Lajme

Policia shpall në kërkim edhe pesë persona tjerë, shkon në 10 numri i të kërkuarve për kontrabandë

Autori: Gazeta inFokus 15:29 | 13 October 2021

Policia e Kosovës ka shpallur në kërkim edhe pesë persona tjerë, lidhur me operacionin e realizuar në Prishtinë, Pejë, Mitrovicë Jugu dhe Mitrovicë Veri.

Kështu numri i personave të kërkuar nga policia për kontrabandë ka shkuar në 10.

“Edhe pas arrestimit të tetë personave të dyshuar, ka vazhduar hetimet intensive drejt identifikimit dhe arrestimit të personave të tjerë që ndërlidhen me kontrabandimin e mallrave. Hetimet intensive drejt identifikimit të personave të dyshuar të përfshirë në kontrabandë me mallra, janë realizuar nën autorizimin e prokurorisë kompetente, e që kanë rezultuar deri më tani me identifikimin e (5) personave të dyshuar, të cilët janë shpallur në kërkim”, njofton policia.

-Advertisement-


Kushdo që ka informacione për vendndodhjen e personave të kërkuar më lartë, policia apelon të lajmërohen në numrat kontaktues: 192, 038 550 999 ose pa pagesë në 0800 19999, “të gjitha informacionet do të trajtohen në mënyrë konfidenciale”, thotë policia.

“Njëkohësisht Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, është duke kryer hetime intensive drejt identifikimit edhe të personave të tjerë të dyshuar të përfshirë në kontrabandë me mallra por edhe në aktet kriminale dhe sulmet me mjete të rrezikshme, armë zjarri të kryera ndaj zyrtarëve policorë dhe atyre doganorë sot gjatë operacionit”, thuhet tutje në njoftimin e policisë.

Më poshtë mund t’i shihni edhe pesë personat e parë të shpallur në kërkim nga policia.

Policia e Kosovës nisi sot një aksion kundër kontrabandës në disa qytete, përfshirë pjesen veriore të vendit. Aty hasi edhe në probleme. Situata u tensionua shpejt.

Si pasojë e rezistimit të serbëve, duke gjuajtur me gjësende e duke sulmuar me grushte policët, disa pjesëtarë të policisë kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin e Mitrovicës.

Policia njoftoi për gjashtë zyrtarë policorë të lënduar, prej tyre pesë zyrtarë të nacionalitetit shqiptar dhe një i nacionalitetit serb. Gjithashtu, një nga personat e përfshirë në sulm ndaj zyrtarëve policorë, është lënduar.

Gjatë këtij aksioni janë sulmuar edhe gazetarët dhe kameramanët që kanë shkuar për të raportuar për zhvillimet atje.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vetëm edhe 4 ditë nga Bootcamp me Alan Greenberg, ish-Drejtorin për Edukim në Apple, Apliko Tani
-Advertisement-

Të tjera