Lajme

Policia veç në Pejë për dy muaj konfiskon gati çdo ditë nga një veturë

Autori: Gazeta inFokus 16:25 | 12 December 2019

Qytetarët shpesh janë ankuar se pagesat për doganë e shpenzimet përcjellësve për vetura në Kosovë janë goxha të larta.

Andaj edhe rastet e shmangieve nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose atyre akcizore po dalin të jenë goxha të shpeshta, shkruan gazeta inFokus.

Madje veç në qytetin e Pejës, Policia e Kosovës ka konfiskuar 49 vetura veç për muajin tetor e nëntor.

-Advertisement-

“Stacionet dhe Njësitet e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, gjatë muajit tetor dhe nëntor të këtij viti, gjatë kontrolleve rutinore dhe planeve të ndryshme kanë hasur në dyzet e nëntë (49) automjete pronarët e së cilave kanë kryer veprën ‘Shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore”, thuhet në një komunikatë të Policisë.

E këto automjete tani janë dërguar në terminalet doganore ku janë detyruar pronarët e tyre të bëjnë pagesën për zhdoganim, shkruan gazeta inFokus.

“Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit dhe me Doganën e Kosovës, automjetet e konfiskuara janë dërguar në terminalet doganore të cilat janë detyruar të bëjnë pagesën për zhdoganimin e këtyre automjeteve”.

E ndaj tyre tani janë iniciuar edhe procedura ligjore.

“Ndaj pronarëve të automjeteve janë iniciuar procedura ligjore dhe të njëjtat janë dërguar në Prokurorinë e Shtetit për procedura të mëtutjeshme ligjore”.

Ndërsa, në këtë mënyrë, Policia e Kosovës, apelon qytetarët që të kryejnë obligimet para se të dalin me vetura në rrugë, përndryshe nuk do të ketë tolerancë.

“Policia e Kosovës, apelon te të gjithë qytetarët që kanë në posedim mjete motorike e që nuk i kanë kryer obligimet doganore, para se të dalin në rrugë t’i kryejnë këto obligime, përndryshe Policia e Kosovës ndaj këtyre ngasësve të automjeteve do të ketë zero (0) tolerancë”./Gazeta inFokus/

 

 

 

 

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera