Fokus

Politikanët rrezikojnë jetën e qytetarëve, inspektorët “në gjumë”

Autori: H. Smajli 10:05 | 22 January 2021

Nën tinguj të sharkisë, në tym duhani, e të rrethuar nga simpatizantë, çdo natë kandidat për deputet të partive politike kërkojnë votën odë me odë.

Përkundër rrezikut nga pandemia, në tubimet e partive politike nuk respektohet asnjë masë e paraparë nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik kundër Covid-19.

Para gjithë kësaj situate, inspektorët komunal duket se janë dorëzuar në shumë komuna, shkruan Gazeta inFokus.

-Advertisement-

Përveç përveç inspektoratit të Komunës së Prishtinës që deri më tani ka gjobitur dy herë Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe nganjëherë Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA-n Socialdemokrate.

Gazeta inFokus ka dy ditë që po provon të kontaktojë me Inspektoratin e Komunës në Skenderaj duke qenë se tubimet në këtë qytet nuk kanë qenë të pakta, duke mos respektuar masat antiCOVID-19.

Mirëpo të njëjtit nuk kanë shprehur vullnet të bashkëpunojnë apo të tregojnë se a kanë marrë ndonjë masë në lidhje me këto tubime e madje Drejtori i Inspektoratit, Arton Veliu nuk e ka hapur më as telefonin edhe pse është kontaktuar disa herë nga Gazeta inFokus.

Ndërsa nga komuna e Istogut, kanë thënë se janë duke i përcjellë tubimet por që ende për këtë nuk kanë shqiptuar asnjë dënim për asnjë subjekt politik, shkruan Gazeta inFokus.

Drejtori i Drejtorisë së Inspeksionit në këtë komunë, Demë Qeta në një prononcim për Gazetën inFokus e ka pranuar që nuk po respektohen masat por që i njëjti ka thënë se pavarësisht kësaj ende nuk kanë shqiptuar ndonjë gjobë për partitë politike.

“Po na po i përcjellim nga pak, aq sa po mundemi , ka edhe shumë që s’po mundemi me i përcjell se s’po dihen nuk po lajmërohen sepse ende nuk është fushatë. Sa po mundemi me ditë se ku po mblidhen po i përcjellim nga pak, normalisht nuk ka qaq të mëdha por edhe nuk po respektohen masat. Gjoba nuk kemi dhënë ende, se ende nuk e kemi parë të arsyeshme”, ka thënë Qeta.

E Drejtori i Inspektoratit në Komunën e Deçanit, Halil Tolaj ka thënë për Gazetën inFokus se deri më tani nuk kanë hasur në ndonjë tubim që bie ndesh me masat.

“Vërehen se kanë filluar tubime parapërgatitore nga subjektet politike të cilat kryesisht mbahen nëpër oda familjare. Deri me tani inspektori nuk ka has ne ndonjë tubim të mbyllur apo të hapur që bie ndesh me pikën 24 dhe 25 të Vendimit të Qeveris së Kosovës nr 09/58 për grumbullimin e më shumë se 30 respektivisht 50 personave, varësisht prej ambientit (i hapur apo i mbyllur). Si rezultat i kësaj deri me tani Inspektori nuk ka hasur ndonjë rast për të shqiptuar ndonjë gjobë”, ka thënë Tolaj.

Gazeta inFokus ka kontaktuar edhe me shefin e Inspekcionit Sanitar në Ferizaj, Faredin Hajdini i cili ka thënë se tek tash do të fillojnë punën në terren për të parë se a po respektohen apo jo masat antiCOVID në tubime.

“Me ju thënë të drejtën nuk ka pas përveç një tubimi të vogël të LDK-së, sa e pashë në media bile sa e di tubime të tjera nuk ka pas. Ne kemi biseduar edhe me Drejtorin ne e kemi deri në orën 16:00, ndërrimin pastaj prej orës 16:00 e vazhdojnë inspektorët sanitar të agjensionit të ushqimit. Pra për tubimet që janë pas orës katër i përcjellin ata. Tash jemi duke u përgatit, dhe prej sot çdo tubim që mbahet do ti sanksionojmë sipas ligjit në fuqi, për parandalimin dhe luftimin e COVID-19. Deri më tani edhe s’ka pas ndonjë tubim që nuk i kanë respektuar masat kështu që jo nuk kemi dhënë asnjë gjobë. Tash e mbas do të dalim në terren dhe në momentin që e shohim se nuk po i respektojnë masat do të ndërhyjmë”, ka thënë Hajdini.

E në komunën e Malishevës kanë thënë se në këtë javë do të fillojnë që edhe në bashkëpunim me policinë të ndërmarrin masa ndaj subjekteve politike.

Drejtori i Drejtorisë së Inspektoratit, Dibran Kastrati në një prononcim për Gazetën inFokus, ka thënë  se deri më tani nuk kanë shqiptuar asnjë gjobë.

“Jo nuk kemi marrë ende ndonjë masë për shkak që ne nuk kemi pas ndonjë organizim që e kanë mbajt në restorante apo diku në vende publike kështu që jemi duke e shqyrtuar mundësinë edhe në bashkëpunim me policinë me marrë informacione ku ka tubime nëpër oda apo në shtëpia dhe me marr ndonjë masë ndaj partive politike. Deri më tani nuk kemi shqiptuar asnjë gjobë dhe nuk kemi ndërhyrë askund pasi jemi duke e shqyrtuar mundësinë të merremi me këtë rast. Këto dy ditë besoj që do të marrim masa ndaj subjekteve politike”, ka thënë Kastrati.

Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë do të mbahen me 1 shkurt, ndërsa zyrtarisht fushata për partitë politike do të fillojë me 3 shkurt. Subjektet politike kanë kohë 10 ditë që të bindin qytetarët për të votuar partitë e kandidatët e tyre./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
MYZHDE për krejt!

Të tjera