rusisë”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
KosovaMed përmbyll vitin me sukses – dhuron donacione për QKMF-në e Junikut

Të tjera