Lajme

Policia: Situatë e brishtë por e qetë në veri

Autori: Gazeta inFokus 10:40 | 04 June 2023

Situata në tri komunat veriore, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan po konsiderohet të jetë sot e qetë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani tha për Telegrafin se janë duke vazhduar angazhimet policore në zbatim të rendit.

“Policia e Kosovës, bazuar në detyrat dhe autorizimet e saj ligjore e kushtetuese, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet e sigurisë, po vazhdon angazhimet policore në zbatim të rendit dhe sigurisë publike, si dhe ndërmarrjen e masave konform situatës dhe zhvillimeve në komunat veriore. Protestat e dhunshme dhe zhvillimet e ndodhura në veri të vendit, kanë bërë që situata të jetë e tensionuar dhe e brishtë, por sot aktualisht situata është e qetë”, u shpreh ai.

-Advertisement-

Kelani theksoi se, monitorimi i situatës dhe angazhimet policore të koordinuara me institucioneve relevante të sigurisë, si zakonisht po vazhdojnë në komunat veriore.

Ndryshe, serbët në veri janë duke kundërshtuar vendosjen e kryetarëve shqiptarë në objektet e komunave. Disa grupe kriminale kanë vepruar dhunshëm para disa ditësh të cilët tentuan të hyjnë në objektet komunale, ata kanë sulmuar ushtarët e KFOR-it, duke lënduar 30 prej tyre.

Po ashtu, ata kanë sulmuar edhe ekipet e mediave nga Kosova dhe atyre nga Shqipëria, duke ua dëmtuar dhe djegur veturat.

Thirrje për ç’tensionim të situatës kanë bërë ndërkombëtarët, të cilët kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës të ndërmarrë masa për uljen e tensioneve. Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Policia e Kosovës nuk do të largohet nga këto komuna, derisa në atë pjesë ka grupe kriminale.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe pjesëmarrës në panairin “Gulfood Fair 2024” në Dubai

Të tjera