Lajme

Policia merr pamje të kamerave pranë banesës së Arbana Xharrës

Autori: Gazeta inFokus 07:58 | 15 May 2017

Një ditë pas rrahjes që i është bërë ish-gazetares, tash anëtares më të re të Partisë Demokratike të Kosovës, Arbana Xharra, policia nuk ka dhënë detaje për rastin.

Ndërsa në po këtë ditë, në asamblenë e Gruas Demokratike të Kosovës, të cilën e ka kryesuar kryetari PDK-së, Kadri Veseli, emri i anëtares së re të tyre nuk është përmendur fare, shkruan sot “Koha Ditore”.

Policia ka thënë se është ende në fazën e hetimeve.

-Advertisement-

“Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorinë kompetente është duke kryer hetime intensive me qëllim të zbardhjes së këtij rasti”, ka qenë përgjigjja e policisë rreth këtij rasti.

Policia e Kosovës tha se po vazhdon hetime të ngjeshura për ndriçimin e sulmit ndaj ish gazetares, Arbana Xharra, e kthyer në politikane, e cila u sulmua dhe u rrah nga persona ende të panjohur në hyrje të apartamentit të saj në Prishtinë, natën ndërmjet të premtes dhe të shtunës.

Edhe më tej policia nuk ka njohuri për autorët apo motivet e mundshme të sulmit që u dënua në shkallë të gjerë në Kosovë.

Zonja Xharra është trajtuar në spitalin e Prishtinës para se të lirohej për t’u trajtuar në shtëpi.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, u shpreh i “tmerruar” me sulmin ndaj zonjës Xharra duke shfaqur shpresën se përgjegjësit do të vihen shpejt para drejtësisë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shprehu shqetësimin e tij me këtë sulm. Në reagimin e tij ai thekson se është krejtësisht i papranueshëm dhe i dënueshëm përdorimi i dhunës dhe asgjë nuk e arsyeton atë. Si shoqëri nuk bën të lejohet që dhuna të bëhet mjet i shprehjes së pakënaqësisë, thuhet në reagim.

Kryeministri në largim Isa Mustafa, tha se sulmi mbi Arbana Xharrën është akt i ulët dhe i turpshëm.

Shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Nataliya Apostolova, u shpreh e tronditur nga sulmi duke e cilësuar atë sulm ndaj vlerave njerëzore, për të cilat angazhohet Bashkimi Evropian.

Te papranueshëm dhe të dënueshëm e kanë cilësuar sulmin edhe përfaqësuesit e institucioneve tjera dhe te partive politike.

Ish-kryeredaktorja e të përditshmes “Zëri”, Arbana Xharra, ditë më parë, la gazetarinë duke iu bashkuar Partisë Demokratike të Kosovës. Vendimi i saj, që u mor një ditë para se të binte qeveria dhe të shpërndahej parlamenti, nxiti debate të gjera në rrjetet sociale.

E njohur për kritikat ndaj zyrtarëve të kësaj partie por edhe partive tjera për korrupsion e përfshirje në veprimtari kriminale, ajo u kritikua nga një numër i kolegëve të saj nga mediet dhe shoqëria civile.

Veprimtarë të të drejtave të njeriut u shprehën të shqetësuar me siç u tha, “fjalorin e dhunshëm” që pasoi anëtarësimin e zonjës Xharra në Partinë Demokratike të Kosovës.

Para se të përfshihej në politikë, zonja Xharra dhe shoqatat e gazetareve kishin denoncuar disa herë kërcënime ndaj saj.

Dy vjet më parë ish kryeredaktorja e të përditshmes Zëri, Arbana Xharra, ishte fituese e Çmimit prestigjioz ndërkombëtar për Gra të Guximshme, që ndahet nga sekretari amerikan i shtetit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Spektakli i Vitit, Ekskluzivisht në Artmotion – BBVK3!
-Advertisement-

Të tjera