Policia po ruan ndërtesat komunale në veri, pamje prej atje

Autori: Gazeta inFokus
11:29 | 27 May 2023
Një ditë pas përleshjeve midis Policisë së Kosovës dhe grupeve të serbëve lokalë, situata në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, është e qetë.
Gazetarët e Radios Evropa e Lirë raportojnë se pranë ndërtesës së Komunës së Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, ka prani të Policisë së Kosovës. Po ashtu, policë ka edhe brenda ndërtesave.

Para ndërtesës së Komunës së Leposaviqit janë vendosur tri autoblinda policore me rreth 20 pjesëtarë të njësive speciale të Policisë së Kosovës.
Në afërsi të ndërtesës së komunës, po ashtu janë parë ekskavatorë që po heqin rërën e hedhur një ditë më parë para ndërtesës së Komunës.

Situata në këtë komunë raportohet e qetë dhe gjendja është kthyer në normalitet, teksa janë hapur dyqanet dhe lokalet e gastronomisë.
Më 26 maj, Policia e Kosovës asistoi tre kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit që të hynin në ndërtesat komunale. Këto ndërtesa, paraprakisht ishin përdorur nga institucionet paralele serbe.

Ky veprim u kundërshtua nga grupe të serbëve lokalë, të cilët u përleshën me policinë. Autoritetet e sigurisë përdorën shok-bomba dhe gaz lotsjellës, ndërkaq serbët lokalë hodhën gurë në drejtim të tyre.
Disa vetura policore u dogjën, ndërkaq të paktën pesë policë u lënduan.
Faktori ndërkombëtar e cilësoi si shkuarjen në komunat në veri të kryetarëve të rinj si “hyrje me forcë”, duke dënuar veprimet e Prishtinës.
Por, autoritetet kosovare fajësuan Serbinë dhe “strukturat ilegale dhe bandat kriminale” për situatën e krijuar, teksa thanë se Policia e Kosovës po realizonte detyrat e saj.
Shtetet e Bashkuara paralajmëruan se veprime të tilla do të rezultojnë “me pasoja” në raportet dypalëshe me Kosovën.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se veprimet e Kosovës përshkallëzuan “tensionet pa nevojë, duke i minuar përpjekjet për të ndihmuar në normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë”.
“Ne i bëjmë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që ta ndryshojë kursin në të gjitha drejtimet dhe të përmbahet nga veprimet tjera që mund të rrisin tensionet dhe të promovojnë dhunë”, tha Blinken.

Veprimet e institucioneve të Kosovës i dënoi edhe Bashkimi Evropian, që ndërmjetëson dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Brukseli tha se nuk do të pranojë asnjë veprim “të mëtejshëm dhe të njëanshëm, e provokues”.
“Ne dënojmë vendimin e Kosovës për ta bërë me forcë hyrjen në ndërtesat komunale në veri të Kosovës, pavarësisht thirrjes sonë për përmbajtje”, u tha në reagimin e BE-së.
Shtetet e QUINT-it (SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Italia), po ashtu reaguan, duke kërkuar uljen e menjëhershme të tensioneve.
“Ne dënojmë vendimin e Kosovës për ta bërë me forcë hyrjen në ndërtesat komunale në veri të Kosovës, pavarësisht thirrjes sonë për përmbajtje”, tha QUINT.
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, e cilësoi si “të rrezikshme” situatën e krijuar në veri, ndërkaq aleanca ushtarake, i bëri thirrje institucioneve në Kosovë që të shtensionojnë “menjëherë” situatën.
Pavarësisht dënimit nga faktori ndërkombëtar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbrojti vendimin që kryetarët e rinj të hynin në ndërtesat komunale.
Një ditë pas përleshjeve në veri, Kurti tha se i kupton shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë.
“Ne jemi të vetëdijshëm dhe i kuptojmë shqetësimet e ngritura nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Por, çdo opsion tjetër, do të ishte mospërmbushje e obligimeve kushtetuese të Qeverisë sonë ndaj kryetarëve të rinj, do të ishte mospërmbushje e obligimeve dhe detyrimeve të kryetarëve të rinj ndaj qytetarëve të Republikës, dhe do të pamundësonte ofrimin e shërbimeve bazike komunale për qytetarë”, shkroi Kurti në Facebook.

Të tjera
-
Qalaj: Kurti gaboi që i publikoi emrat e kriminelëve në veri, tani s’mund të arrestohen, kanë ikur në Serbi
Deputeti i PDK-së dhe ish-komandanti i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka t...
-
Mosvotimi i projektligjit për shëndetin riprodhues, Kusari: Gratë voto VV-në, e VV-ja kundër interesave të grave
Flutura Kusari, jurist e mediave, ka reaguar pasi dështoi në Kuvend, Projektl...
-
Hill: Nuk mbaj mend të ketë pasur ndonjëherë ndarje kaq të thella mes Prishtinës dhe Uashingtonit
Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill ka thënë se Shtetet e Bashku...
-
Ambasadori britanik në Tiranë: Kosova të tërheqë policinë dhe të themelojë Asociacionin
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Alastair King-Smith, tha se ...
-
Haradinaj e quan lajm të mrekullueshëm votimin e Ligjit për Zgjedhjet nga të gjitha partitë politike
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka quajtur lajm të mrekullueshëm votim...
-
Policia jep detaje për zjarrin tek Tregu i Gjelbër në Prishtinë
Pak më parë Gazeta Infokus raportoi se hapësirat e Tregut të Gjelbër në Pris...
-
Muja: Policia dhe kryetarët nuk do të tërhiqen nga veriu përderisa ka banda kriminale
Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Armend Muja, ka thënë se nuk mund të ketë ...
-
Tregu i Gjelbër në Prishtinë përfshihet nga zjarri
Hapësirat e Tregut të Gjelbër në Prishtinë janë përfshirë nga zjarri këtë...
-
Shtëpia e Bardhë publikon raportin për numrin e ushtarëve amerikanë në Kosovë
Shtëpia e Bardhë ka publikuar raportin vjetor të Kompetencave të Luftës rreth...
-
Abdixhiku nuk i përjashton protestat në rrugë kundër Qeverisë Kurti
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku është kryeta...
-
Hyseni: Nuk ka ndonjë kërkesë të aleatëve që nuk është respektuar
Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Hyseni ka komentuar raport...
-
Paçarizi: Veprimi i Ramës për draftin e Asociacionit është absurd, atë e bën ekipi menaxhues i Kosovës
Analisti politik, Rrahman Paçarizi, ka thënë se zgjedhjet në veri duhej mbajt...