Lajme

Policia e Kosovës identifikoi 66 lëmosh kërkues, iniciohet një rast i trafikimit

Autori: Islam Morina 13:35 | 17 July 2021

Policia e Kosovës ka realizuar një plan operativ, me ç’rast ka identifikuar 66 lëmosh kërkues në tërë territorin e Kosovës, ku me vendim të prokurorit një rast është iniciuar si trafikim i mundshëm me qenie njerëzore, ndërsa për 12 raste për keqtrajtim apo braktisje e fëmijës, shkruan Gazeta Infokus.

Në këtë rast janë dorëzuar kallëzime penale kundër 15 të dyshuarve, prindërve të fëmijëve lëmosh kërkues, kurse 17 fëmijë janë referuar për në Qendrat për Punë Sociale.

Njoftimi i plotë i policisë:

-Advertisement-

“Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore (DHTQNJ) ka realizuar planin operativ “Identifikimi i Fëmijëve Lëmosh-Kërkues si viktima të mundshme të Trafikimit”, i cili është zbatuar në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Ky plan operativ ka përfshirë periudhën kohore 12.07.2021 deri me datë 16.07.2021, ku janë angazhuar të gjitha njësitë rajonale të DHTQNJ-së dhe akterë tjerë relevant si: Prokuroritë në rajonet përkatëse, Qendra për punë sociale, Drejtoria për Migrim dhe të Huaj si dhe zyrtarë policore nga kufiri dhe stacionet policore.

Plani operativ ka rezultuar me identifikimin e (66) lëmosh kërkuesve, prej tyre (42) fëmijë dhe (24) të rritur, ku numri më i madh i tyre(45) janë nga Shqipëria ndërsa (21) janë nga Kosova.

Gjate fazës se implementimit të planit operativ në konsultim me Prokuroritë përkatëse, janë iniciuar gjithsej (13) raste prej tyre (1) “Trafikim me Njerëz” dhe (12) raste “Keqtrajtim apo braktisje e fëmijës”, me ç‘rast janë dorëzuar kallëzime penale kundër (15) të dyshuarve, prindërve të fëmijëve lëmoshë kërkues, ndërsa (17) fëmijë janë referuar në Qendrat për Pune Sociale.

Shtetasit e huaj janë dorëzuar në njësinë përkatëse pranë Drejtorisë për Migrimi dhe të Huaj, për procedura të mëtejme bazuar në ligjin për të huaj”, shkruan në noftimin e Policisë së Kosovës./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera